Një prej personaliteteve më emblematike të Komunës së Podujevës, për të cilin u shkrua fare pak, është prof. Izeir Mustafa. Ky personalitet i veçantë punoi, veproi dhe la gjurmë të pashlyeshme në shumë segmente të jetës, si në arsim, kulturë dhe sport dhe përgatiti edhe figura historike, shkruan “Kosovarja”.

Izeir Mustafa që nga fëmijëria ishte dalluar me inteligjencën dhe vizionin e tij, të një intelektuali të mirëfilltë të Llapit.

Në vitin 1975 filloi punën arsimtar në shkollën fillore në Podujevë, nga e cila vatër e arsimit dolën shumë gjenerata dhe individë, të cilët dhanë kontribut në shumë sfera të jetës publike, qoftë në Llap dhe më gjerë.

Izeiri ishte arsimtar, më vonë profesor i skulpturës dhe njeri me vepra të krijuara me vlerë ndërkombëtare të skulpturës, të cilat u shtrinë gjithandej jo vetëm në Kosovë, por arritën deri në Mançester të Anglisë.

Izeiri ishte student dhe pasardhës i akademikut të njohur Agim Qavdarbasha.

Futbollist, trajner, ekspert i futbollit
Në vitin 1983 ishte futbollist i njohur i ekipit të “Llapit” të Podujevës. Talenti i tij ishte model dhe inspirim edhe për gjeneratat e mëvonshme.

Puna e tij u kurorëzua në pozitën e trajnerit të futbollit nga viti 1990 deri në vitin 2003. Nëpërmjet punës dhe dijes profesionale të tij dolën talent me famë, si Fadil Vokrri, i cili u shndërrua në legjendë të futbollit.

Në rrëfimin e tij Izeir Mustafa tregon momentin kur në vitin 1980 udhëheqësia futbollistike e Klubit Prishtina, në krye me ish-politikanin Nazmi Mustafa, i kërkuan Izeirit që të jep mendimin për kalimin e Fadil Vokrrit nga ekipi i “Llapit” në Prishtinë.

Andaj, krijimi i këtij personaliteti, pra i Fadil Vokrrit me përmasa botërore, ishte, pa dyshim, meritë e trajnerit-ekspertit të futbollit, profesorit të nderuar Izeir Mustafa.

Nxënësi i tij – Zahir Pajaziti
Profesor Mustafa ligjëroi lëndën “Historia e Artit” në Gjimnazin “8 Nëntori” në Podujevë, në vitin 1976.

Atë botë nxënës i tij, ku edhe ishte kujdestar klase, ishte Zahir Pajaziti, tashmë hero i kombit.

Profesor Mustafa tregon se Zahiri ishte djalë i pashëm, fliste shumë pak, ulej në bankën e fundit dhe gjithnjë vigjilent për lirinë e Kosovës.

Ai tregon edhe për demonstratat e vitit 1981, kur Zahir Pajaziti, bashkë me Rrahim Hazirin dhe shokët e tjerë, ishin pjesë e organizimit të demonstratave në Podujevë.

Projektet kapitale të profesor Mustafës
Dhe, jeta, biografia dhe historia e profesorit Izeir Mustafës nuk përfundon me kaq. Gjithsesi, nuk guxojmë ta harrojmë veprimtarinë e tij edhe në kohën e pasluftës, në hartimin e shumë projekteve në rindërtimin e objekteve kulturore rekreative të Podujevës dhe më gjerë.

Ai hartoi projektin e ri në ndërtimin e parkut të qytetit dhe projektin ideor për lumin Llap. Dhe, këto projekte, jo vetëm kapitale dhe me vlerë, por i kanë dhënë pamje madhështore qytetit të Podujevës.

Projekti “Orfeu”, i hartuar nga Izeir Mustafa, zbuloi edhe mozaikun e monumenteve të kulturës në fshatin Gllamnik të Podujevës. Monument ky i cili do u shërbejë gjeneratave të ardhshme për hulumtimet dhe gjurmimet historike të periudhës së epokës dardane. Ismail Muqiqi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË