Izet Demaj është polici i cili e qon në 20 numrin e zyrtarëve policor të rënë në kryerje të detyrës zyrtare. Ai dje pasdite u vra me armë zjarri nga një plaçkitës banke në Istog. Por edhe pas 19 vjetëve që kur është themeluar Policia, pjesëtarët e saj nuk gëzojnë ende sigurime shëndetësore.

Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të udhëheqësve të shtetit se policia do të ketë sigurimet shëndetësore, ato nuk u realizuan as këtë vit dhe vështirë që mund të ketë edhe vitin tjetër, transmeton Indeksonline.

Sindikata e Policisë së Kosovës edhe sot ka kërkuar që sigurimet shëndetësore të bëhen sa më shpejtë për të gjithë pjesëtarët që i shërbejnë vendit.

“Tashmë u bë kohë shumë e gjatë që jemi duke kërkuar sigurimin shëndetësor dhe aksidental për punonjësit e Policisë të Republikës së Kosovës. Mirëpo, mjerisht, akoma nuk po hasim në mirëkuptim te institucionet kompetente që të gjejnë zgjidhje dhe ti japin epilog pozitiv kësaj çështje. Theksojmë se të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës janë të vetëdijshëm për sfidat, sakrificën dhe rreziqet që bartë ushtrimi i këtij misioni fisnik, por është tepruar me vonesën, që për ne është e pa justifikueshme, që edhe pas 19 vitesh prej themelimit të Policisë së Kosovës të mos kemi sigurimin shëndetësor, aksidental dhe jetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e sindikatës së PK-së.

Të gjitha rastet deri më tash, sikur edhe rasti i mbrëmshëm tragjik janë dëshmi e fuqishme se urgjentisht, pa humbur kohë institucionet e vendit duhet të zgjidhin këtë çështje kruciale, jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës.

MUND TË JU PËLQEJNË