Arrestohet redaktorja që raportoi se 250 anëtarë të Policisë së Kosovës janë në dispozicion të Malit të Zi

Redaktorja e “Fos Media” në Malin e Zi, Anxhela Gjikanoviq, është arrestuar nën dyshimin se ka përhapur panik me lajmin se 250 anëtarë të Policisë Speciale të Kosovës i janë vënë në dispozicion autoriteteve malazeze për intervenim, me rastin e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse.

Sipas raportimeve në mediat e Malit të Zi, policia ka thënë se me lajmin që 250 anëtarët e ROSU-s janë në dispozicion të autoriteteve të sigurisë në Mal të Zi për ditën e tubimit në Podgoricë, për organizimin e planifikuar për të hënën, ka “nxitur panik duke dhënë lajme të rreme”.

Autoritetet malazeze kanë thënë se “gjithçka në tekstin e këtij lajmi ishte gënjeshtër absolute dhe përpjekje për përhapjen e dezinformatave, që për qëllim kishte përhapjen e panikut”.

Sot gjatë ditës ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës që ka mohuar këto raportime.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës demanton fuqishëm shpifjen e publikuar nga FOS Media dhe disa portale tjera lokale në Mal të Zi, në lidhje me gjoja ‘disponueshmërinë’ e Forcave Speciale të Policisë së Republikës së Kosovës (ROSU) për intervenim në territorin e Republikës së Malit të Zi, me rastin e Natës së Krishtlindjeve Ortodokse. Republika e Kosovës respekton sovranitetin e Republikës së Malit të Zi dhe vë në pah se në bazë të ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës, përgjegjësitë e Policisë së Kosoves kufizohen në kuadër të territorit të Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës konsideron se informacionet e falsifikuara dhe dashakëqija nuk i shërbejnë paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon, si dhe u bën thirrje qarqeve të këtilla të rishikojnë qëndrimet e dëmshme që i shërbejnë tensionimit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ndëretnike dhe ndërfetare”, thuhej në reagim të MPJ-së së Kosovës.

Pas botimit, “Fos Media” kishte tërhequr tekstin dhe kishte kërkuar falje.

MUND TË JU PËLQEJNË