Jam Anita, nga Prishtina. Sot një vit, pra më 15 shkurt të vitit të shkuar, u njoha me të dashurin tim, në të cilin, që nga dita e parë, u dashurova marrëzisht në të, shkruan “Kosovarja”.

Që në njohje i thashë: “Pse nuk u njohëm dje, por sot? Po të ishim njohur dje, do të kishte qenë më mirë, sepse çdo vjet bashkë me Shën Valentin do e festonim edhe njohjen tonë!”.

Ai qeshi dhe më tha se, kësmet, Shën Valentinët tjerë do i festojmë bashkë…

Dhe, nga ajo ditë, vetëm nata na ndante. Shkuam e ku s’shkuam? Aty ku i thosha të shkonim aty edhe ishim…

Verës shkuam edhe në Dhërmi bashkë dhe s’lamë gjë pa bërë atje… Palaviteshim mbi rërën e detit dhe gjuheshim mbi valë, si dy delfin…

Sa me gëzim e prita Shën Valentinin e sivjetmë, por…
Para dy ditësh tërë ditën qëndruam në një restorant në Vërmicë të Prizrenit, bashkë, unë dhe i dashuri im. Rrezet e diellit ngrohnin si të ishte pranverë e jo ditë shkurti…

Kah mbrëmja u ngritëm dhe u nisëm për në Prishtinë, duke i premtuar njëri-tjetrit se sivjet Shën Valentinin për herë të parë do e kalojmë bashkë.

Atë natë nuk më zuri gjumi fare, duke e menduar veten bashkë me të dashurin tim në Rugovë, duke shëtitur dorë për dore mbi borë…

Dhe dje, herët në mëngjes, më thërret i dashuri im dhe më thotë se sot, edhe pse është Shën Valentin, nuk mund të shkojmë askund! Sepse, paska vdekur një plakë në farefis dhe s’ka si të mos jetë në varrim…

E, mua, për një çast mu errë çdo gjë para syve. Sa e sa mendime të errëta më erdhën në kokë aty për aty… Të gjitha planet dhe ëndrrat, e që i kisha tubuar një vit rresht se si do të jetë Shën Valentini ynë i parë, ranë në ujë…

Desha ta mallkoja atë plakë, por, në çast, disi mu zbut zemra dhe u përmbajta, heshta në vete, por që zemra më dridhej.

Mbrëmë, në mbrëmje, më thirri i dashuri im që të dilnim. Por, edhe unë njëfarë dreqi jam dhe i thashë se, meqë nuk shkuam në Rugovë ku kishim planifikuar, nuk po më dilet më…

Ai, sado që u përmbajt, e kuptoi se më kishte lënduar shumë. Madje, më shumë se shumë…

E, a do të kem mundësi t’ia falë këtë lëshim, tash për tash nuk di… Por, nga dje ia kam marrë inati dhe një herë për një herë nuk dua ta shoh me sy…

Të dashurit tim, si duket, i ka mbetur ta festojë ditën e sotme, 15 shkurtin, ditën e beqarëve, Shën Faustinin, siç po i thonë… Për hajr i koftë! Anita /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË