Kosova edhe pas njëzet vjetësh lirie po përballet me shumëçka që të zhgënjen, me shumëçka që të dëshpëron…

Për shumëçka jemi vonuar, po vonohemi, po jemi të vonuar. Shumëçka ka qenë dashur e kanë qenë mundësitë për t’u kryer.

Por, neglizhenca jonë, lakmia për interesa më tepër personale, interesa për karrige, për pushtet, na ka penguar dhe nuk kemi arritur atë që kemi mundur ta arrijmë…

Për çudi, po e jetojmë një kohë, një përditshmëri, sikur asgjë s’po ndodhë dhe gjithçka po ndodhë…

Sikur asgjë s’po lëvizë a gjithçka po shkatërrohet…
Sikur s’po e shohim veten…
Sikur s’po dimë ta largojmë të keqen…
Sikur s’po dimë as çka po na duhet… As çka po na pengon… As çka a për çka kemi nevojë…

Shtetet lidere të botës, miket tona, na qëndruan afër edhe për këto njëzet vjet. Na përkrahën. Dhe, ende vazhdojnë të na përkrahin, të jenë me ne…

Po ne sikur s’duam ta përkrahim vetveten?!
Jemi bërë pikë e pesë!
Kemi bërë, krijuar njëqind parti! Secili duam të jemi lider, bajraktar…

Secili më i mençur se tjetri! Secili e mohon tjetrin. Secili mendon, pohon, thotë: Unë jam më i miri! Unë jam ai që i duhet këtij populli! Unë di ta udhëheq këtë vend e këtë popull!

Një fakt: Kaluan sot tre muaj prej kur u mbajtën zgjedhjet. Na lavdëruan ndërkombëtarët për zgjedhje të mira, të cilat kaluan me norma ndërkombëtare, pa asnjë incident…

Kaluan tre muaj nga zgjedhjet, por ç’bëmë ne?
E rritëm inatin ndaj njëri-tjetrit, mosdurimin e një partie ndaj partisë tjetër!

E rritëm lakminë për atë dreq karrige të pushtetit! E harruam votën për çka e qiti e dha populli…

Por, mos ta harrojnë edhe pyetjen që duhet bërë vetes: A do na e jep më populli votën dhe kujt do ia jep, po qe se vjen deri te zgjedhjet e reja?

E, populli i ngratë e i mirë duron, duron, duron…
Lufton e duron me problemet e ditës. Lufton e duron për kafshatë buke, për ekzistencë.

I duron fjalët e liderëve që s’duan të zbresin nga shkallët e skenës politike as pas njëzet vjetësh!

Duron t’i sheh ata për ditë me xhipa të zi, kurse populli ecë këmbë. Duron t’i sheh kah ngritin pallate…

Duron që i pashkolluari t’ia zë vendin e punës të shkolluarit, intriganti-intelektualit, amatori e i padijshmi-profesionistit…

Ndoshta mirë e ka miku im, i cili më thotë se unë jam bërë pesimist dhe se po i shikoj gjërat me sy tjetër.

Po, ç’të bëj unë? Janë sytë e mi! Sytë e mi shohin kështu. Jo që besoj, por po dëgjoj e ma thonë edhe jo pak vetë se kështu, si sytë e mi, po shohin edhe të tjerë, të shumtë…

E, ka sy që shohin se është mirë, se kurrë s’ka qenë më mirë, se çdo gjë është në rregull!

Ishalla është kështu, që të shohim të gjithë me ata sy!
Dhe, me ishalla populli e pret edhe sot takimin e Kurtit me presidentin Thaçi!

Është në pritje të së mirës. Në pritje të kërkesës: votuam për ndryshim!
Ishalla bëhet mirë! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË