Nuk ka ndodhur në asnjërën prej qeverive të deritashme që në fazën e formimit të qeverisë, partitë opozitare, të kenë qenë të gatshme ta ndihmojnë bllokun fitues për formimin e qeverisë.

Ramush Haradinaj deklaroi para ca ditësh, se është i gatshëm ta ndihmojë Albin Kurtin për formimin e qeverisë. Edhe Kadri Veseli e të tjerët nga PDK, kanë folur gjithashtu për ta ndihmuar mandatarin legjitimim ta formojë qeverinë, qoftë edhe duke i dhënë vota!

Kjo praktikë, nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani në fazat e formimit të asnjë qeverie, cilado që të ketë qenë ajo.

Albin Kurti, megjithatë është në një insistim koalicioni me LDK-në, por që nuk po mund të gjejnë formulën që jep epilog problemit të presidentit.

Për rrethanat tona politike, nuk është befasuese që këto dy parti nuk kuptohen, sepse gjatë mandatit të Isa Mustafës si kryeministër, deputetët e VV kanë bërë një mori sjelljesh të dhunshme kundër kryeministrit Mustafa, me të cilin kanë pasur më së shumti probleme.

Ndaj asnjë partie tjetër VV nuk ka bërë më shumë dhunë sesa ndaj Isa Mustafës, e këto probleme, dëshmojnë më së miri se dy partitë pretendente për ta bërë qeverinë, ende nuk i kanë shëruar plagët e vjetra.

Për më keq, LDK nuk qëndron as vetë në raporte të mira interne dhe kjo shihet nga reagimet që bëhen ndaj Vjosa Osmanit, që mezi ishte pranuar ta udhëheqte LDK në fushatë parazgjedhore.
Vjosa Osmani i ka kundërshtarët e vet edhe brenda partisë, por uniteti i kësaj partie kishte arritur të mbijetonte falë Isa Mustafës që vazhdoi në krye të partisë për të mirën e të gjithëve.

Albin Kurti, ka mundësi ta bëjë qeverinë edhe me partitë tjera që janë shprehur për të qëndruar në opozitë. Interesi i shtetit është tepër urgjent për formim qeverie dhe kjo duhet të ndodhë. /Safet Krivaca/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË