Pozitë e opozitë janë të pakoordinuara rreth taksës. Kjo është parë dje, në seancën e mbajtur parlamentare me temën duhet apo nuk duhet hequr taksa për Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, shkruan “Kosovarja”.

Nuk ka qenë e pakoordinuar vetëm opozita, në të cilën kundër taksës kanë dalë pothuajse gjithë të tjerët.

Por, e pakoordinuar dhe me dallime të mëdha është shfaqur blloku i pozitës. LDK-ja ka dalë me qëndrim pro heqjes së taksës menjëherë, ndërsa partneri i saj, VV-ja, ka dalë pro heqjes graduale të saj.

Sidoqoftë, asnjë parlament i deritashëm nuk ka qenë më i pakoordinuar rreth ndonjë problemi sesa tash për taksën.

Vetëm LDK-ja e PDK-ja janë deklaruar pro heqjes së taksës, duke u treguar pro ruajtjes së partneritetit me SHBA-të.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka shkuar edhe më larg se kaq, duke i dërguar, madje, letër edhe presidentit amerikan dhe sekretarit të shtetit, me aludimin se ai “është adresa e vetme”, te e cila duhet të zbarkojë politika amerikane!

E, në historikun e shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të ketë parlament më të përçarë sesa parlamenti aktual.

Qeveria Kurti nuk e ka miratuar akoma buxhetin e shtetit, e që është prioritet.

VV-ja, si duket, nuk po e miraton buxhetin, nga frika se mund të del nga koalicioni partneri i saj, LDK-ja.

E, LDK-ja zor se do të mund ta pranojë presionin amerikan për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit, si masë të deklaruar nga Kurti.

Megjithatë, nëse LDK-ja do të udhëtojë në këtë aventurë politike së bashku me Albin Kurtin, kjo parti do e humbë perspektivën e së ardhmes.

LDK-ja nuk guxon të lëshohet në politika aventureske me VV-në, për hir të pushtetit dhe lakmisë.

Kjo parti do të bëhej edhe më serioze për ta marrë pushtetin si e vetme, nëse tërhiqet nga koalicioni i gafeve të panumërta.

LDK-ja duhet të jetë e përgjegjshme, ashtu si deri më tani, për ndjekjen e diskursit të vet politik, e që është diskurs për shtetin.

LDK-ja, sidoqoftë, njihet si parti që ka pasur rol vendimtar në bërjen e shtetit, ndërsa VV-ja si parti që e ka vandalizuar shtetin.

Andaj, stafi qeveritar i politikës aventureske të VV-së, është mirë t’i korrigjojë politikat e bashkëpunimit me LDK-në, duke hequr dorë nga politika e letrave për liderët botërorë.

Kryeministri ka premtuar se do ta dëgjojë çdo deputet që thotë mendimin e vet për çdo problem, ndërsa dje ai nuk është parë fare në sallën e Kuvendit, gjatë vazhdimit të seancës plenare për temën më të rëndësishme të problemit Kosovë-Serbi! S. K. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË