Liderët e bllokut opozitar i kanë premtuar bashkëpunim kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit, shkruan “Kosovarja”.

Kadri Veseli ka pohuar se do e mbështet Albin Kurtin në çështjet e interesit nacional. E, po të njëjtën gjë ka premtuar, së fundi, edhe Ramush Haradinaj dhe pritet edhe përcaktimi i NISMA-së që ta bëjë të njëjtën gjë.

Blloku opozitar po ia ofron Kurtit atë që ai nuk ia pat ofruar PAN-it, edhe kur kjo e fundit detyrohej ta priste “Listën Serbe” nga Beogradi për ta bërë shifrën prej 61 deputetësh, aq sa ishte pragu për bërjen e qeverisë.

Në atë kohë askush nga opozita nuk kishte burrëri që t’i ofrohej Ramush Haradinajt e t’i konfirmonte mbështetjen, në mënyrë që qeveria të mos varej nga votat e Vuçiçit.

“Lista Serbe” qe faktorizuar tej mase, duke qenë komode në qeveri, meqë qeveria ishte në varësi të tyre për nga numri.

Prandaj, Ramushi dhe koalicioni PAN duhej ta falnin “Listën Serbe” për sabotimet dhe obstruksionet që ata i bënin shtetit të Kosovës si njerëz të Beogradit.

E, qeveria Kurti është në avantazh të jashtëzakonshëm, që nuk ka varësi nga “Lista” e Vuçiçit. Prandaj, 10 deputetët serbë nuk janë më faktorizues sikur ishin në Qeverinë e PAN-it!

Defaktorizimi i “Listës Serbe” do ta bëjë një trend të ri politik në Kosovë, që Rakiçët të mos jenë më të rëndësishëm për ecjen e shtetit përpara.

U kujtohet se kur u formua FSK-ja, ata nuk e votuan Ligjin për formimin e armatës së shtetit tonë, nga i cili shtet edhe marrinë paga të majme mujore!

Është i rrallë një rast si te ne, që 10 njerëz, e që i zgjedhë direkt Beogradi, ulen në Parlamentin e Kosovës për të punuar kundër shtetit të tyre, konkretisht në interes të një shteti tjetër!

Deklaratat e liderëve nga blloku opozitar në Kosovë, është mirë që nuk e kanë imituar Albin Kurtin, i cili as për interesa nacionale nuk ia zgjati dorën qeverisë së kaluar!

Sidoqoftë, opozitë e qeveri duhet punuar së bashku dhe ta përkrahin Albin Kurtin, pa marrë parasysh qëndrimet e tij personale dhe partiake dikur për ta ndihmuar PAN-in.

Gjithmonë ka nevojë që për projekte të interesit nacional Kosova të mos jetë Shqipëri, që ta kallë shtetin, por ta shtrijnë dorën e bashkëpunimit për të dalë më të fortë nga çdo problem që rrumbullakëson dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË