Këngëtari i njohur, Naser Mitrovica, nuk e harron Kosovën, ani pse ka vite që jeton në Gjermani, shkruan “Kosovarja”.

Jo që s’e ka harruar Kosovën, por as profesionin me të cilin është marrë më herët dhe ka bërë famë.

Përkundrazi, ai vazhdon, duke mos i devijuar vlerat dhe traditat prej kah kanë ardhur.

Ju kujtojmë se për brezin e viteve 80, emri i Naser Mitrovicës është shumë i njohur.

Në atë periudhë ishte këngëtar shumë i afirmuar, i dëgjuar dhe i përcjellë gjithandej, tek edhe sot dëgjohen me ëndje këngët e tij, të cilat kanë mbetur hite të paharruara.

Të rralla ishin ato mbrëmje muzikore e koncerte që organizoheshin e të mos merrte pjesë Naseri, krahas këngëtarëve të njohur të kohës: Danit, Sinan Vllasaliut, Afrim Muçiqit, Shkurte Fejzës, Shyhrete Behlulit, Remzije Osmanit, Vera e Sunaj Saraçit, e të tjerë.

Gjithashtu, vlen të përmendim se Naseri, si anëtar i ansamblit të RTP-së, ka pasur rastin ta përfaqësojë Kosovën në turne të ndryshëm, si në vend ashtu edhe jashtë. Pra, në shtete të ndryshme të botës.

Ai tash jeton në Gjermani me familje: bashkëshorten dhe tri vajza, dy prej të cilave janë me shkollim të lartë dhe punojnë.

Edhe atje, në diasporë, është i kërkuar dhe i angazhuar në dasma e ahengje të shumta familjare.

Këtë herë, me rastin e xhirimeve festive, në bashkëpunim me Produksionin “Labia”, vjen me këngën “Ti e lumtur”, të cilën keni rastin ta dëgjoni, e që, pa dyshim, do të jetë surprizë e këndshme jo vetëm për fansat e tij gjithandej. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË