Jo pak artistë nga Kosova jetojnë e veprojnë nëpër shtete të ndryshme të botës. Dhe, shumica prej tyre, jo që e kanë harruar Kosovën, por as profesionin me të cilin janë marrë më herët.

Përkundrazi, me këmbëngulësi e vazhduan, duke mos i devijuar vlerat dhe traditat prej kah kanë ardhur.

E, njëri nga ta është Naser Mitrovica, shkruan “Kosovarja”.

Pa dyshim, për brezin e viteve 80, emri i Naser Mitrovicës është shumë i njohur. Atyre u kujtohet nga se në atë periudhë ishte shumë i afirmuar, i dëgjuar dhe i përcjellë nga audienca e shumtë gjithandej.

Edhe sot këngët e tij të atëhershme dëgjohen me ëndje dhe këndohen nga këngëtarët e tjerë në dasma e ahengje familjare.

Të rralla ishin ato mbrëmje muzikore që organizoheshin e të mos merrte pjesë Naseri, krahas këngëtarëve të njohur të asaj kohe, siç janë: Dani, Sinan Vllasaliu, Afrim Muçiqi, Vera e Sunaj Saraçi e të tjerë.

Angazhimi i tij në muzikë është, kryesisht, kontribut i nënës së tij, meqë ajo e kishte shprehur dëshirën e saj të madhe që djali i saj të bëhej këngëtar.

Dhe, dëshirën e ëndrrën e saj e realizoi Naseri, i cili u bë këngëtar. Vokali i tij i veçantë dhe paksa oriental, bëri që krahas muzikës shqipe ta këndojë edhe këngën turke. Vlen të përmendet interpretimi i këngës “Mavi-mavi”, e cila e bëri edhe më të dashur e më të kërkuar në vend.

Ju kujtojmë se Naser Mitrovica kontributin e tij e ka dhënë në shoqërinë muzikore “Gerçek”, si dhe në ansamblin e RTP-së, tek ka pasur rastin ta përfaqësojë Kosovën në turne të ndryshme.

Ai sot jeton në Gjermani me familje: bashkëshorten dhe tri vajza, dy prej të cilave janë me shkollim të lartë dhe punojnë.

Naseri tashmë është bërë emër i njohur edhe në diasporë. Repertoari i tij i gjerë dhe i zhanreve të ndryshme e ka bërë që të jetë këngëtari më i kërkuar, sidomos në dasma e ahengje familjare.

Nuk janë të pakta këngët e tij të realizuara edhe me klip, të cilat i dëgjojmë në ekranet tona televizive, si kënga “Ma e mira nuse”, “Snapchat”, “E gabuar” etj.

Kënga e tij e fundit me titull “Nëna e fëmijëve të mi”, shumë shpejt u bë hit dhe shumë e pëlqyer nga adhuruesit e tij.

E, se është kështu, dëgjoni në vazhdim këngën e tij të realizuar së fundi… /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË