Koha ka bërë ndryshime dhe ato tashmë i kemi. Por, një ndryshim nuk është dashur të ndodhte në këto zgjedhje: Milaim Zeka të mbetet pa post deputeti, shkuan “Kosovarja”.

Do të jetë një mangësi e madhe pa Milaim Zekën në Kuvendin e Kosovës. Ai ka folur shumë, por edhe guximshëm.

I ka relaksuar deputetët në sallën e Kuvendit kur i kaplonte monotonia. Dhe, legjislaturë e strukturë më bajate Parlamenti ynë nuk ka pasur asnjëherë!

Kur binte monotonia, Milaim Zeka fliste pak me humor e më shumë përnjëmend. Milaimi ka qenë i vetmi zë që i ka dhënë frymë parlamentit.

Prandaj, do të ishte mirë që Milaim Zeka ta ketë një vend të rezervuar! Nuk po themi si “Lista Serbe”, mos keqkuptoni, por Milaimi ka folur shumë herë për do tema dhe procese që ua ka qartësuar njerëzve gjërat.

Milaim Zeka ishte i informuar për të gjitha, madje se çka ndodhte edhe pas kodrave. Andaj, në të ardhmen do të vërehet mosprania e Milaim Zekës në Parlamentin e Kosovës.

Prandaj, jo gjithnjë ndryshimet janë të duhura dhe të mira. Sjellin dikë që duhet, por edhe marrin edhe dikë që nuk duhet…

Duhanpirësi ndezë cigaren në midis rruge!

Të enjten, më 9 tetor, një burrë ecte rrugës para veturës sime. Në mes të rrugës ndalet për ta ndezur cigaren. Kishte vend në trotuar sa të duash, por ai qëndronte në mes të rrugës.

Çkllap e çkllap shkrepsës, por nuk i ndizej cigarja. Unë prisja në veturë që ai të kalonte në trotuar, por as që brengosej për pritjen time. Pas meje filluan veturat të fishkëllenin.

E hapa xhamin e veturës dhe e shikoja. Nuk i thashë gjë, por vendosa ta pres derisa t’ia qet tymin. Kur i doli tymi, i thashë:

“A t’u kall, bre?!”.

Ai nga habia tundi kokën se qenka ndalur në vend të gabuar dhe ia mbathi rrugës përpjetë.

Shihni ku i ka ardhur puna njeriut, thashë me vete. Është ndalur në mes të rrugës të ndezë cigaren, e nuk i bie në mend se pas tij është kolona e veturave…

Dhe, në çast mendja më vajti te babai im, e që e kishte marrë një fqinj i shurdhër në veturë. Babai ishte nisur për në shehër, e fqinji i shurdhër ia ndalë veturën dhe e merr me vete.

“Hip në kerr!”, i thotë ai.

Nisë veturën, por te shitorja e parë e ndalë, e fikë dhe del jashtë.

Kur hip përsëri, i thotë babait:

“Dil jashtë dhe shihe te qynga se a po qet tym a jo!”.

Babai del jashtë, e shikon qyngën dhe, kur e sheh tymin, afrohet e i thotë:

“Hys, qiti tym qynga!”.
Ai tek atëherë e kuptoi se vetura ishte e ndezur…

Kur qesh e qanë Shpend Ahmeti!

Shpend Ahmeti kur u bë kryetar i Prishtinës veç qeshte. Por, tash që nuk fitoi, nuk u pajtua me votat që i mori. Ai e fajësoi Ramushin se ndikoi negativisht në votat e tij! Demek, po të mos ishte në koalicion me AAK-në e Ramushit, Shpend Ahmeti do kishte fituar më shumë vota!

Shpend Ahmetit këtë herë nuk i ka qitur tym qynga e Hysit të shurdhër, e as e atij kalimtarit që ndalet në mjedis të rrugës të ndezë cigaren!

Kur ishte bashkë me Albin Kurtin, qante kur fliste Albini. E, kur nuk mori vota ia dha këngës “Asgjë nuk më ka mbetur; tash të gjitha i humba!”.

Për lotët e tij po e tregoj një batutë:

Kishte vdekur një burrë dhe, sikur ishte adet ta vajtonin vajtoret, e qojnë në qiell burrin e vdekur. Një burrë tjetër, që merre pjesë për herë të parë në një rast si ai, i thotë gruas:

“Nuk qenka keq të vdesësh, sepse a e sheh qysh ia kujtuan sa i madh paska qenë! Edhe unë kisha vdekur që tash, vetëm e vetëm t’më këndojnë siç po e këndojnë të vdekurin!”.

Gruaja i thotë:

“A po vdesë ti, e unë të këndoj!”.

Ai bien në shtrat, shtrihet si i vdekur, kurse gruaja nis ta këndojë e vajtoj:

“O njeri, ke qenë kështu e ke qenë ashtu… Na lë keq dhe nuk di çka bëjmë pa ty, çka bën populli pa ty!”.

Dhe, në sytë e tij gruaja i sheh lotët.

“Pse po qanë?”, i thotë ajo.
“Paskam qenë i madh, oj grua, e se paskam ditur!”.

Gruaja i bërtet:

“Qohu se kurrë nuk ke qenë askush, por kështu është adet me të kënduar kur vdesë”.

Pak fjalë për Fisnik Ismailin…

E lexova një reagim të ish-deputetit Fisnik Ismaili, në një postim drejtuar Zybës, ish-jaranit të tij…

Kur e lexova, Fisi më shkoi në nerva! Nuk është imponues dhe është i guximshëm, plus historia e tij e lavdishme e bëjnë Fisin të madh, vërtet, pa ironi.

Por, Fisnik Ismaili kur i shkroi Zybës, pak e teproi me fjalor. Dhe, mendja më shkoi t’i them: O Fisnik Ismaili, boll i madh je, por hiqe fjalorin banal nga shkrimet dhe bëhesh edhe më i madh!

“Më i keqi të vret! Më i keqi të rrahë!”, thotë populli. Andaj, kujdes se del dikush e ta jep një shpullë, të komprometon.

E, kur të shkruash pak më me kulturë, thuaj çka ke për të thënë, sepse dikujt nuk meriton me i kthye përgjigje fare, meriton ta injorosh…

Lavdi për luftën që ke bërë dhe për mosimponimin! Veç fjalorin banal hiqe dhe në rregull do jesh… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË