Kemi menduar se në Kosovë të gjithë dëshirojnë ta kenë statusin e të njohurit, por, në fakt, kjo nuk qenka edhe e vërtetë, sepse paska ende njerëz që e duan jetën e qetë dhe këtë e dëshmuan edhe të anketuarit tanë, shkruan “Kosovarja”.

Si duket, shumëkujt të qenit i famshëm e nervozon. Dhe, edhe pse një gjë e tillë duket e pabesueshme në këtë kohë kur shumëkush mundohet të bëhet emër, hasëm edhe në të anketuar që ishin kundër.

Ata me të cilët biseduam thanë se sot gjithkush po bëhet politikan, këngëtar, model, moderator…

Tash për tash shumëkush po arrin të bëjë famë me të dalë disa herë në televizion apo në portalet tona, e që askush nuk e di se sa është numri i tyre, sepse janë bërë shumë.

A është fama gjithçka?
Jo, tashmë disa nga të njohurit tanë janë neveritur nga emri, njohja, publikimi, edhe pse ende kanë mbetur të atillë që bëjnë çmos të ekspozohen!

Të vjen keq që aktorët tanë, të cilët në pamundësi që të realizojnë projekte të reja, më shumë rrinë në kafene sesa në teatër…

Çka u nevojitet fama? Madje, asgjë, meqë shumë prej tyre, në bisedat që i patëm, thonë se janë penduar që i kanë hyrë kësaj rruge…

Të vjen keq si këngëtarët vrapojnë pas organizatorëve për t’ua marrë paratë e premtuara. E, të mos flasim për manipulimet që bëhen me ta…

E, kur flasim për moderatorët e shumtë që janë, shumica prej tyre më shumë përkujdesen se si të duken bukur, sesa që kujdesen të lexojnë mirë dhe pa gabime!

Dhe, ç’mendojnë ata që nuk janë të famshëm?

Ahmet Gashi, shitës ambulant:
– Unë tërë verën pjek shtalba, në vjeshtë dhe në fillim të dimrit pjek gështenja dhe me ato pak para që fitoj mbaj familjen time.

Nuk më duket interesante jeta e politikanëve, e të mos flasim e këngëtarëve tanë, të cilët, edhe pse nuk jam kompetent të jap vlerësime, shumica prej tyre s’kanë haber me këngën!

Jam i kënaqur me punën që bëj. Nuk kam shumë para, por jam i ndershëm. E, kjo për mua ka rëndësi. Paranë e fitoj me djersë, e jo siç bëjnë shumica me dallavere.

E, jeta e tyre është me shumë telashe. Martohen për interes dhe pas një kohe ndahen. Jeta e tyre është valë-valë, sikur në filma…

Mua nuk më pëlqen ashtu, andaj edhe nuk ua kam lakmi. Nuk dua të jem si Adrian Gaxha, nuk dihet a është mashkull a femër!

Vesa Misini, shitëse në butik:
– Jeta e artistëve dhe e politikanëve në Kosovë nuk më pëlqen fare. Te ne ka pak prej atyre që, vërtet, e meritojnë të quhen artistë.

Tashmë të gjithë e dinë se si shkon puna të bëhesh artist. Sepse, sot në Kosovë gjithkush mund të bëhet figurë e njohur publike!

Ai a ajo që ka pak para dhe ka ndonjë të njohur, bën emër menjëherë!

E, unë fle qetë dhe bëj punën time, pa e munduar kokën, sepse nuk e lejoj askënd të merret me mua dhe të bëjë thashetheme…

Por, ajo që më pëlqen te artistët tanë, sidomos te artistet, është stili i veshjes.

Arsim Dalipi, kamarier:
– Po bëhen 5 vjet që punoj kamarier dhe që nga fillimi më ka pëlqyer kjo punë, ani pse e kam të kryer fakultetin, degën e historisë.

Asnjëherë s’kam menduar të kyçem në ndonjë parti politike dhe të bëhem figurë publike. Nuk më pëlqen jeta e figurave publike.

Ka shumë aktorë e këngëtarë tanë që i thonë vetes se janë VIP, kurse pjesën më të madhe të ditës e kalojnë me një makiato para vetes, ndërkaq shesin mend para të tjerëve se janë dikush!

Ose, edhe politikanët tanë… Posa bëhen ministra korruptohen aq shumë sa nuk ia dinë skajin pasurisë së tyre.

Andaj, më mirë që punoj kamerier dhe e fitoj paranë me djersë, sesa të jesh ministër i korruptuar! Burim Bajrami /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË