Inxhja Furtuzë, për ta eliminuar përlarjen në shtëpi, i kishte thënë djalit në Zvicër që të vinte në shtëpi se familja nuk po rrinë rehat. Kur vjen i biri në pushim tërë shtëpia ishte kallur flakë dhe djali i kishte propozuar të ndahej familja. Por, inxhja Furtuzë e kishte gjetur zgjidhjen, shkruan “Kosovarja”.

“Jo bir, i kishte thënë atij, kjo punë kollaj zgjidhet veç do pak t’më dëgjosh”.

“Fol nënë!”, i kishte thënë i biri.
“Sillmi tre ajfona nga Zvicra dhe unë bëj zgjidhje!
Nuk ka me u dëgjua zëri në shtëpi kurrë më!”.

Me t’u kthyer i biri në Zvicër, ia dërgon nënës tre ajfonë dhe ajo tri nuseve ua jep nga një.

U gëzuan nuset sa nuk bëhet dhe nisën t’i mësojnë e hulumtojnë gjërat. Dhe, pushoi “zjarri” e përlarja në shtëpi, sepse ditën tashmë e kalonin duke shkruar sms e duke komunikuar me të afërmit e tyre…

Si e qetësoi shtëpinë Inxhja Furtuzë?
Inxhja Furtuzë, pra, sa mbyllë e hapë sytë e qetësoi shtëpinë. E pyeti i biri nënën se çka iu deshën tre ajfonë dhe ajo i tha:

“Kur të vish në shtëpi e sheh vetë se sa shumë ka pasur shtëpia nevojë për ajfonë… U ndalën përlarjet dhe nuk dëgjohet më asnjë zhurmë!”.

Pra, Inxhja Furtuzë e qetësoi shtëpinë… Por, a do ta qetësojë shtëpinë e vet, pra Kosovën, edhe Hashim Thaçi, të cilit, si duket, i ka humbur udha në oborr, siç thuhet në popull.

Vesi i vjetër
Në një mëhallë kishte qëlluar një burrë që tërë natën i binte çiftelisë dhe këndonte. Ua prishte rehatinë tërë mëhallës.

Një ditë, njërit i vjen një ide: Merr një deng para dhe i troket në derë… Kishte menduar se këngëtari si t’i merr paratë i hyn në kokë ideja si t’i shpenzojë dhe çka të bëjë me to dhe do e lë çiftelinë…

“Merri këto para, he burrë, se ndoshta të duhen!”.
Dhe, për një javë u ndal kënga e çiftelia. U qetësua mëhalla prej këngës. Flinin njerëzit qetë…

Një natë burri i thotë gruas: “Kemi bërë para mjaft dhe do blejmë këtë e atë…”.

Gruaja nuk pajtohej.
Jo, i thotë, shtëpisë i duhet kjo e ajo…

Dhe, kështu lind përplasja në shtëpi. Burri nga inati merr dengun e parave dhe ia gjuan në shtëpi atij që ia kishte dhënë.

“Ja paratë tua, zotëri, më ke nxjerr punë me to, për pak s’u ndava me gruan!”.

Pasi u kthye në shtëpi nisi zanatin e vjetër… Këngën me çifteli. S. Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË