Me kthimin e 32 grave nga Siria, në Kosovë shpërtheu debati për burkën.

Për veshjen që mbulon gjithë fytyrën e një gruaje, përveç syve, ka interpretime të ndryshme.

Në shumë shtete të botës një grua që del nëpër vende publike me këso veshjeje gjobitet deri në qindra euro, në vendin tonë gra me burka sheh në rrugë, sheshe, dyqane e së fundmi gratë e riatdhesuara u paraqitën ashtu edhe në gjykatën e Prishtinës.

Por, a është kjo kulturë e islamit tradicional në Kosovë? A duhet lejuar burka në vendin tonë? A ka kapacitet shteti t’i riintegrojë në shoqëri këto gra?

Në një intervistë përgjigjet profesori universitar, Milazim Krasniqi.

Profesori universitar dhe publicisti, Milazim Krasniqi, thekson se me kthimin e 110 kosovarëve nga zonat e konfliktit të Sirisë shteti ynë ka përmbushur një obligim ligjor.

Ai përmend se shteti duhet të punojë me kapacitete të plota, për rehabilitimin e tyre psikik e shëndetësor.

Për shkak të tolerancës ndërfetare që e karakterizon Kosovën, profesor Krasniqi beson se “kemi kapacitete për rehabilitimin dhe riintegrimin e këtyre njerëzve”. Ai konsideron se edhe gratë që shkuan në Siri janë viktima.

“Stigmatizimi duhet të përjashtohet, pasi që ata fëmijë dhe ato gra realisht janë viktima”, thotë Krasniqi.

Gjatë kësaj interviste Krasniqi flet edhe për paraqitjen e këtyre grave me burka. Thotë se burka nuk ka vend në sferën publike.

“Pra, duhet të thuhet qartë se burka nuk ka të bëjë as me islamin tradicional e as me islamin në përgjithësi… Njeriut të cilit nuk ia shohim fytyrën, nuk dimë as si ta respektojmë”, thekson profesori.

Ai porosit që rrëfimet e të kthyerve nga Siria duhet të shërbejnë si mësim për secilin individ që të mos i shkojë mendja për pjesëmarrje në luftërat e huaja.

Intervista e plotë:

Pati shumë reagime se riatdhesimi i dhjetëra personave nga Siria mund të paraqesë rrezik për vendin. A qëndron kjo?

Krasniqi: Në rastin e riatdhesimit të atyre personave, shteti ynë e ka përmbushur një obligim të shtetit ligjor dhe një aspekt humanitar të dimensionit të vet si shtet ligjor.

Të kthyerit, shumica fëmijë e gra, faktikisht kanë qenë edhe vetë viktima të aventurizmit fatal të disa njerëzve kokëkrisur e fanatikë, që kanë marrë në qafë veten dhe familjet e veta.

Pas kthimit të tyre, tash shteti duhet të punojë me kapacitete të plota, për rehabilitimin e tyre psikik e shëndetësor dhe për riedukimin e tyre ideologjik, kulturor, kombëtar e fetar.

Vendosmëria e treguar në këtë fazë fillestare e institucioneve tona shtetërore, është dëshmi se mund të realizohet ky objektiv, ku natyrisht përfshihet edhe adresimi ligjor i përgjegjësive penale të të gjithë atyre që kanë qenë aktivë në veprimtari të paligjshme, duke përfshirë me prioritet aktivitetin eventual terrorist.

Pra, kur ka vullnetin e nevojshëm, shteti ka edhe kapacitetet e duhura për ta menaxhuar këtë problem.

Gratë e kthyera nga Siria vazhdojnë të mbajnë burkat, a është kjo kulturë e islamit tradicional në Kosovë?

Krasniqi: Burka ka të bëjë me veshjen paraislame të banorëve të shkretëtirës, si pjesë e mbrojtjes nga stuhia ranore. Pra, faktikisht nuk ka të bëjë me islamin po me njerëz që jetojnë në ato hapësira dhe në kushte ekstreme të motit. Fatkeqësisht, ia kanë ndajmbathur fesë, por nuk është pjesë e saj.

Forca me prirje primitive patriarkale e maskuliniste, pa vokacion të sinqertë në islam e pa njohuri të vërteta për Islamin, e kanë adoptuar si gjoja pjesë e veshjes në Islam, duke i shkaktuar dëm fesë, me atë formë skllavërimi kulturor të femrës.

Sigurisht që ka edhe sot jo pak kuazidijetarë që tentojnë ta paraqesin si pjesë e veshjes në Islam, por ata spekulojnë, mashtrojnë.

Pasojë e mashtrimeve të atyre rrymave dogmatike është edhe gjithë ajo tragjedi e luftërave vëllavrasëse në Siri, në Irak, në Jemen e gjetkë në vendet arabe.

Pra, duhet të thuhet qartë se burka nuk ka të bëjë as me islamin tradicional e as me islamin në përgjithësi.

A duhet lejuar burka, ose a duhet bërë ligji që e ndalon burkën, siç ka ndodhur në vendet evropiane?

Krasniqi: E para, duhet të punohet me komunitetin që të shpjegohet se kjo lloj veshjeje nuk ka të bëjë me islamin, po është një traditë arabe dhe paraislame. Debatet duhet të jetë qëllimmira e jo denoncuese, sepse kur janë denoncuese fusin më shumë frikë e pasiguri dhe i barrikadojnë njerëzit në istikamet e tyre.

E dyta, zgjidhjet ligjore duhet të jenë të tilla që të afirmojnë lirinë e individit, në harmoni me vlerat kulturore, shoqërore e të kohës në të cilën jetojmë. Në këtë sfond, sinqerisht besoj se burka nuk ka vend në sferën publike.

Nuk është fjala domosdoshmërisht për aspekte të sigurisë, po për respektimin e dinjitetit njerëzor, për respektimin e femrës. Njeriut të cilit nuk ia shohim fytyrën, nuk dimë as si ta respektojmë.

A ka Kosova kapacitete të mjaftueshme për riintegrimin e tyre në shoqërinë kosovare?

Krasniqi: Shoqëria jonë në traditat e saj dhe në themelet e saj është tolerante, pasi ne shqiptarët jemi një komb me besime të ndryshme fetare, por që bashkëjetojnë në harmoni me shekuj.

Prandaj, besoj se në shtetin tonë dhe në shoqërinë tonë kemi kapacitete për rehabilitimin dhe riintegrimin e këtyre njerëzve. Stigmatizimi duhet të përjashtohet, pasi që ata fëmijë dhe ato gra realisht janë viktima.

Bile, tregimi i tyre i hidhur, i fëmijëve të mbetur jetimë dhe i grave të abuzuara, do të duhej të shfrytëzohej si mësim për të gjithë të tjerët që të mos u shkojë mendja kurrë më, që t’u hyjnë aventurave të rrezikshme e fatale.

 

 

MUND TË JU PËLQEJNË