Sa lexojnë kosovarët, është pyetje shumë me vend, sidomos tash, kur nuk sheh njeri me gazetë a libër në dorë, shkruan “Kosovarja”.

Askush nuk di saktë, por duke ditur si janë ndarë rinia shkollore me testin botëror të dijes PISA, konstatimi del se kosovarët janë larg rrjedhave të informacioneve që kanë rëndësi jetike për vendin, popullin dhe proceset.

Kjo e fundit e ka një lidhshmëri ndërkombëtare, ku çdo gjë varet nga çdo gjë tjetër…

Shkalla e lexueshmërisë në Kosovë del vetëm në shkrimet që kanë të bëjnë me naivitetet dhe gjestet pa lidhje që nuk qojnë peshë për asgjë, pos për një të qeshur!

Kur ndodh ta gjeni Linda Morinën, qoftë me një “pacerrkë” në dorë duke u larë, apo edhe duke hyrë në kolibe të qenit, a duke rrahur defin vend e pa vend, shpërthejnë klikimet dhe vizitat, komentet dhe leximet!

Kjo i josh njerëzit tanë si një argëtim dhe ua freskon zemrat kosovarëve!

E, kur ndodhin ngjarje jetike, si, për shembull, deklaratat e shteteve më të forta ekonomike në botë, pra QUINT-it për kërkesa ndaj Kosovës, pak kush lexon për këtë ngjarje shumë të madhe!

Kot shkruhen, për shembull, shkrime për rrezatimin e Çernobilit të dytë, sepse ato nuk i lexon askush! Apo për incidentin e aviacionit RUSI-NATO, prej nga mund të shpërthejë lufta e tretë botërore! Pak ose fare pak lexohet shkrimi nëse një serb e pranon publikisht se Trepça është e Kosovës!

E, të mos flasim për shkrimet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme, e që ende pa ndodhur ato ka filluar fushata parazgjedhore dhe duke premtuar e premtuar…

E, çka i josh te ne lexuesit?

I josh nëse shihet një nuse që bie në ujë derisa bën selfie!

Pra, te ne lexohen ato shkrime që dominohen nga fotot skandaloze…

Kur do të qaset lexuesi ynë dhe rinia shkollore e studentore në rrjedhat e jetës globale, pjesë e të cilave jemi edhe ne?

Askush s’e di! Kjo do të varet edhe nga fakti se kush do të vjen në krye të qeverisë, e cila do ta ketë prioritet shkollimin, edukimin dhe kulturën e leximit, si kritere për ta ngritur dijen.

Rinia jonë shihet më së shumti me telefon në dorë dhe aty e gjen kënaqësinë, natyrisht me përjashtime, sepse kemi edhe të rinj të mirë…

Andaj, ajo që i mungon rinisë sonë është leximi i librit dhe zgjedhja e temave kualitative prej nga mund të bëhen ata edhe më të mençur. S. K. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË