“Tetëmbëdhjetë çnjohje të shtetit të Kosovës kanë ndodhur deri më tani”, ka thënë Ivica Daçiçi, shef i politikës së jashtme të Serbisë, kurse diplomacia kosovare heshtë, shkruan “Kosovarja”.

Siera Leone është shteti i fundit që ka hequr dorë nga njohja e Kosovës.

Përtej kësaj, Serbia e ka gjetur çelësin real për çnjohjet e Republikës së Kosovës. Ajo lobimin e vet e ka orientuar në lutjet dhe propagandën shtetërore te njohësit e pavarësisë së Kosovës, duke i mashtruar kinse Serbia e Kosova janë në dialog për statusin e Kosovës dhe, pasi të arrihet një marrëveshje, çdo shtet e vlerëson vendimin për njohje apo çnjohje.

Dhe, platforma e Serbisë për këtë lloj fushate të suksesshme propagandistike kundër Kosovës po kalon heshtazi nga politika e jashtme e Republikës së Kosovës!

Ministria e Punëve të Jashtme duhet të arrijë ta kuptojë praninë e Serbisë te cilido shtet që e ka shtrirë lobimin për tërheqjen e njohjes.

Aty Kosova edhe duhet ta ketë ndikimin e vet, duke ua shpjeguar gjërat.

E, për këtë gjë, pa dyshim, duhet koordinim edhe me SHBA-të, të cilat mjaftojnë ta bëjnë një telefonatë për të mos ardhur te çnjohjet e Kosovës, nga cilido shtet që e ka pranuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Por, mosunifikimi i spektrit politik kosovar, po i prodhon pasojat e para në dëm të shtetit.

Qeveria e përbërë nga dy parti politike nuk i bie gozhdës në një vend! Opozita, po ashtu, janë bërë pikë e pesë!

E, kjo jep të kuptohet se Serbia po e shfrytëzon përçarjen e shqiptarëve të Kosovës, por që është zgjeruar pak a shumë edhe mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Punën e përçarjes po e ndihmojnë edhe disa medie, të cilat pak a shumë po shihet se ujin po e qojnë gjithkah tjetër, por jo edhe në favor të mullirit të Kosovës.

Diplomacia SHBA-BE janë kah e shohin këtë përçarje, si diçka që u jep atyre të drejtën për të ndërhyrë me synimet dhe vendimet e veta rreth Kosovës.

E, me kë të flasë diplomacia euro-amerikane? Albin Kurti i qon letër të gjatë Trampit, presidentit të SHBA-ve, duke treguar adresën kompetente për bisedime!

Ndërkaq, Hashim Thaçi mban një qëndrim tjetër, e Ramush Haradinaj kërkon mospezullimin e taksës!

Në anën tjetër, Isa Mustafën nuk e pyet partneri për asgjë! Dhe, krejt kjo, kur hyn në bilanc diplomatik, politika zyrtare e Kosovës është tërësisht në aut!

Andaj, liderët e spektrit politik të Kosovës, pa marrë parasysh kush është në pozitë e kush në opozitë, duhet të heqin dorë nga politika e inateve dhe të ulen në tryezë të përbashkët, në të mirë të shtetit dhe popullit.

Liderët kosovarë duhet të mos e shohin pushtetin kur është në pyetje shteti. Pushtetin gati të gjithë e kanë shijuar. Ka mbetur ta shijojë edhe Albin Kurti, e që veç e ka bërë një muaj qeverisje dhe akoma nuk e ka miratuar buxhetin, pra bukën e popullit! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË