Populli nuk hanë asfalt, e që qeveritë janë dhënë pas autostradave, por hanë bukë, si tërë bota. Në furra buke është në modë të kërkojnë bukë të vjetër, sepse kushton më lirë, por e keqja është se duhet zgjuar herët për ta gjetur atë. Dhe, konkurrenca për “bukën bajate” po rritet çdo ditë e më shumë, falë skamjes që e ka përfshirë popullin tonë, shkruan “Kosovarja”.

“Populli nuk hanë asfalt!”, kështu pat thënë në një emision televiziv profesori i nderuar, Musa Limani, njohës i mirë i ekonomisë dhe anës sociale.

S’kishte faj ai, sepse Qeveria po lavdërohet me asfalte, por buka askund! Për ta bërë këtë më përmbajtësore, të hënën që shkoi, derisa vija në Redaksi, një vajzë rreth 10 vjeçe, afër Shkollës Teknike në Prishtinë, më drejtohet me fjalët:

“Axhë, a bën me të pyet diçka?”.

“Po, fol!”.

“A e di cila furrë jep bukë të ftohët? Bukë që ka mbetur nga dje, sepse kushton më lirë?”.

Dhe, pas atyre pak fjalëve, një valë djersësh ma kapluan trupin. M’u kujtuan fjalët e profesor Musa Limanit se populli do bukë, nuk hanë asfalt.

Fjalët e Migjenit: “Bukën tonë të përditshme falna sot”, janë shumë aktuale edhe sot…
Prandaj, jepna Zot durim…

Kanceri i quajtur stres!
Udhëtimin tonë nëpër të këqija e ngarkon edhe një e keqe, kanceri i shekullit XXI. Emri i këtij kanceri quhet STRES. Secili ankohet se stresi është bërë pjesë e jetës së gjithsecilit.

Ndoshta nuk kanë faj, sepse nuk kanë bukë. E, kur njeriu nuk ka bukë, nuk ka si të mos ketë stres…

Shkojnë një çift bashkëshortësh kosovarë në Gjermani te i biri. Plaku 80 vjeç, gruaja 78 vjeçe. Me të shkuar te djali, shokët e miqtë e tij nisën t’i vizitonin mysafirët nga Kosova, plakun dhe plakën.

Shkon shoku i parë i djalit dhe, sikur është rendi, fillon biseda me përshëndetje.

“Si jeni me familje?”, pyet plaku shokun e djalit.
“Mirë, por na mbyti stresi. Që në mëngjes më ka thirr shefi në telefon. E kishte kapluar stresi më shumë se mua dhe më tha:

“Eja në punë se jam stresuar! Ta kryejmë sot punën e nisur dje se po më streson”.

Vjen në banesë një mysafir tjetër i djalit, për t’i vizituar prindërit e tij që kishin ardhur nga Kosova.

“Si jeni axhok, a jeni mirë andej nga Kosova? Më ka marr malli të shoh plak me plis, se plisin e ka bartë babai im, ndjesë pastë.

Jemi rritur në skamje, por edhe këtu nuk është jetë. Çfarë jete është kjo kur të del gjumi në orën 3 para mëngjesit e nuk mund të flesh nga stresi?

Në Kosovë, shyqyr Zotit, nuk keni stres dhe nuk e dini çka është ai… Armiku më i madh i njeriut ish stresi e nuk e kishim ditur deri tash… As nuk ishte i keq kanceri, as damlla… Por, stresi…

Ju atje nuk stresoheni, me siguri, se jeta nuk është sikur këtu dinamike”.

“Jo, i thotë plaku. Shyqyr, mirë jemi, nuk ka ardhur te ne ende kjo sëmundje. Po, prej cilit vend në Kosovë je ti, o burrë?”, ia kthen plaku.

“Jam djali i Hetemit, prej Ferizajt, e qe tridhjetë vjet jam këtu, në shtet të huaj”.

“Hetemin e kam njohur mirë. Ka qenë i dobët nga shëndeti, e ti qenke trashë shumë. Si mos të ishe i atij burri, he Zoti të bekoftë!”.

“Nuk e kam këtë trashësi prej shëndetit, por prej stresit!”, i përgjigjet ai.

Vjen tjetri pas një kohe dhe po të njëjtat fjalë: “Mbaruam, mos pyet, jemi të gjithë të sëmurë në këtë vend të mallkuar! Këtu mos kërko njeri të shëndoshë se nuk ka. Të gjithë jemi për spital. Stresi na mbyti.

Edhe mua më ka përfshi, nuk ka vend që nuk më dhemb. Këtu është vend në të cilin askush nuk flet tjetër gjë pos për punë. Këtu nuk dinë çka janë këngët për Mujin e Halilin, as këngët që i këndonim pas darke kur shkonim te njëri – tjetri.

Këtu është moza më keq, e veç ne, shqiptarët, e kemi kaluar jetën këtu. Nesër, axhok, ti mbetesh vetëm, se këtu shkojnë në punë të gjithë. Ti mbetesh vetëm me kamish e duhan”.

Dhe, të nesërmen ndodhi ashtu, si i tha i biri i Hetemit: plak e plakë fillikat vetëm! Në ato çaste plaku i thotë plakës:

“Sa të vijë djali ka me na dërguar në aeroport dhe do të kthehemi menjëherë në shtëpi…”.

“Pse? A je në vete? Dje kemi ardhur e sot të ikim?! Marre prej djalit të kthehemi menjëherë”.

“Të ikim sa nuk na ka zënë sëmundja që e paskan këta, se kish rënë këtu njëfarë sëmundje që po i thoshin STRES dhe krejt po i mbyste me rend!

Cilido që qe mbrëmë ishte i sëmurë nga STESI. Prandaj, të ikim plakë më mirë në vendin tonë, se atje ende nuk ka ardhur kjo dreq sëmundje…”.

Vakti e hanë kashtën!
Por, ka edhe më keq se stresi. Ka gjëra që e bëjnë njeriun të padinjitetshëm, apo, më mirë të thuhet, që e zhveshin njeriun nga çdo lloj krenarie njerëzore që i takon.

Një burri ia kishte grabitur gruan shoku i ngushtë. I dëmtuari i kishte tubuar shokët që ta lusin t’ia kthente gruan hatri i fëmijëve…

Shkojnë disa shokë te ai dhe ia qajnë hallin… Në dhomë hyn nusja e re dhe u thotë burrave:

“Unë isha kthyer hatri i fëmijëve se jo që ka mbetur aty dashni më prej kur më ka bërtitur! Por, me një kusht: Nëse kurrë nuk ma përmend se kam shkuar me filanin e fistekun, sepse unë i kam të drejtat e mia”.

Ngrihen burrat dhe shkojnë e ia thonë kërkesat e gruas.

“Po, si jo, kurrë më nuk kam për të folur. I thoni se kurrë më nuk e hapi gojën. Kam me e mbyll me dry! Të gjitha kompetencat ja lë asaj: edhe rrogën ja lë asaj, edhe vendimet që duhen të merren i pastë ajo prej momentit kur të kthehet. Fare nuk është ndonjë problem, pos të kthehet pranë fëmijëve”.

Pastaj, shokët ia sjellin gruan. Njëri prej shokëve i thotë:

“A nuk të erdhi turp, bre, ta kthesh gruan që ta ka mbajtur shoku yt dy muaj?! Hej, dy muaj bëjnë gjashtëdhjetë ditë!”.

“O shoku im, a po e sheh çka më ka gjetur mua me këtë djall, ma morën e ma kthyen. A të dal e ta vras shokun e t’i marrë 20 vjet burg, a? Prandaj, e mbyll gojën.

Më keq se në këtë pozitë që kam ardhur nuk ka ku të shkojë e të flas më nuk më ka mbetur, prandaj edhe nënshtrohem para saj. Fëmija e kanë nënë dhe le të jenë pranë saj se nuk thonë kot “vakti e han kashtën”.

Prandaj, ka edhe më keq se kaq… Nëse gruaja arrin të njoftohet me ndonjë polic, edhe të rrahë polici edhe ta merr gruan! Bile, as që ta kthen më!”. Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË