Kosova ka vendosur të anulojë të gjitha fluturimet që vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se këtë rekomandim emergjent e kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane për Italinë veriore.

Sot Italia vendosi në karantinë rreth 16 milionë banorë për shkak të koronavirusit.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si reflekcion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”, ka shkruar në Facebook Abdixhiku.

MUND TË JU PËLQEJNË