Gjithçka nisi në vitin 2005. Në pjesën juglindore të Prishtinës (Mati 1) nuk do të mbizotëronte më qetësia, e cila më parë ishte në këtë pjesë të qytetit.

Ndërtimi i banesave kishte filluar dhe që nga ai vit deri në ditët e sotme, banorët e kësaj lagjeje nuk kanë pasur qetësi. Janë dëgjuar vetëm punëtorë, të cilët punonin, këndonin, bërtisnin e sikur kjo të mos mjaftonte, e gjithë kjo zhurmë po shoqërohej me krismat e çekanëve, me lëvizjet e kamionëve, të cilët po e zinin çdo hapësirë të rrugëve duke e bërë të pamundur kalimin e banorëve të lagjes.

Jeta e banorëve të vjetër të kësaj lagjeje po shndërrohet në jetë burgu duke i lënë ata pa zgjidhje. Ndërtimi i banesave po ia kufizonte atyre çdo ditë e më shumë daljen nga shtëpitë e tyre. Çdo banor i kësaj lagjeje do të jetë i detyruar që pronën e vet ta lëshojë për ndërtim të banesave, pasi që të gjitha shtëpitë gjithmonë e më shumë po shkatërroheshin për këtë qëllim.

Të mërzitur dhe pa zgjidhje të tjera

I ulur në oborrin e tij, nën ndriçimin e rrezeve të diellit, me banesat e ndërtuara përballë shtëpisë së tij, në të cilën po e shikonte gjendjen ku kishte ardhur pjesa në të cilën banonte, Ramadan Sejdiu, banor 73 vjeç i lagjes, tha: “Kemi mbetur si në burg, në të cilin edhe lëvizjet po na kufizohen”. Pikërisht kështu filloi të tregojë për gjendjen në të cilën kishin ardhur. Ai jeton pothuajse qe 30 vjet në lagjen Mati 1.

Kur familja Sejdiu kishte ardhur në Matin 1 për të banuar, aty kishte numër të madh të shtëpive, ndërsa objekte të banesave apo ndërtime të tyre nuk kishte pasur. Sot, në këtë pjesë kanë mbetur vetëm pesë shtëpi në njërën anë, ndërsa përballë tyre janë banesat, të cilat e kanë mbuluar edhe depërtimin e rrezeve të diellit në shtëpitë e mbetura. Edhe këto shtëpi të mbetura do të shkatërrohen për ndërtime të banesave.

Derisa mbesa e Ramadanit, Lisa, e ngiste biçikletën në një ballkon me hapësirë mjaft të madhe, të rrethuar me rrethoja të kuqe, ai e çoi shikimin e tij lart, duke thënë: “Qe, i kam edhe nipat dhe mbesat, të cilët nuk po kanë ku të dalin me lujtë. Më herët në lagje nuk ke mundur me dalë pa i parë fëmijët duke luajtur, sot ne as nuk po guxojmë me i lanë me dalë për shkak të rrezikut të ndërtimit të banesave”.

Vazhdoi, duke i buzëqeshur mbesës së tij: “Po mërzitemi ne pleqtë e le ma fëmija”, tha ai. Por arsyeja pse shtëpia e tij duhet të jepet për ndërtimin e banesave ishte se përballë shtëpisë së tij kishte filluar ndërtimi i një ndërtese të re. Edhe fqinji në anën e djathtë të shtëpisë së tij ishte duke u bartur diku tjetër, e pronën e tij po e lëshonte për ndërtim të banesave. “Veç na me nejt këtu nuk mundemi, edhe rrezet e diellit kanë filluar të mbulohen nga këto ndertime”, shtoi ai.

Me fytyrën e mërzitur, teksa lëvizte duart gjatë tërë kohës dhe fliste me ne, përfundoi duke thënë se po kanë nevojë për lëvizje e për shkak të moshës, nuk po mund të shkojnë larg, përveç pjesës afër shtëpisë. Ramadani tha se tani nuk po kanë ku të dalin pasi të gjitha hapësirat në të cilat kanë dalë më herët janë zënë nga ndërtimi i banesave. Familja e tij vetëm po shpreson se do të bëhet mirë, edhe pse plaku përfundoi duke thënë: “Shumë vështirë me u bo mirë këtu najherë”.

Plani i ndërtimeve të banesave në Matin 1

Zyra e arkitektit Fatos Tahiri, i cili merret me ndërtimin e banesave në Matin 1 dhe i cili punon për kompaninë “Premium Eng”, ishte e rrethuar me plane të ndërtimeve të banesave. Këso planesh kishte edhe në kompjuterin e tij, në të cilin punonte vazhdimisht. Në anën tjetër kishte stilolapsat e identifikuar për çdo vijë që do t’i përdorte në projektin e ardhshëm. “Në të kaluarën nuk janë shikuar shumë rregullat se sa hapësirë duhet të ketë për garazhat, parkingjet, depot, shkallët, pjesën e ashensorit, mirëpo tani për të gjitha këto është një hapësirë e caktuar”, tha ai.

Në projektin e “PremiumEng” ka pasur dy kate garazhe, në të cilat janë 17 parkingje, ndërsa gjithsej janë 49 banesa. Janë më shumë se që lejohet me ligj, mirëpo kjo prapë nuk është e mjaftueshme për shkak të interesimit të madh. Mati 1 njihet si hapësirë për çmime më të ulëta të banesave sesa pjesët e tjera të Prishtinës. Çmimi më i lartë për banesa në Matin 1 është 900 euro për metër katror.Për banesat e para, që ishin ndërtuar në Matin 1, kur e kanë bërë projektin për të ndërtuar dy kate garazha, nuk e kanë thelluar sa duhet banesën dhe katin e parë të garazhave e kanë bërë me lokale. Ai është dashur të jetë hapësirë për garazha, thotë Fatos Tahiri.

Sipas projekteve të ndërtimit të banesave në Matin 1, ndërtimet duhet të ndërtohen me sipërfaqe të lirë prej 0,4x, ndërsa lartësia e tyre duhet të jetë së paku 3 metra, mirëpo kjo varet edhe nga përcaktimi i tipit të mbulimit të banesave. Nëse ka hapësirë për ndërtim të banesës vetëm 80 metra, maksimumi i gjatësisë së ndërtesës duhet të jetë 50 metra. Sipërfaqet për parking dhe garazha janë të lejuara vetëm brenda sipërfaqes së zonës. Sipërfaqet e parkingut duhet të mbajnë distancë prej së paku 1 metër nga zona e transportit publik.

Mati 1 para disa vitesh, kur nuk kishte ndërtime të larta

Garazhat duhet të kenë hyrjen prej së paku 5 metrash në zonën e transportit publik, ndërsa oborri i banesave duhet të jetë me mbjellje të drunjve të gjatë dhe me drunj me kurora të gjera.

Sheshi i lojërave për fëmijë duhet të ketë së paku 0.5m2 hapësirë. Sa më shumë kate që ka ndërtesa, aq më shumë duhet të ketë hapësirë për parkingje, oborr dhe depo. Është koeficienti i ndërtimit, i cili tregon se sa lejohet ndërtimi në tokën tënde. Në qoftë se shtëpia ka 10 ari, lejohet që ndërtesa të ketë hapësirë prej 3200 metrash katror.

Në komunën e Prishtinës, në sektorin e urbanizmit, u tha se e gjithë Lagjja e Spitalit parashihet të jetë e ndërtuar me banesa, ndërsa nuk mendohet që të mbetet një hapësirë e caktuar për shtëpi. Lagjja e spitalit po ndërtohet sipas planit urban rregullues të Matit 1.

Qëllimet kryesore të planit urban rregullues të Matit 1 janë të krijojë një ambient të shëndetshëm, të përshtatshëm dhe atraktiv për jetesë, si dhe të krijohet sipërfaqja e nevojshme për infrastrukturën e trafikut. Në Lagjen e Spitalit nuk dihet numri i saktë i ndërtimeve që janë bërë deri tani, mirëpo nga viti 2012 deri në vitin 2019 janë lëshuar 135 leje për ndërtim të banesave./Gazeta Express/

MUND TË JU PËLQEJNË