Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj, ka konfirmuar lajmin e publikuar pak çaste më parë nga Sinjali se është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Ajo ka thënë se është ftuar nga Dhomat e Specializuara, të mërkurën, më datë 4 shtator, ndërsa pritet të udhëtojë për në Hagë në pjesën e dytë të muajit.

“Po është e vërtetë. Ftesën e kam marr pardje si dëshmitare. Më datën 19 shtator kam me shku. Më kanë ftu me telefon një ditë përpara ndërsa të nesërmen më kanë ftu me marrë thirrjen me shkrim. Tash po pres kur të vjen koha me shku”, ka thënë Hadërgjonaj për Sinjalin.

Ish-deputetja do të intervistohet për të kaluarën e saj gjatë periudhës së luftës.

“Në ftesë shkruan periudha prej 1 janarit 1998 deri më 31 janar 2000. S’kam pasë funksion të rëndësishëm. Kam dhënë kontribut sa kam mujtë në procese gjatë luftës”, ka shtuar Hadërgjonaj.

Safete Hadërgjonaj është nga komuna e Deçanit dhe ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së. Më herët ka qenë veprimtare e LPRK-së e më vonë në Lëvizjes Popullore të Kosovës (1984-1999)

Ajo ka qenë deputete në disa legjislatura që prej vitit 2004. Hadërgjonaj ka qenë anëtare e Kryesisë së PDK-së që nga viti 2002.

MUND TË JU PËLQEJNË