Prof. Asllan Murati, më i merituari i kthimit të eshtrave të Isa Boletinit në Mitrovicë, e quan rikthimin e Isës simbolikë të rezistencës. Me sjelljen e tij të mençur, ka mposhtur diplomacinë e regjimit komunist, që kishte dështuar t’i riatdhesonte eshtrat e Isës me djemtë dhe bashkëluftëtarët. Ai ka luftuar dhe i ka mbrojtur me dinjitet eshtrat e Isa Boletinit me bashkëluftëtarë, duke sakrifikuar çdo gjë, madje edhe duke i varrosur eshtrat e Isës në shtëpi, shkruan “Kosovarja”.

Prof. Asllan Murati, imam në xhaminë “Isa Beg” në Mitrovicë, të dielën, në zyrën e tij në xhami, të mbushur me xhematë e qytetarë, kishte para vetes në lexim librin “Gëte dhe Islami”. Mulla Asllan Murati, i njohur në popull si “hoxha i Zhabarit”, është ndër njohësit e rrallë të vlerave kombëtare dhe patriotike shqiptare, që ka kombinuar luftën revolucionare kombëtare me religjionin islam. Ishte bashkëveprimtar i ngushtë i profesor Latif Berishës, i vrarë nga forcat serbe në shtëpinë e tij në luftën e vitit 1999, me të cilin e kishte filluar një projekt të rëndësishëm kombëtar, të ideuar nga ish-presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Projekti ishte nxjerrja e eshtrave nga varri të patriotit shqiptar Isa Boletini nga Mali i Zi, së bashku me eshtrat e djemve të tij dhe të bashkëluftëtarëve.

Mulla Asllan Murati kontribuoi më së shumti në gjithë këtë proces të rëndë e të vështirë, pasi që iniciativat e mëparshme të Kosovës në kohën e ish-komunistëve, të Fadil Hoxhës me shokë, kishin dështuar. Politikanët malazias kishin marrë vendim se eshtrat e Isa Boletinit nuk mund të ktheheshin në Kosovë për dy arsye: Një, se Isa Boletini ishte vrarë në pabesinë malazeze, gjë që sipas akademikëve malazias nuk ishte në traditën e tyre dhe, dy, se Isa Boletini ishte njeri i Austro-Hungarisë, e që ishte armike e Malit të Zi.

Pas dështimit diplomatik komunist që eshtrat e Isa Boletinit të tërhiqeshin nga Mali i Zi në Kosovë, dr. Ibrahim Rugova, nëpërmjet veprimtarit të LDK-së, profesor Latif Berishës, kishin akredituar prof. Asllan Muratin, si njeriun e duhur për t’i hyrë realizimit të këtij projekti, me çka do të rehabilitoheshin eshtrat e Isa Boletinit.

Dhe, për fat të mirë, vepra u realizua dhe këtë gëzim e kishin përjetuar profesor Latif Berisha dhe Ibrahim Rugova, por edhe të gjithë shqiptarët.

Kthimin e eshtrave të Isa Boletinit në rrethana lufte e bëri mulla Asllani. Ai, po ashtu, 17 vjet rresht bëri jetë me ata eshtra dhe ishte kujdestari i Isë Boletinit, duke e ruajtur në “varr sekret”, e herë duke e zhvarrosur e varrosur në varr të ri, madje duke e mbajtur edhe në shtëpi shumë vjet.

Mulla Asllan Murati është më i merituari që sot Isa Boletini pushon në pronën e tij. Por, ka diçka që mulla Asllan Muratin e ngrit edhe si artist të kohës, edhe si poet, edhe si patriot, që nuk e ka të njohur opinioni: Ai ka folur shpesh me Isa Boletinin te “varri” i tij, ka folur pa e pa askush, duke iu drejtuar Isës për kohën dhe ngjarjet. Rrëfimi më i fuqishëm i hoxhë Muratit, drejtuar me fjalë e lot Isa Boletinit, megjithatë, ka ndodhur me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 2008, kur ai i drejtohet me fjalët: “U përmbush amaneti yt!”.

Duke e shpjeguar tërë këtë historik rreth eshtrave të Isa Boletinit, prej idesë së Rugovës e deri te dorëzimi i eshtrave të tij, prof. mulla Asllan Murati, për “Kosovaren” ka treguar në detaje gjithë këtë histori…

Ideja erdhi nga Ibrahim Rugova

“Në vitin 1998, në fund të prillit, te unë erdhën profesorët e nderuar Latif Berisha, Pajazit Nushi dhe Masar Rizvanolli. Ishte koha kur vinte erë lufte. U takuam në një shtëpi private”, thotë prof. Asllan Murati dhe vazhdon: “Fjala ishte për sjelljen e eshtrave të Isa Boletinit nga Podgorica në vendlindjen e tij, në Boletin.

Dr. Pajazit Nushi m’u drejtua me fjalët: “Zotëri imam, kemi ardhur për një punë shumë të rëndësishme dhe kjo ka të bëjë me sjelljen e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindjen e tij në Mitrovicë”.

Ai më tha se një iniciativë e tillë ishte marrë edhe shumë vite më parë, por në Podgoricë ishte kundërshtuar transferimi i eshtrave të Isës në Mitrovicë për arsyet e lartpërmendura.

Përfaqësuesit e Kosovës aso kohe ishin kthyer duarbosh, e tani ka ardhur koha që t’i sjellim eshtrat e Isa Boletinit në vendlindje”, tha Nushi, e që kjo të ndodhte nuk kishte mundësi tjetër pos nëpërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës.

Pastaj, m’u drejtua me fjalët: “A je në gjendje ta marrësh këtë përgjegjësi?”.

“Dhe, duke e ditur rëndësinë e kësaj çështjeje, unë i thash se këtë do ta marr si obligim dhe pa asnjë hezitim do të bëj gjithçka që eshtrat e Isës të kthehen në vendlindje. E kisha shpresën se do ia dilja, meqë në Podgoricë e kisha një koleg të ngushtë, Idriz Demirin, që ishte në pozitën e kreut të Bashkësisë Islame të Malit të Zi. Kisha punuar me të prej vitit 1982 deri më 1990 në organet më të larta të Bashkësisë Islame në Sarajevë. Në vitin 1982-1986 ishim anëtarë të Kryesisë Supreme për Jugosllavi, madje ai ishte kryetar e unë isha zëvendësi i tij. U tregova Nushit e Rizvanollit për këto marrëdhënie të mira që kisha me Demirin, e që atje njihej me mbiemrin Demiroviq.

Më 6 maj 1998 kemi shkuar në Podgoricë: unë (Asllan Murati), Muhamet Shukriu, nga Prizreni, Ramiz Murati, djali i vajzës së Isa Boletinit, si dhe shoferi Fetah Hasani, nga Mitrovica.

Kur kemi shkuar në Rozhajë na ka ndalur policia dhe të parit që iu drejtua të dilnim nga vetura kam qenë unë. Kam dal nga vetura dhe nisën t’më kontrollonin. U thash policëve malazezë se jam teolog e nuk barti armë. Për mua armë është lapsi. Se, po ta ndalnin policia jonë Vlladetën tuaj, do ta përshëndesnin dhe as që do e kontrollonin.

Pas këtyre fjalëve ata mbetën të habitur dhe ne vazhduam tutje rrugën pa problem deri në Podgoricë.

Së pari, shkuam te varrezat në vendin e quajtur Pobërxhe. Ashtu quhej lokacioni i varrezave. Kur dola nga vetura shallin e lash në veturë. U ndalëm pranë varrezave. Muhamet Shukriu nxori maketin gjeodezik dhe pasi e shikoi mirë e mirë tha: “Prej këtu ku jemi, varri i Isës është në distancën prej 8 metrash”.

Pak më tej fëmijët luanin futboll.

Pasi i pamë varrezat shkuam në zyrë të prof. Idriz Demirit, i cili edhe na priti shumë mirë. Iu drejtova me këto fjalë:

“Kemi ardhur t’i marrim eshtrat e Isa Boletinit dhe t’i qojmë në vendlindje!”.

Ai më tha:

“Nuk na i japin malazezët eshtrat e Isës!”.

Unë i thash:

“Ne do t’i marrim”.

“E, si do t’i nxjerrim?”, më tha ai.

“Në varre po loznin fëmijët futboll dhe eshtrat e Isës po diskriminoheshin. Varrezat nuk po trajtoheshin sikur është rendi. Ndaj eshtrave të të vdekurve tanë po bëhej diskriminim. Do të kërkojmë që ato të zhvarrosen në një vend tjetër”, i thash.

Atëherë, Idriz Demiri i tha sekretarit të vet: “Bëre gati veturën se do të dalim!”.

E kemi formuluar tekstin e kërkesës për zhvarrosjen eshtrave nga varret e Pobërxhës, e kemi vulosur e portokoluar dhe e kemi dërguar në Kuvendit Komunal të  Podgoricës.

“A di ku është varri i Isës?”, më tha Idrizi, kur edhe dolëm nga Kuvendi Komunal i Podgoricës.

“Nuk e di ku është saktë, sepse, sipas hartës, ai ishte në distancën prej tetë metrash”, i thash.

“A je dal me shall nga vetura apo pa të?”.

“Kam dal pa shall”.

“I mençur je, se po të kishe dal me shall nuk kishte pasur shans me krye punë, pasi që çdo veprim aty përcillet”, më tha ai.

Lajmi për tërheqjen e eshtrave të Isa Boletinit

Duke folur tutje për procesin e protokollit zyrtar të marrjes së eshtrave të Isa Boletinit nga Podgorica, prof. Asllan Murati vazhdon tutje rrëfimin e tij:

“Bëmë kërkesë protokollare më 7 maj 1998, kurse përgjigje morëm në fund të muajit tetor 1998. Në këtë fund tetori, ne morëm telefonatën e Idriz Demirit se eshtrat e varreve në Pobërxhe të Podgoricës mund t’i merrnim dhe lajmin e kishte botuar edhe gazeta kryesore e atjeshme “Pobeda”. Por, ekzistonte një dozë frike për ne, sepse organet e larta malazeze mund të dilnin kundër vendimit komunal.

Ishte ora 24 e natës kur më telefonoi Idriz Demiri, nga Podgorica, i cili më tha se ka dal në faqen zyrtare miratimi dhe se duhej të shkonim t’i merrnim eshtrat.

Kam ardhur në zyrën time dhe e kam njoftuar profesor Latif Berishën. Latifi, pastaj, ka shkuar te dr. Ibrahim Rugova për t’ia kumtuar lajmin e mirë. Rugova i ka dhënë 2000 DM në emër të shpenzimeve. Unë e thirra të njëjtin staf të udhëtimit të parë që e bëmë në Podgoricë. Unë më nuk shkova me ta, pasi rasti e donte të mos isha aty. I thash ekipit se unë çdo gjë do e përgatis prej këtu dhe se kur të shkonin atje çdo gjë do ta kenë gati, pa pasur nevojë të shqetësohen. Me telefon nëpërmjet Idriz Demirit i bëra të gjitha punët. Ai mori përgjegjësinë që ekipit tim t’i vinte çdo gjë në dispozicion të gatishmërisë, përfshirë edhe para po qe se ishte nevoja.

Ekipi ynë ka qëndruar 8 ditë në Podgoricë. Kanë mihur me shumë kujdes, duke nxjerrë edhe ashtin më të vogël dhe pa dëmtim. Pas çdo dite pune i kanë marrë eshtrat me vete në hotelin ku kanë fjetur. Kështu, pra, për tetë ditë janë nxjerrë eshtrat e tetë vetëve dhe janë futur në torba sportive, pastaj në bagazh autobusi dhe kanë arritur në Mitrovicë. Ishte ora 16 pas dite kur eshtrat e Isës arritën në Mitrovicë. Ekipi erdhi me taksi dhe unë i mora torbat me eshtra dhe i futa në dhomën time. E përcolla ekipin dhe pas dy ditësh ka ardhur te unë Muhamet Shukriu, i cili i kishte përgatitur të gjithë emrat e të zhvarrosurve dhe atëherë i kemi renditur eshtrat sipas varreve, si janë zhvarrosur dhe i kemi sistemuar një nga një në kuti të veçanta. Pas tij erdh Latif Berisha dhe folëm me të për varrimin e eshtrave…

O Isa Bej, amaneti yt për Kosovën u kry!

Duke vazhduar rrëfimin për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje, ai për revistën tonë ka pohuar:

“Emrat e të vrarëve në Podgoricë i identifikoi Muhamet  Shukriu, nga Prizreni. Ai vuri emrin e secilit pranë eshtrave të gjithsecilit. Më pas, prof. Latif Berisha erdhi dhe u konsultuam se ku do t’i varrosnim eshtrat e tyre. Në Zhabar i kam vendosur eshtrat e luftëtarëve tanë në një shupë dhe jam kthyer në Mitrovicë, ku edhe kemi diskutuar për hapat e mëtejmë që do të pasonin lidhur me rivarrosjen e eshtrave të Isës. Në bisedë e sipër rreth rivarrimit të eshtrave, ata m’i lanë mua amanet eshtrat dhe prej aty unë mora përgjegjësi historike dhe kombëtare për Isa Boletinin”, thotë prof. mulla Asllan Murati.

Arkivol hekuri për eshtrat e Isa Boletinit

“Pasi që eshtrat e Isa Boletinit mbetën në përgjegjësinë time, më lindi ideja që eshtrat e Isës t’i vendosja në arkivol hekuri. Meqë ndihej era e luftës dhe nuk dinim se kush do mbetej gjallë e kush jo, disa gjëra duhej të përcilleshin me gojë. Në rast se më vrisnin mua, arkivoli prej hekuri do të reflektonte një siguri më të madhe për ruajtjen e këtyre eshtrave”, thotë hoxha dhe vazhdon tutje rrëfimin:

“I kam thirr dy saldues, haxhi Mustafë Shalën dhe haxhi Mustafë Beranin, që ta saldonin arkivolin. I kam palosur me duart e mia eshtrat e Isës me djemtë e tij. Arkivolin e kam mbështjell me najlon, në mënyrë që të mbrohej pjesa e hekurit. Pas jacisë, pra natën, të tre e kemi hapur një varr dhe e kemi varrosur arkivolin me eshtrat e Isa Boletinit. E kemi varrosur pas xhamisë “Haxhi Vesel”. Pasi e mbuluam arkivolin me dhe, mora një gurë të vjetër dhe i vendosa te koka. Vendosa gurin e vjetër qëllimisht, që të jepte të kuptoje se nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të re.

Kur jam kthyer në shtëpi e kam lajmëruar Latif Berishën se puna është kryer. Se ku është i varrosur Isa Boletini e kemi ditur vetëm pesë vetë dhe ia kemi dhënë besën njëri-tjetrit të mos tregojmë. Në atë varr eshtrat kanë qëndruar deri në vitin 2004.

Më 1999, kur u vra Latif Berisha, më kërkon policia mua. Polic Ratku më kishte kërkuar, duke i pyetur fëmijët e lagjes se ku ndodhem. Pas 20 minutash e rrethuan shtëpinë time, por nuk më gjejnë, meqë pata kaluar në një shtëpi të një fqinji. Sidoqoftë, kufomën e Latif Berishës e kam varrosur në varrezat e Zhabarit, afër varrit të Isës. Duke qenë i vetëdijshëm se do më ekzekutonin edhe mua po të më kapnin, i thash njërit prej të pranishmëve në varrimin e Latif Berishës: “Nëse më vrasin mua, ta them në besë, ja ky është varri i Isa Boletinit!”. Ja lash amanet që ta dinte se ku ndodhej varri i Isës, sepse gjërat nuk mund të parashikoheshin, pasi zhvilloheshin tepër shpejt. Kur i tregova për varrin e Isës, duke qenë i vetëdijshëm se mund të më vrisnin, u ndjeva më i lehtësuar shpirtërisht.

Ndërkohë, shtëpia ime rrethohet nga policia serbe dhe kishin për qëllim ekzekutimin tim, për çka më vonë u gjet edhe plani serb për ekzekutimin tim”, thotë hoxha.

Kthimi në shtëpi më 1999

Duke folur për fazën e pasluftës, mulla Asllan Murati, thotë se para tij dhe arkivolit kishte ende sfida.

“Nuk dija çka kishte shpëtuar e çka ishte djegur, nëse aty ishte arkivoli apo jo, por di se në ditën e nisjes për në Kosovë e kam fal sabahun në Kukës, kurse iqindinë në shtëpinë time të djegur. Po flas, pra, për vitin 1999. Ajo që më së shumti më është dhimbsur në shtëpinë e djegur ka qenë biblioteka me 2200 libra. Në shtëpi më kishin bërë një kryq serb, ndërsa nën të kishin shkruar: “Këtu është Serbi!”.

Në oborr bari ishte rritur shumë dhe gjatë kositjes së barit

dilnin fishek e predha. Frika ishte nëse do bija në ndonjë minë të mundshme.

Më 26 qershor 1999 kam shkuar ta shoh varrin e Isës dhe kur pash se varri nuk ishte i prekur, jam gëzuar shumë”, thotë hoxhë Asllan Murati.

Formimi i Këshillit për rivarrimin e eshtrave të Isës më 2004

Formimi i Këshillit për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit u bë në vitin 2004. Në këshill kishte personalitete eminente, ndër të cilët: Zekeria Cana, Pajazit Nushi, Asllan Murati, Arif Muqolli, por edhe disa ministra aktual.

Tutje, hoxha tregon:

“Kur e bëmë programin, dolëm me iniciativën që në varrim të ketë edhe përfaqësues nga Tirana, diaspora, Maqedonia, Lugina e Preshevës. KFOR-i konfirmoi se TMK dhe Agim Çeku nuk kishin mandat të kalonin në veri të Kosovës. Prandaj, data 4 shtator 2004, kur ishte caktuar dita e rivarrimit, dilte e mangët. Kjo do të thotë se nuk mund të bëhej rivarrimi i Isa Boletinit me nderime ushtarake, sikur e kishim paraparë ne. Nuk mund të kalonte andej Ibrit TMK-ja, e nuk mund të flisnin as Agim Çeku e as Bajram Rexhepi, ashtu sikur kishim parashikuar ne, Këshilli Organizativ për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit. Kur dolën këto pengesa, unë vendosa që dy vetë të shkonin te Ibrahim Rugova. Në takim me Ibrahim Rugovën më caktuan mua dhe Behxhet Brajshorin. Por, unë thash se në vend timin duhet të shkojë Rexhep Osmani, sepse në atë kohë ishte ministër i Arsimit. Ibrahim Rugova i ka sugjeruar të shtyhet rivarrimi, sepse Isa Boletini duhej të rivarrosej ashtu si i ka hije. Andaj, rivarrimi u shty për tutje, në kohë më të volitshme.

Aso kohe rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit u bë e madhe dhe gjërat më dukej se nuk shkonin në drejtim të duhur. Dikush e kishte prekur gurin e varrit të Isës dhe kisha frikë se dikush tjetër kishte njohuri se aty ishin eshtrat e Isës. I mora dy djemtë e mi dhe e nxorëm arkivolin nga dheu. E solla në shtëpi. E varrosëm në oborrin e shtëpisë sime. Arkivoli me eshtrat e Isës në oborrin tim ka qëndruar prej vitit 2004 deri më 2011. Kam shkuar te varri i Isës shumë herë për lutje të ndryshme, por më i veçanti ishte në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. I kam thënë: “O Isa Bej, ti që sakrifikove jetën, familjen dhe pasurinë për idealin më të shenjtë jetësor, Kosova sapo shpalli pavarësinë e saj. Prandaj, pusho i qetë se t’u plotësua dëshira dhe synimi yt!”. Ja thash këto fjalë Isa Boletinit dhe u zhgreha në vaj. Mu duk se ia dhashë një mesazh të zëshëm atij që priste ta merrte këtë informatë, në mënyrë që të pushonte më i qetë në varr. E ndjeva veten më të lehtësuar që ia komunikova Isa Beut këtë fakt, mu te varri i tij, aty ku pushonin eshtrat e tij me të bijtë dhe bashkëluftëtarët.

Për shumë kohë të veprimtarisë sime, pyetjes së gruas dhe të vajzës sime se ku po shkoja, i përgjigjesha: “Mos keni frikë se është duke u ruajtur Isa Boletini me dy kobure te dera!”, thotë mulla Asllan Murati, duke treguar gjithë detajet për eshtrat e Isa Boletinit deri në vitin 2011, kohë kur eshtrat e Isës iu dorëzuan organeve të shtetit.

Si i dorëzoi eshtrat e Isa Boletinit?

Dorëzimi i eshtrave të Isa Boletinit nga mulla Asllan Murati te paria e komunës së Mitrovicës, u bë me një përkujdes ceremonial të hoxhës, i cili për të lartësuar këtë akt, ftoi shumë njerëz përgjegjës e struktura të shtetit të Kosovës. Për këtë ceremoni ai thotë:

“Në vitin 2011, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, më tha se duam t’ia bëjmë ADN-në Isa Boletinit. I kam ftuar 50 vetë: profesorë, njerëz eminentë dhe familjarë të Isa Boletinit. I kam njoftuar të pranishmit se 15 vjet kam qenë në shërbim të Isa Boletinit dhe tani po e heq ngarkesën dhe përgjegjësinë historike për Isa Beun. E kemi nxjerrë arkivolin. Dr. Arsim Gërxhaliu më uroi për kujdesin që kisha arritur t’i ruaja eshtrat e Isës. Eshtrat e Isa Boletinit me djem të tij ia kam dorëzuar Avni Kastratit”.

Tutje ai shton: “Gjatë gjithë kohës për procesin e ruajtjes së eshtrave dhe të rivarrimit të Isa Boletinit interesim të përhershëm ka shprehur ish-presidenti Ibrahim Rugova”.

Ai thotë se Ibrahim Rugova ishte më i merituari që sot eshtrat e Isës pushojnë në vendlindjen e tij. Ibrahim Rugova e kishte falënderuar nëpërmjet profesor Latif Berishës shumë herë mulla Asllanin.

Hoxha rikujton se si këtë proces e ka nisur Ibrahim Rugova, e ka vazhduar Pajazit Nushi e Latif Berisha dhe e përfundoi ai vetë.

“Merak më ka mbetur vetëm që Isa Boletini nuk është varrosur me nderime ushtarake, por kënaqësia ime është se eshtrat e Isës u varrosën në Boletin”.

Tirana zyrtare kishte shprehur interesimin që eshtrat të varroseshin në Vlorë, por hoxha në shumë takime zyrtare kishte mbrojtur parimin se gjithë këtë punë e kishte bërë që eshtrat të ktheheshin në vendlindjen e Isës.

Ai kishte edhe përkrahjen e kryetarit të tashëm të Mitrovicës, Agim Bahtirit.

Përkujtojmë se Isa Boletini ka jetuar 52 vjet, prej të cilave 50 vjet i ka kaluar në Boletin, kurse dy vjet me Ismail Qemalin.

Dhe, për fund, mulla Asllan Murati thotë:
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që kam qenë në shërbim të  Isa Boletinit. Ai ka qenë edhe kombëtar edhe fetar. E kishte mbajtur hoxhën në shtëpi me rrogë”. Safet Krivaça /Kosovarja/

P. S. Intervista me mulla Asllan Muratin është botuar në “Kosovaren” nr. 8 dhe 9 / 2015. Po e ribotojmë me rastin e vdekjes së mulla Asllanit, e cili vdiq sot.

MUND TË JU PËLQEJNË