Pas takimit liderët e Ballkanit Perëndimor kanë vazhduar në një darkë të përbashkët me organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Thaçi ka thënë se edhe gjatë kësaj darke kanë diskutuar për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit, përcjell lajmi.net.

Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi ka theksuar disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.

Postimi i plotë i Thaçit:
Me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, në darkën e përbashkët vazhduam të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tonë.

Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë theksova disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.

Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij.

Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë.

Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së. Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm.

Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë.

Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.

Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë. Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë.

MUND TË JU PËLQEJNË