Sikur edhe shumica e komunave të Kosovës, Podujeva ka mbi 60 për qind të popullatës që i takon moshës rinore. Papunësia është problemi që rëndon të gjitha shtresat e popullsisë së kësaj komune, veçanërisht godet të rinjtë, të cilët janë ndërmjet ëndrrave dhe ambicieve për jetë e kushte më të mira.

Dhe, plagosja e këtyre ëndrrave shkakton vragë të pashërueshme që shprehen me depresion dhe mungesë totale të vullnetit për jetë, ngase perspektiva mbyllët në filxhanët e makiatove ose në shishet e birrës në ndonjë nga kafeteritë e këtij qyteti.

Gjallëri po, perspektivë jo…
Megjithatë, rruga kryesore e Podujevës çdo ditë gumzhin nga zhurma e të rinjve, që gjatë ditës bredhin poshtë-lart, pa pasur idenë se si të shpenzojnë kohën dhe si t’ia bëjnë me jetën që nuk u ofron shumë.
“Paj, s’po kemi ku tjetër! Në kafiteri po pimë makiato dhe po bisedojmë… Pastaj, shëtisim rrugëve…”, thotë i riu, Fidan Krasniqi, i cili para dy muajsh i kishte mbushur të njëzetat.
Ai ankohet se janë të rrallë ata të rinj që punojnë në institucionet shtetërore.
“Këtu meshkujt ose mund të punojnë kamerier ose të shesin gjë rrugëve, kurse disa vajza kanë gjetur punë në ndonjërin nga butikët e këtushëm”, thotë Fidani.
“Mua nuk më pëlqen jeta provinciale ku ka shumë fjalë e thashetheme”, thotë Elvana, studente e gazetarisë në Prishtinë, nga Podujeva.
Por, ka edhe të rinj llapjanë me vizion ndryshe për jetën. Të tillët, edhe pse me perspektivë jo edhe aq të mirë, vazhdojnë të kenë mendime për ditë më të mira. Kastrioti dhe Mendimja, nxënës të shkollës së mese, janë me plot buzëqeshje.
“Kastrioti gjithmonë gjen diçka për të na bërë të qeshim në klasë. Ai është ‘bossi’ i shoqërisë sonë”, thotë Mendimja.

Për fund
Dhe, pavarësisht shiut të imtë që binte vazhdimisht atë të mërkurë mbi Podujevë, qendra vazhdonte të ishte e mbushur me të rinj e të reja, disa prej të cilëve kishte vite që e kishin kryer shkollën e mesme.
E, para kafiterive të shumta në qytet buzëqeshjet nuk shuheshin dot, përkundër një jete më të bukur të ëndërruar, të cilën vështirë se mund ta shihje në një periudhë të afërt…/Diturie Haxhaj/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË