Tashmë ka shkuar në nëntë numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë, sipas ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, tri raste janë nga Komuna e Malishevës, që të tre persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt është personi nga Komuna e Podujevës.

Ndërsa i njëjti bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, ka kërkuar nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik.

Indeksonline ka kontaktuar me zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Haki Abazin, i cili ka njoftuar se menjëherë janë mbledhur dhe po shqyrtojnë edhe masat tjera parandaluese.

“Jemi mbledhur dhe jemi në kontat vazhdimisht. Po përcjellim gjendjen aktuale, ndërsa do të marrim edhe masa të tjera. Jemi duke e shqyrtuar, por sigurisht që do të mirret vendimi edhe për izolimin e komunës së Podujevës. Jemi të fokusuar edhe tek kapaciteti i stafit mjekësor, ndërsa po punojmë edhe në lokalizimin e personave që kanë qenë në Itali këtyre ditëve, se ku kanë qenë në cilat vende në mënyrë që ky virus të përhapet sa më pak”, ka thënë Abazi.

Kujtojmë që komuna e Klinës, Vitisë dhe Malishevës tashmë janë të karantinuara, pasi nga këto komuna dolën edhe 5 personat e parë të prekur me koronavirus./Indeksonline

MUND TË JU PËLQEJNË