Ndonëse është një nga aktorët më të pëlqyer në Kosovë, ai mbetet një person shumë i thjeshtë dhe për gjitha të arriturat falënderon vetëm Krijuesin. Ky është aktori Naser Rafuna, i cili në publik njihet për role të shumta në teatër, filma dhe seriale televizive, shkruan “Kosovarja”.

Unë jam…
– Naser Rafuna.

U bëra aktor se…
– Kam menduar se është profesion që i përfshin të gjitha profesionet.

Nga fëmijëria ime kam ëndërruar të bëhem…
– Regjisor filmi apo këngëtar.

Më së shumti më ka ndihmuar në jetë…
– Zoti.

Më kanë dëshpëruar…
– Çështjet e ngutura.

Hidhëruar më ka…
– Mundësia e dytë.

I gëzuar…
– Respekti i të tjerëve si pasojë e punës sime.

Në prezantimin tim të parë në skenë kisha tremë…
– Ishte shfaqja ime e parë në vitin e dytë në fakultet “Fluturimi mbi folenë e qyqes”, ndërsa para publikut kam dal për herë të parë me korin e shkollës, por tremën më të madhe e kam pasur në provimin pranues në Fakultetin e Arteve. Kjo dalje para publikut ka konkluduar me vizitën që i bëja toaletit çdo minutë…

Jashtë aktrimit merrem edhe me…
– E dua leximin. Nuk di çka do të punoja tjetër, ngase në çdo punë tjetër nuk kam dashuri aq sa për profesionin që lidhet çdo gjë me filmin dhe teatrin.

Hobi kam…
– Këngën deri – diku dhe udhëtimet.

Te vetja dhe për veten çmoj…
– Nuk çmoj asgjë. Unë jam vetëm peng i veprave të mia. Tërë krenaria për çdo gjë i takon vetëm Krijuesit tim. Pa modesti, krenaria është vëlla i mendjemadhësisë dhe në këtë formë kjo krenari e çdo njeriu të famshëm e integron në xhelozi, mendjemadhësi dhe lakmi. Prandaj, profesionin e marrë vetëm si profesion dhe kaq.

Dobësi kam…
– Jokorrektësinë.

Për karrierën time mendoj…
– Karrierë të bësh është lehtë, ndërsa fama është kryesorja. Këtu qëndron e tërë çështja.

Nuk fal…
– Çdo gjë fal, përpos tradhtisë.

Do ta grushtoja…
– Kriminelin.

Vesin më të keq kam…
– Në disa rrethana ves të keq më lë pendimi – ngutja.

Frikësohem më së shumti nga…
– Veprat e mia.

Do të doja ta kaloja një natë…
– S’kam ëndrra të tilla.

Nuk i kuptoj njerëzit…
– Që jetojnë pa e ditur qëllimin e krijimit. Ata që jetojnë për të ngrënë e nuk ngrënin për të jetuar.

Më irritojnë intervistat…
– Kur shumë personazhe dalin jashtë vetes dhe bëhen qesharak.

Aktrimin e kam profesion apo…
– Profesion.

Para publikut mundohem…
– Të mos iu vardisem atyre, por që të luaj ashtu si di, sepse aktrimin nuk di ta bëj, por di ta luaj.

Thashethemet më të shëmtuara…
– Muhabetet e shpifura dhe të kota.

Sekretin që po e tregoj për herë të parë…
– E dua jetën dhe nuk i frikësohem vdekjes.

Nuk më merr gjumi para orës…
– 2 pas mesnate.

Kur i hap sytë në mëngjes mendoj…
– I falënderohem Zotit.

Shoqëria për mua është…
– E vërteta dhe çdo gjë që të pasqyron siç je.

Në jetë vuaj për…
– Për asgjë.

Një gjë që më ndodhi…
– I harroj shumë shpejt.

Më së shumti i lutem Zotit për…
– Falje, mëshirë, shëndet dhe udhëzim të drejtë.

Roli në të cilin jam ndjerë më së miri është…
– Ganiu – (shfaqja) “3 Gjermanet e Trashë II”.

Më së shumti shpenzoj për…
– Këpucë.

Motoja e jetës sime…
– Kush mëshiron, mëshirohet.

Dashuria për mua është…
– Baza e çdo gjejë të mirë dhe pozitive.

Në ditë bëj dush…
– Dimrit më rrallë, ndërsa verës 7 herë në javë.

Gjëja që më prek në shpirt…
– Varfëria dhe mosinteresimi për të varfrit, i atyre që këta ia besuan votën, duke i tradhtuar në kohën më të vështirë. Ata janë personat që e hanë bukën dhe pasurinë e jetimit. Po ashtu, më prek në shpirt mosrespektimi i prindërve, sidomos tmerri që ndodh në shtëpinë e pleqve, ku tradhtohen me lënie para dyerve të këtyre shtëpive, sikur fëmijën e porsalindur…

Do të doja…
– Paqja, dashuria, lumturia, harmonia, toleranca, dituria, mëshira dhe drejtësia të mbisundojë botën, sidomos vendin tonë, e që kemi shumë nevojë për këtë gjë.

Për fund…
– Faleminderit për mundësinë e shfaqjes së mendimeve të mia “poetiko-satirike”! A. Gj. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË