E akuzuara për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, J.XH në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka mohuar fajësinë për këtë vepër penale.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihi, e akuzuara , deklaroi se ndihet e pafajshme për akuzat që i vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E ndjej veten të pafajshme për veprën që ma ngarkon aktakuza”, tha e akuzuara.

Pas këtij deklarimi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, ka njoftuar palët se brenda 30 ditësh ata mund të paraqesin kërkesë për hedhjen e kësaj aktakuze dhe të bëjnë kundërshtimin e provave.

Sa i përket mbajtjes së shqyrtimit të dytë në këtë çështje penale, gjykatësi Konxheli tha se ajo seancë mbahet vetëm në rastet kur ka nevojë që të bëhet verifikimi i ndonjë prove.

Për seancën e radhës, gjykatësi Konxheli tha se palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Me rastin e verifikimit të identitetit të të akuzuarës, gjykatësi ka kërkuar nga ajo që ta largonte pjesërisht mbulesën dhe ajo i është bindur kësaj kërkese të gjykatës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 18 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj J.XH për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, e akuzuara më 27 dhjetor 2014, me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës, e së bashku me bashkëshortin me automjetin ku kanë qenë edhe tre persona të tjerë, kanë kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e pastaj nga aeroporti i Shkupit, kanë udhëtuar deri në Stamboll.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, përmes Republikës së Turqisë, duke udhëtuar me autobus deri në qytetin Gazientep, pastaj me veturë ka hyrë në Siri, nga i cili shtet janë financuar rregullisht, pra me dashje dhe me qëllim i është bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, e cila ishte duke vepruar në shtetet Siri dhe Irak dhe atë duke shkaktuar akte dhune nga maltretimet e gjerë te vrasjet e civilëve të pafajshëm, organizatë kjo e cila nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është shpallur si terroriste.

MUND TË JU PËLQEJNË