Dea Hoxha është ende fëmijë, por po e dominon skenën muzikore për më të vegjlit. Zë, pamje, karizëm. Kjo është Dea, vogëlushja që duket se do të jetë yll i ndritshëm i muzikës shqiptare, e pse jo edhe asaj botërore.

Karrierën muzikore e ka nisur qëkur ishte pesë vjeçe. Më përpara i ka mësuar notat e tingujt, sesa shkronjat… Bukuroshja ishte vetëm 5 vjeçe kur konkurroi për herë të parë në festivalin për fëmijë “Diamond Fest”.

Ishin në garë 25 fëmijë të talentuar, por Dea ia doli ta rrëmbejë vendin e parë me këngën “Binjakët”, që u shndërrua në hit. Dhe, Dea vazhdoi të merrte pjesë në vende të ndryshme për fëmijë ku përherë shkëlqeu. Vogëlushja në muajin korrik realizoi këngën me titull “Frozen”, me të cilën edhe u shpall hiti i ditës, i javës, i muajit dhe fitoi vendin e parë në “RTV 21”, duke u shpallur edhe hiti i vitit.

Tutje, Dea realizoi këngën e tretë me radhë, atë me titull “Dy gjyshet”, së cilës iu realizua edhe videoklipi, ku më pas konkurroi në festivalin “Sidorela” dhe fitoi përsëri vendin e parë. Kështu, Dea e mbylli vitin me tre çmime të para. E, suksesi erdhi falë talentit dhe punës së saj.

Dhe, Dea Hoxha u shndërrua në këngëtaren e preferuar të fëmijëve… Ajo është pjesë e grupit të fëmijëve “Diamantët”, në udhëheqjen e Njomza Mezinit, e cila i realizon këngët e saj në studion “Arti Rec”, kurse për videoklipet e Deas kujdesen produksonet “Dring Studio” dhe “Threecreative”.

Dea e “Qengjit të vogël” A e dini se Dea Hoxha ishte edhe pjesë e festivalit “Summer Fest”, ku edhe u shpall “Artistja e vitit” me këngën “Qengji i vogël”, së cilës këto ditë iu realizua edhe videoklipi.

Tani shumë fëmijë flenë me tingujt e këngës së Deas, me “Qengjin e vogël”… Dea tani do të nisë klasën e parë në shkollën “Ismail Qemajli” në Prishtinë, bashkë me vëllanë e saj binjak, Arturin.

Ajo sapo ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar “Diamantët”. Po ashtu, ajo do të jetë pjesë edhe e një seriali vendor. Nga kush e ka trashëguar bukurinë?

Vogëlushja e ka trashëguar bukurinë nga e ëma, që ishte “Miss Ferizaj” dhe “Miss Kosova” në Zvicër, në vitin 2001. Në videoklipin e pestë që po vjen, e që do të titullohet “Gjithmonë e para”, ka punuar me një produksion gjigant dhe me dizajnerët më të afirmuar.

Që Dea ta ketë shkëlqimin kujdesen edhe prindërit e saj, që janë mbështetja më e fortë për të. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË