Asllan Rusi, ish-volejbollisti më i mirë i ekipit të “Dinamos” në vitet 70, është goditur dhe shkatërruar nga Sigurimi i Shtetit në kulm të karrierës së tij, vetëm pse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës, Pranvera Hoxhën!

Një ngjarje e frikshme, pasojat e së cilës vite më vonë i kanë kushtuar jetën. Tashmë, pas shumë vitesh nga humbja tragjike, historia e njeriut që shkroi një faqe të artë në librin e sportit shqiptar, për herë të parë pranohet e bashkuar me një tjetër fletë, kësaj radhe të zezë, të një historie tjetër.

Faktin e pohon Mjeshtri Vangjel Koja, ish-trajneri i shquar i ekipit të meshkujve të “Dinamos” në vitet 1960-1990. Është një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave.

“Në vitin 1962 Asllan Rusin e kam pasur të fundit në listën e volejbollistëve, një renditje që e bëja, duke respektuar aftësitë e gjithsecilit”, pohon Mjeshtri i Sportit, Vangjel Koja, ish-trajneri i shquar i ekipit të meshkujve të “Dinamos” në vitet 1960-1990 dhe shton:

“Në vitin 1975, kur edhe ndodhi ngjarja, e kam të parin në listë. Prej këtej e thyen dhe e hodhën përtokë si të ishte një fletë peme!”.

Trajneri Koja tutje shpjegon se shkatërrimi i jetës së Asllan Rusit, është një nga pengjet më të mëdha të jetës së tij.

Si e ka njohur Asllan Rusin?
“Ka qenë viti 1961. Asllan Rusin, një adoleshent gjatosh, e pikasa në skuadrën e volejbollit të të rinjve të ekipit të Tiranës, që kishte për trajner një mik timin, Thanas Mitrushin.

Më bëri përshtypje se ishte më i gjatë se shokët e skuadrës. Kur dëgjoi dëshirën time për ta marrë në “Dinamo”, Mitrushi nuk ma bari dysh: Ta jap unë Asllanin, – më tha.

Ai nisi të stërvitej me të rinjtë e “Dinamos” gjatë vitit 1961. Një vit më pas forma e tij ishte shumë e mirë dhe e kaluam në ekipin e të rriturve.

Kështu, nisi edhe historia e tij, që pak vite më pas do të njësohej me historinë e “Dinamos së madhe”, ekipit që do të bënte epokë në volejbollin evropian.

Asllani ka qenë i vitlindjes 1945. Ishte i hollë, por me kalimin e viteve u mbushë dhe gëzonte një fizik dhe trup të formuar për ta pasur zili.

Ai ka luajtur deri në vitin 1975. Më tej Asllani nuk luan më… nuk ka më Asllan!

E goditën, e rrëzuan… Kaloi disa peripeci në këtë kohë… dashuronte vajzën e Enver Hoxhës.
Janë njohur në plazhin e Durrësit, në Kavalishencë.

Duhet t’ju kujtoj se ekipi i “Dinamos” i përkiste Ministrisë së Brendshme dhe, si të tillë, kishim të drejtë të shfrytëzonim një pjesë plazhi, të rrethuar në Durrës, në dispozicion të Ministrisë së Brendshme, që quhej Kavalishenca.

Ngjitur ishin edhe vilat dhe plazhi i udhëheqjes komuniste të kohës.

Pikërisht, këtu janë njohur Asllani me të bijën e Enver Hoxhës. Vajza e Enverit stërvitej me ekipin e femrave të “Dinamos” dhe kjo ka qenë një tjetër mundësi kontakti mes të dyve. Vajza ishte e gjatë dhe llogaritej një volejbolliste me perspektivë.

Në një gjë jam i sigurt, Asllani e dashuronte shumë. Jam i sigurt, gjithashtu, se pikërisht kjo dashuri u bë shkaktare që atij t’i shkatërrohej jeta. Filluar me largimin nga ekipi i “Dinamos” e dërgimin me dhunë në spitalin psikiatrik!

Në psikiatri Asllan Rusit i dhanë ilaçe shkatërruese!
Ishte viti 1975. Duket që e kishte një hall. Gjithsesi, në fushën e lojës vazhdonte të ishte një lojtar perfekt.

Pak ditë më pas, pas interesimit pse mungonte në stërvitje, më thanë se e kishin shtruar në spitalin psikiatrik! Kjo më shokoi. Sepse, Asllani ishte në kulmin e karrierës dhe të shkëlqimit të tij si sportist.

Me të mësuar për këtë, u nisa me urgjencë për në spital që ta vizitoja.

Dhe, kur e gjeta, ka qenë një nga skenat më të dhimbshme që kam përjetuar. Sa hyra në dhomë, mu shfaq një Asllan i tjetërsuar. U shtanga kur e pash.

Në pak orë të kaluara aty brenda, se nuk ishin bërë akoma ditë, ai ishte tjetërsuar. Ishte lëshuar krejt dhe nuk ishte në gjendje as të çonte gotën e ujit me duart e veta te goja!

U tmerrova dhe kërkova shpjegim. Një mjek më sqaroi se ishin duke e kuruar për sistemin nervor. Mjeku mu prezantua si tifoz i sportit të volejbollit.

Më thotë: “Mos u tremb. Po i bëjmë një kurë me ilaçe që i heqin forcën nervore… Por, me kalimin e kohës gjithçka do kalojë”.

Më vonë mësova se Asllanin e kishin çuar me forcë në spitalin psikiatrik. I kishin kurdisur një kurth në afërsi të Degës së Brendshme të Tiranës. Dy policë, pa asnjë shpjegim, e kishin marrë Asllanin me forcë në rrugë dhe e kishin futur dhunshëm në xhip, pastaj e kishin dërguar në spitalin psikiatrik!

Atje Asllani u shkatërrua nga injeksionet… E shkatërruan pse dashuronte vajzën e Enver Hoxhës!

Pas një kohe të gjatë Asllani doli nga spitali. Por, nuk ishte më në gjendje të stërvitej…

Vdiq në vitin 1983. Ishte vetëm 38 vjeç kur vdiq.

Si u shua familja Rusi?
Pas vdekjes së Asllanit, vëllai i tij, Mimi, basketbollist, kaloi shumë kriza nervore dhe humbi jetën duke u hedhur nga lartësia e një pallati…

Familjen e Asllan Rusit e kanë ndjekur më pas shumë fatkeqësi, sa tashmë prej trungut të saj nuk jeton askush. Babai, Xhelal Rusi, farmacist i diplomuar në Francë, që njihej edhe me Enver Hoxhën, vdiq në moshë të re, duke u shprehur gjithmonë i pakënaqur nga regjimi komunist.

Të njëjtin fat pati edhe e shoqja, që ishte, njëkohësisht, e mbesa e poetit Naim Frashëri. Ferdinand Dervishi

MUND TË JU PËLQEJNË