Një shitës kishte dalë në treg për të shitur djaj. Kalon një blerës dhe e pyet: “Sa grosh djalli?”. Shitësi i tregon çmimin. Blerësi fut dorën në thes për të parë se a janë të tjerët më të mëdhenj, kurse shitësi i thotë: “Të gjithë janë të njëjtë me çmim, si i pari si i fundit”.

Ky është përshkrimi që mund t’u përgjigjet më së miri koalicioneve në Kosovë qe sa e sa vjet, për të cilat më së miri thotë në kohën e vet Fan S. Noli, në poezinë “Marshi i Barabbajt”. Mbase, këta që jetojnë nga politika edhe mund të mos dinë kush ishte Noli, a jeton ende apo ka vdekur. Nëse këtë nuk e dinë, atëherë dinë diçka tjetër: Se jetojnë pa parime dhe pa përgjegjësi për vendin dhe popullin, shkruan “Kosovarja”.

Tregimi i parë

Mua më kishte sjell lejleku në jetë. Nuk di ku më kishte gjetur, por di se në oborrin e shtëpisë sonë më kishte hedhur nga sqepi i gjatë. As nëna nuk dinte ku më kishte marrë shpendi këmbëgjatë, por dinte se më kishte gjetur në bahçe, një mëngjes të hershëm.

Duke treguar si më kishte gjetur, nëna e përshkruante atë moment kështu: “Dielli sapo kishte lind, kisha dal në oborr për të parë se a ishin rritur shalqinjtë gjatë natës. Tek ecja nëpër bahçe, të gjeta ty, në mes të shalqinjve. Kur të pash u gëzova shumë, kurse ti qeshe posa të mora në duar. Të solla në shtëpi dhe u gëzuan të gjithë fëmijët e tjerë”.

Kam jetuar për shumë e shumë vite me këtë ndjenjë jetësore. Kam jetuar duke u tretur në mendime sesi më kishte sjell lejleku në shtëpinë tonë dhe aq më mirë që më kishte gjetur një nënë si kjo, që ma solli Zoti e jeta.

Fëmijët tjerë nuk e kishin pasur këtë fat, mendoja unë. Ata nuk kishin një mollë sikur unë në arën tonë që quhej “Molla Xufkë”, e nuk kishin as shumë ftonj si ne. Nuk kishin as livadhe me shumë lule si ne, e nuk e kishin as oborrin të pjerrët për t’u rrokullisur siç bëja unë… Nuk kishin as krua, e që njerëzit në radhë prisnin të merrnin ujë…

Kam jetuar me këtë ndjenjë deri kur kuptova se dashuria ishte arsyeja e parë që lindin fëmijët. Po s’e dashurove dikë, nuk do të kesh martesë e as fëmijë. Nëse nuk do kesh dashur dikë, nuk do të pasojnë trashëgimtarët e familjes…

Pra, më vonë kuptova se nëna më kishte gënjyer për lejlekun, por kurrë nuk kisha menduar t’ia bëja nënës këtë pyetje, sepse, ndoshta, do lëndohej.

Pse? Sepse, në atë kohë pakkush te ne mbillte shalqinj a pjepra, e të mos flasim për dredhëzat që sot i gjen me bollëk kudo.

Drini ishte në klasën e tretë kur unë u mundova ta imitoja tregimin e nënës sime për lindjen e tij.

“Drin, i thashë, a di sa i bukur ke qenë kur je lindur? Të kam gjet në kopsht, në mesin e luleve…”.

“Pse po gënjen babi, mua nuk më keni gjetur në kopsht, por ti dhe mami keni bërë marrëdhënie seksuale dhe prej marrëdhënies suaj kam dal unë. Kështu kemi mësuar në shkollë. E, kë po mundohesh ta bësh budalla, mua a?! Lëri përrallat!”, ma ktheu Drini.

Tregimi i dytë

Pëllumbat dhe kriminelët e Agim Bahtirit janë bërë disi të njëjtë. Ka kohë që Agim Bahtiri nuk po di t’i dallojë këto dy kategori. Agim Bahtiri e ka koleg politik Goran Rakiçin e Mitrovicës Veriore, i cili para pak kohësh dha dorëheqje nga posti i tij në komunë. Normale do të ishte që Mitrovica të mos i ketë dy komuna, meqë nuk i ka as Prishtina, që, të paktën, është nja 2 herë më e madhe se Mitrovica, shkruan

“Kosovarja”.

Pra, Agim Bahtirit ka nevojë t’ia kujtojë dikush punën e kriminelëve dhe të pëllumbave…

“O Agim Bahtiri, kur flet për pëllumbat e Mitrovicës, nuk është fjala për pëllumb që mund të jetë duke ngrënë troha buke në sheshin e ri, por është fjala për metaforën e lirisë. Kur flet për kriminelët, nuk është fjala vetëm për “rojat e urës”, që rrahin shqiptarë publikisht, duke i incizuar edhe kamerat televizive të Beogradit, përmes të cilave do ta qonin lavdin në Beograd. Kriminelët i hanë koha, por ata duke u “moderuar” metamorforizohen, duke u transformuar në kriminelë konspirativë. Në vend se ta rrahin një shqiptar pranë urës së Ibrit, ata ndërtojnë “Lagjen e diellit”, për ta kolonizuar Kosovën si shumë herë të tjera gjatë historisë. Kriminelët janë të pasinqertë. Edhe kur ndërtojnë “park të paqes” ëndërrojnë të bëjnë mur për ndarje, pas të cilit do të kenë vend për t’u fshehur që të vrasin këndej lumit Ibër shqiptarë dhe qytetarë të tjerë të Mitrovicës. Kriminelët nuk lejojnë të shkosh andej urës së lumit Ibër. Kriminelët nuk lejojnë lëvizjen e shqiptarëve andej lumit. Kriminelët po e mbajnë peng shtetin e Kosovës. Kriminelët i kanë kallë sa e sa herë pikat kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Kriminelët kanë rrahur sa e sa shqiptarë në pjesë Veriore të Mitrovicës.

Ti tashmë e njeh qytetin e ndarë, o Agim Bahtiri! Mitrovica është kopje e Berlinit të dikurshëm gjermano-rus.

Kriminelët nuk i lejojnë shqiptarët të ndërtojnë shtëpi në oborret e veta në pjesën Veriore të Mitrovicës, andaj janë duke banuar kah do që munden. Atyre ua kanë djegur shtëpitë rrafsh me tokë…

A thua, ti nuk i di këto gjëra?!

Pëllumbat janë shpezë, o Agim Bahtiri, shpezë që fluturojnë në qiell dhe janë sinonim i paqes në botë. Janë larg kriminelët dhe pëllumbat dhe qyteti i Mitrovicës ka kriminelë serbë e jo pëllumba.

Nëse vetëm ti po i sheh këta pëllumba, ne, të tjerët jemi të verbër. Sepse, Mitrovica vazhdon të jetë e ndarë në baza etnike. Serbët nuk e njohin pushtetin e Agim Bahtirit, e as Agimi nuk mund të shkojë kah të dojë, pra në pjesën Veriore, sepse janë muret që nuk lejojnë lëvizjen tutje.

E, për bashkimin e dy komunave, siç po sheh ëndrra ai, as që dua të flas… Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË