Albin Kurti ua ka hapur rrugën e bashkëpunimit Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt, shkruan “Kosovarja”.

Fryma e bashkëpunimit Thaçi – Haradinaj është rikthyer, duke e zgjedhur të parin e AKI-së, si dhe inspektorin e kësaj agjencie.

Me apo pa të drejtë juridike, do ta thotë Gjykata Kushtetuese, pasi VV-ja ka paralajmëruar se do ta qojë në kushtetuese zgjedhjen e drejtorit të AKI-së dhe të inspektorit të saj, në këtë kohë të vakuumit institucional.

Ndërkohë, Albin Kurti po kërkon të numërohen edhe rreth 350 pako me vota të arritura me vonesë nga Diaspora. Ai po synon ta rrisë numrin e votave, për ta shtuar numrin e deputetëve të partisë së vet, si dhe mundësinë ta zbresë nën pragun zgjedhor NISMA-n.

Albin Kurti tash për tash i ka siguruar 61 votat e duhura për formim e qeverisë së Kosovës. Por, një qeverisje me një numër të caktuar votash do t’i përngjante qeverisë së PAN-it, për nga brishtësia e fuqisë qeverisëse.

Sidoqoftë, pasojat e mos formimit të qeverisë së re të Republikës së Kosovës, nga BE-ja po vlerëson se po ndikojnë negativisht dhe me pasoja në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Por, ajo që më së shumti po i ndjenë pasojat është vetë Kosova, sa në planin diplomatik me ç’njohjet e shtetit, po aq edhe me zvarritjen e vakuumit institucional, e që Thaçi e Haradinaj po emërojnë njerëz në krye të institucioneve shtetërore çdo ditë e më shumë!

Po ashtu, në këtë vakum institucional, Thaçi dhe Haradinaj po e përgatisin objektin e ish-Komitetit Krahinor, tash objekt i Ministrisë së Kulturës, për objekt të ardhshëm presidencial, për çka Albin Kurti ka paralajmëruar masa ndalese për zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës në objekte private.

Andaj, do të ishte mirë që Albin Kurti ta përshpejtojë formimin e qeverisë, posa të bëhet certifikimi i rezultateve, duke i dhënë fund zhagitjes së proceseve, por edhe KQZ-ja duhet t’i jap fund rinumërimit e stërnumërimit të votave, e ndikuar nga politika ditore!

Sidoqoftë, sa më shumë që po zvarritet formimi i qeverisë së re, aq më shumë punësime e vendime të rëndësishme po ndodhin në Kosovë!

Po, ashtu, siç thamë edhe më lart, zvarritja po e bashkon mbi baza joparimore bllokun e komandantëve, që do të kenë fuqi në parlament për ta sfiduar qeverinë VV-LDK.

Megjithatë, me kërkesat dhe ankesat në PZAP, që po i bën “Vetëvendosja”, Albin Kurti është duke punuar kundër vetvetes!

Nën inercionin e inateve kanë punuar edhe qeveritë e komandantëve, por nuk u ka ardhur fundi mirë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË