Lëvizja Vetëvendosje ka ngre dyshime se kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë dallavere në tenderin e qumështit për fëmijët.

Kjo lëvizje ka akuzuar Komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga ish-anëtari i tyre, Shpend Ahmeti, për keqpërdorime në tenderin me qumësht për fëmijë.

Asamblisti i VV-së në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani, në një konferencë për media, ka thënë se në periudhën 2014-2015, në tenderin për qumësht për klasat e I-V, oferta për një qumësht të vogël ka qenë 10 cent ndërsa fitues i këtij tenderi ka qenë “Devolli group” Sh.P.K, me qumështin VITA dhe vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 200.000 EUR.

Ndërsa Rrahmani thotë se për vitin 2018, i njëjti tender me të njëjtin numër të njësive, për të njëjtin numër të nxënësve i ka kushtuar Komunës 733,698.00 EURO.

“Për të njëjtat specifikacione, i njëjti paketim dhe e njëjta kompani prodhuese, pra qumështi VITA nga ‘Devolli group’ Sh.P.K, vetëm se kompania prodhuese nuk ka marrë fare pjesë, edhe pse ka qenë përfituese e tenderit të parë”, ka thënë Rrahmani.

Asamblisti i VV-së ka publikuar edhe rrjedhën e ngjarjeve me të cilën, ai thotë se është dëmtuar buxheti i Komunës, pra paratë e qytetarëve për 530.000 EUR.

– Tenderi paraprak në periudhën 2014-2015 ka qenë me vlerën 200.000 EUR

– Në shpalljen e tenderit për vitin 2018, vlera e parashikuar e tenderit është bërë 730.000 EUR pa asnjë studim apo analizë. Dmth 530.000 EUR më shumë.

– Edhe pse si kompania më e lirë nga tenderi i parë, kompania prodhuese nuk merr fare pjesë në tender

– Tenderin e fiton kompania “Arbazen” LTD me vendndodhje në Maltë, vend i cili njihet si një nga parajsat fiskale.

– Nga të dhënat në ARBK shihet qartë që kjo kompani është e lidhur direkt me kompaninë prodhuese “Devolli group” Shpk.

– Edhe pse në mes të dy tenderëve në fjalë, TVSH për qumështin është zvogëluar, oferta e kësaj kompanie dyfishohet në 19.4 cent

– Zyrtarët komunalë në vend që të bëjnë rrumbullakimin në vlerën më të vogël, pra në 19 cent, vlera rrumbullakohet në 20 cent.

– Si përfundim kemi dëmtim të buxhetit të Komunës prej 530,698 Eurove.

“Ani pse kryetari Ahmeti ka thënë se ‘ai nuk mund t’i tregojë asnjë kompanie se me çfarë çmimi duhet të konkurrojë’, me këtë skemë dhe me parashikimin e buxhetit prej 730.000 EUR veç kanë treguar, apo më mirë të themi kanë paracaktuar se cila kompani dhe me çfarë çmimi të marrin pjesë”, ka thënë më tej Rrahmani, ndërsa ka kërkuar nga organet hetuese dhe prokuroria që sa më shpejtë të merren me këtë çështje dhe të hetohet deri në fund ky rast, duke thënë se, bazuar në të dhënat e publikuara, do të vërtetohet se fituesi është ditur akoma pa aplikuar, e madje edhe çmimi.

“Sa më shpejt të nisë hetimi do të pamundësojë që ky kryetar të vazhdojë keqmenaxhimin potencial edhe në tenderë të tjerë. Kjo është mjaft e rëndësishme marrë parasysh se vetëm nga ky tender për shkak të këtij keqmenaxhimi nga zyrtarët komunalë është dëmtuar buxheti i qytetarëve të Prishtinës për mbi 500 mijë euro”, ka përfunduar asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, Eman Rrahmani.

MUND TË JU PËLQEJNË