Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi ka qenë i ftuar në emisionin Frontal në Televizionin T7. Abrashi ka folur për seancën e sotme të thirrur nga opozita si dhe për qëndrimin e dy partnerëve në koalicion për reciprocitetin.

Abrashi ka thënë se LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin për taksën, përmes kryetarit të partisë, Isa Mustafës.

“Ajo se çka ka shënu kryetari Mustafa është qëndrim i LDK-së, partneriteti me SHBA nëse peshohet me taksë patjetër që duhet të respektohet, prandaj dhe kryetari Mustafa e ka bërë shumë të qartë, dhe kjo është përshëndetë nga ambasadori Grenell menjëherë, realisht ne jemi vonu. Realisht kjo kohë që po e diskutojmë taksën, nuk po merren vendime të mëdha, e favorizon pak a shumë Serbinë, paraqitja e saj si viktimë, kërkesat e vazhdueshme nga vetë BE-ja dhe shtetet tjera mike e vendosin trysninë mbi Kosovën”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, shton se për këtë qëndrim janë njoftuar edhe të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike.

“Qëndrimi jonë është gjithmonë në vijë me SHBA-të, edhe strukturat e LDK-së janë njoftuar me kërkesat që i kanë SHBA-të karshi neve. Ka unitet të brendshëm, e kemi diskutuar në kryesi edhe në struktura tjera, ne kërkojmë që kjo të bëhet sa më shpejtë, në mënyrë që t’i hapim rrugë proceseve tjera, patjetër kjo lidhet me çështjet e dialogut. Kosova duhet të jetë palë konstruktive.

Serbia është paraqitë si viktimë, ne kemi pas vazhdimisht trysni nga BE-ja, tani edhe nga SHBA-të, trysnia është kthy nga Kosova, na duhen vendime të mëdha të burrështetasve që të ecim përpara, të ruajmë partneritetin tonë me SHBA-të”, shton ai.

Abrashi ka komentuar edhe takimin e fundit Mustafa – Kurti që ndodhi për të vendosur lidhur me qëndrimin ndaj taksës.

“Ne gjithsesi që shpresojmë që të arrihet gjuhë e përbashkët, jemi partnerë në këtë koalicion, dhe po mendoj që po qeverisim mirë, janë edhe këto çështjet që i tejkalojnë çështjet qeverisje, ndërlidhet me çështje regjionale. Besoj që po do të ketë takime, duhet të diskutohet për taksën, por, qëndrimi jonë është ai që e ka thënë edhe z.Mustafa”, ka shtuar ai./GazetaExpress/

MUND TË JU PËLQEJNË