Duken si ndryshime, e që do të sjellin reforma në të gjitha fushat e qeverisjes dhe bartësit e dikasterëve qeveritarë, shkruan “Kosovarja”.

Por, është herët të konkludohet nëse këto fillime të ndryshimit, po bëhen për forcim të pushtetit qeveritar, apo vërtet për reforma.

Vlerësimi fillestar është se Kurti ka filluar të mos u qëndrojë besnik premtimeve. Por, është e qartë se jo gjithçka e premtuar nga Albin Kurti është e mundshme t’i rezistojë kohës, Uashingtonit dhe Brukselit.

Me ardhjen në krye të qeverisë, ka qenë e pritshme që kryeministri të kalojë në qeverisje pragmatike.

Përndryshe, rruga majtiste e proklamuar si politikë zyrtare në Kosovë, ka qenë e pamundur, po aq sa edhe në të gjitha vendet e Evropës, ku majtistët e lyer me radikalitet, të mos lejohen ta udhëheqin shtetin.

Prandaj, Albin Kurti, në pamundësi ta ndryshojë qasjen ndaj Uashingtonit dhe Brukselit, ai po duket se do bëjë ndryshime në skenën e brendshme politike në Kosovë.

Dhe, kjo është më efektive për pikë integruese të Republikës së Kosovës karshi institucioneve ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Uashingtoni dhe Brukseli do të entuziazmohen me secilin ndryshim që do të bëjë Albin Kurti, në raport me ekzekutivin paraprak.

Vendimi për uljen e pagave të ekzekutivit, do të pritet me një përparësi të madhe në BE, e, gjithashtu, edhe shkarkimi i koordinatorëve do të jetë një lajm i madh për hapin e parë të qeverisë Kurti.

E, kur kësaj t’i shtohen edhe devalvimet e disa agjencive që janë paguar pa dhënë asnjë rezultat, si dhe AKP-ja, do të jenë sinjale më të qarta të një pamjeje shpresëdhënëse se në Kosovë po fillon të ndryshojë diçka për të mirë.

Dhe, nëse fillon vetingu në drejtësi dhe prokurori, e nëse kjo do të merr inercion profesional pa hakmarrje politike, Albin Kurti do i sjellë rezultatet e para, e që Kosovës do fillojë t’i vjen era shtet ligjor.

Edhe liberalizimi ka mundësi të ndodhë, duke u përmbushur kriteri për luftimin kundër korrupsionit.

Por, që t’i kapërdijë Qeveria Kurti “peshqit e mëdhenj”, më së paku, duhet të jetë vetë një balenë gjigante.

Megjithatë, vlerësimet e para do të jepen pas 100 ditë qeverisjeje, edhe pse pas një jave qeverisjeje shihen shumë shkëndija shprese që populli po i shikon si çlirim nga klanet e korruptuara politike, e që sunduan 20 vjet rresht.

Prandaj, Albin Kurti mjafton ta luftojë skenën e brendshme politike, që ka krijuar klasë borgjeze, në një anë, si dhe të varfër, në anën tjetër.

E, sa i përket politikës së jashtme, Kosova as që duhet të largohet nga binarët që i kanë vënë SHBA-të, në koordinim me Brukselin.

Sepse, Brukselin mund ta ndryshojë Amerika, ndërkaq Albin Kurti ka pak gjasa që ta ndryshojë Uashingtonin e Brukselin, sepse Kosova është një projekt i ri shtetëror nga fuqitë e mëdha. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË