Dy partitë që nuk po mund të pajtohen mes vete për pozita të pushtetit, sa herë i dëgjon në debate dhe emisione, lënë përshtypjen se “duhen” aq shumë ndërmjet veti, e s’janë askund!”, shkruan “Kosovarja”.

Të dy partitë e para fituese në Kosovë, VV-ja e LDK-ja, ndaj të gjitha partive të tjera kanë vija të kuqe.

E, praktikisht, vijat më të kuqe i kanë ndaj njëra-tjetrës!

VV-ja e LDK-ja janë kah “duhen” ndërmjet veti, por dashurinë për pushtet e kanë më të theksuarën.

Me thirrjen e seancës së Kuvendit të Kosovës për të hënën, 3 shkurt, që të votohet një qeveri e marrëveshjes ndërmjet partive, apo qeveri e pakicës, në taborin e LDK-së shihen do ndryshime të lehta.

LDK-ja po pajtohet të qeverisë me VV-në, po qe se e marrin kryeparlamentarin qoftë edhe për një vit të vetëm.

E, kjo tingëllon sikur LDK-ja vetëm po e kërkon një shkas për ta nënshkruar marrëveshjen për koalicion me VV-në.

Shtrohet pyetja: A janë këto shenja që partia e Isa Mustafës do të lëshojë pe në momentin e fundit?

Mund të ndodhë që po. Ashtu qysh i kanë “harruar” vezët e përplasura mbi kokë, ashtu i “harrojnë” edhe akuzat e VV-së ndaj partnerit të mundshëm qeveritar!

Në të gjitha paraqitjet televizive, anëtarët e kryesisë së LDK-së, kanë treguar se është edhe jo gjithçka në rregull me VV-në, meqë programi qeverisës, sipas tyre, është 70% program i LDK-së. E, këtë e tha Skënder Hyseni.

E, kjo i bie që nëse do të ketë qeveri VV-LDK, kryeministri Kurti do e qeverisë vendin me program të LDK-së!

Dhe, me thirrjen e seancës për formimin e qeverisë së re për të hënën, në LDK gjërat kanë marrë kahun e mundësisë për pajtim me Albin Kurtin.

Në LDK, si duket, thirrja e seancës për formimin e qeverisë Kurti, të paktën, i ka rritur shpresat për arritjen e një koalicioni me VV-në, qoftë edhe me një gjysmë kryeparlamentari, deri në zgjedhjen e presidentit që do të jetë nga LDK-ja.

Me gjasë, LDK-ja ka nuhatur se takimet e Kurtit me “Listën Serbe” dhe me pakicat në Prizren, i ka lëvizur gjërat, andaj sikur kërkojnë shkasin që ta arrijnë marrëveshjen.

Zaten, nuk është rastësi pse edhe në LDK po deklarohen se janë shumë afër marrëveshjes. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË