Në një pasdite të diele të 21 shtatorit, Durrësi, Tirana dhe fshatra përreth u tronditën.

Një tërmet 5.8 ballë nxorri të gjithë në rrugë. Vendi ynë është një vend sizmik, por tërmet të kësaj magnitude nuk kishim ndeshur të paktën gjatë dy dekadave të fundit. Na u tha nga sizmiologët shqiptarë që e keqja më e madhe kaloi dhe tashmë do të duhet të duronim tronditjet më të lehta (after-shocks) derisa toka të stabilizohej. Pak a shumë na bënë të qartë një proces natyral të tërmetit dhe ne pak a shumë e besuam, edhe pse post-shokun (po shqipërojmë post-shock) e ndjemë për një kohë të gjatë. Deri sa erdhëm në të gdhirë të 26 Nëntorit, kur një tërmet edhe më i fortë, i magnitudës 6.4 tronditi jo vetëm Shqipërinë, por u ndje edhë Ballkan, la të plagosur rreth 600 vetë dhe të vdekur 8. Ky natyrisht nuk kishte se si të ishte një post-shok. Ky ishte një tërmet shokues. Nuk ke nevojë të studiosh shkencën e gjeologjisë për të kuptuar që toka jo vetëm nuk u stabilizua, por po na fshihte një stres akoma më të madh. Por a është e mundur të ndodhë kjo? Dhe a do të ketë të tjerë?

Deri pas tërmetit dhe më pas cunamit të vitit 2004 në Oqeanin Indian, që mori jetën e 274,000 vetëve, pak a shumë shkencëtarët ishin të sigurt se kishte vetëm një rrjedhë logjike të tërmeteve: Një tërmet i madh pasuar nga të vegjël.

Ross Stein, gjeofizikant pranë U.S. Geological Survey në SHBA tregon se pas cunamit dhe dy tërmeteve të mëdha në Kili dhe Japoni, (2010 dhe 2011) sizmiologët morën një leksion të ri: Tërmetet që pasojnë një tërmet të fuqishëm nuk janë thjesht spazma të tokës deri në qetësimin e plotë të saj; ato tronditje mund të nxisin tërmete të tjera. Marrim shembujt e Kilit dhe të Japonisë “Edhe pse këto tërmete ishin shkatërruese, prapë në gjuhën tonë ato konsiderohen fatlume, sepse nuk targetuan qytetet kryesore si Tokyo apo Santiago. Por tashmë këto dy qytete mund të jenë në më shumë rrezik, se post-tërmetet e vogla e kanë transmetuar stresin në zona të tjera sizmike më afër qyteteve. Dhe ky është lajm i keq për të ardhmen,” u shpreh Stein.

Në rastin e Shqipërisë, dy tërmetet e fuqishme, kishin të njëjtën epiqendër: Durrësin. Pak a shumë e njëjta situatë si në Kaliforninë e Jugut në 4 Korrik të 2019-ës. Vetëm se tërmeti i parë 6.4 ballë dhe tërmeti i dytë 7.2 ballë kishin një distancë gati 36 orë nga njëra-tjetra. Kurse në Shqipëri, 2 muaj e 5 ditë.

“Lëvizja e tokës që ndodh gjatë një tërmeti të madh, krijon tension në zonën përreth. Tërmetet janë mënyra se si Toka e çliron tensionin” shpjegon Susan Hough, sizmiologe në U.S. Geological Survey. Që do të thotë se në Shqipëri, në vend që tërmetet të shuheshin, duke ri-përhapur tensionin në koren e Tokës, nxitën një tjetër më të madh.

“Matjet e sotme shkencore janë sofistikuar dhe tashmë ne kemi kuptuar që ka potencial për disa tërmete që të vijnë nga një zonëe e vetme” shpjegon Hough.

Shqipëria është një vend sizmik, por prej 1 viti, duket sikur toka jonë po sforcohet shumë; përpara tërmetit që goditi qendrën e vendit (dhe që natyrisht përbën lajm më të madh), tërmete të njëpasnjëshme kanë goditur dhe vazhdojnë gati çdo javë të godasin zonën e Korçës. Nëse i hedh një sy aplikacionit Earthquake, përveç Durrësit dhe Korçës, këto ditë epiqendra të tërmeteve të lehta kanë qënë dhe Vlora apo Fieri. Të gjitha këto janë strese mbi Tokën edhe pse askush nga sizmiologët shqiptarë nuk na ka sqaruar ndonjëherë, nëse stresi i krijuar në zonën e Korçës përpara tërmetit të 21 Shtatorit, ka ndonjë lidhje me atë në Adriatik dhe a do të përcillet ky presion dhe në zona të tjera në të ardhmen.

Ndërkohë pas tërmetit të 21 Shtatorit, tërmetet e vogla nuk kanë ndaluar. Vetëm gjatë 25 Nëntorit ka pasur 5 të tilla me magnitudën më të lartë 3.5 ballë. Në të gdhirë të datës 26 Nëntor deri në rënien e tërmetit më të fuqishëm prej 6.4 ballë janë regjistruar nga ky aplikacion 5 të tjera dhe deri në këtë moment të këtij artikulli (11:45) kanë goditur vendin edhe 40 tërmete më të vogla, më i fuqishmi 5.5 ballë, shkruan Anabel.al

A do të ketë tërmete të tjera kaq të fuqishme?

Sizmiologu grek Akis Selenis, siguroi për ABC Neës se ky ishte tërmeti më i fuqishëm dhe nuk do të ketë të tjerë në këtë magnitudë. Por u shpreh se në after-shock do të ketë tërmete 5.5 ballë.

Susan Hough shprehet se shanset që dy tërmete të fuqishme të ndodhin njëra pas tjetrës, janë 1 në 20. Por sërish mundësia ekziston, siç ne e provuam në kurrizin tonë.

Pavarësisht rasteve të rralla dhe dashamirësisë së sizmiologut grek, Hough shton se “gjithsesi tërmetet nuk mund ta parashikohen. “Është njësoj si me motin. Nuk mund ta parashikosh motin me 100% siguri se do të bjerë shi, derisa ai të fillojë të bie. Kjo ndodh edhe me tërmetet.”

A na hyjnë në punë sizmiologët, për më tutje?

Ross Stein thotë se ka një lajm të mirë për sizmiologët, në raste kur ka dy tërmete të fuqishme njëra pas tjetrës. “ Sjellja dhe frekuenca e tërmeteve të vogla post-tërmetit të madh mund t’u japë shkencëtarëve një mundësi për të llogaritur shanset për një tërmet të dy të të madh, me më shumë saktësi sesa do të parashikonin tërmetin fillestar.

Por Stein punon pranë një institucioni shumë të fuqishëm si U.S. Geological Survey dhe ne nuk e dimë çfarë kapaciteti dhe mundësish kanë sizmiologët tanë për të bërë të tilla llogaritje. Nëse nuk munden, atëherë si një vend sizmik që jemi, do të duhej të bëhej prioritet investimi në këtë fushë.

Po me ne ç’do të ndodhë?

Duke bërë një llogaritje të përafërt të goditjeve post tërmetit të 21 Shtatorit që vijuan deri sot, atëherë presim ndoshta mbi 300 goditje të tjera dhe disa muaj të tjerë vigjilence dhe paranojë të shtuar. Nëse do t’i referohemi shkencëtarëve, mund ta quajmë këtë tërmet të 26 Nëntorit si të fundit në ciklin e tronditjeve të mëdha të kësaj vjeshte 2019. Por gjithsesi, nëse do t’i referohemi sërish shkencëtarëve, të ardhmen nuk e parashikojmë dot. Por përderisa jetojmë në një zonë sizmike, të paktën s’duhet t’ja falim më vetes që të mos informohemi se si të ruajmë kokën dhe të bëhemi gati për çdo rast.

“Është normale të kemi frikë” thotë Hough, “por nga ana tjetër duhet të jemi të përgatitur.”

MUND TË JU PËLQEJNË