Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të drejtohet në Gjykatë Kushtetuese për të sqaruar paqartësitë kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit të institucioneve të reja, si dhe të hapësirës kohore që ka partia e parë e dalë nga zgjedhjet për të propozuar mandatarin. Të paktën, kështu kanë deklaruar nga presidenca në një përgjigje për Televizionin T7.

Kreu i LV-së, Albin Kurti përmes një letre të gjatë që i ka përcjellë sot presidentit të vendit, Hashim Thaçit, ka kërkuar nga i njëjti që të mos bëjë presion për krijim të qeverisë së re, duke i kujtuar përgjegjësitë ligjore që ka si i pari i shtetit.

Kurti i ka kujtuar Thaçit, rivalit të tij politik ndër vite, se nuk ka në Kushtetutë të Kosovës afate kohore që flasin se kur mund të përcillet propozimi për mandatarin, pas seancës konstituive të Kuvendit.

Rrjedhimisht, ai nuk ka njoftuar se kur do të bëjë propozimin, duke bërë që ende do të mos futen në afatin prej 15 ditësh kur duhet të thirret seanca.

Për të sqaruar këtë, presidenca me gjasë do të drejtohet për interpretim në Gjykatë Kushtetuese. Kështu kanë deklaruar në një përgjigje me shkrim dhënë për Televizionin T7 nga ky institucion.

Nga zyra e presidentit deklarojnë se është përgjegjësi kushtetuese e presidentit funksionalizimi i institucioneve, e ai është i detyruar që të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të përmbushur detyrimin e tij.

Ata nuk kanë përjashtuar kërkesën në Gjykatë Kushtetuese për të sqaruar këto paqartësi, në mënyrë që sa më shpejtë të bëhet funksionalizimi i institucioneve të reja.

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, shkruhet në përgjigjen e presidencës, dhënë për Televizionin T7.

Sot ndërkaq janë bërë një javë nga takimi Thaçi – Kurti në presidencë, ku u bë e ditur se partia e parë e dalë nga zgjedhjet nuk e ka dorëzuar propozimin për mandatar.

Rrjedhimisht, presidenti deklaroi përmes një shkrimi në Facebook se i kishte dhënë afat prej 48 orësh Kurtit, derisa nga LV-ja, duke thënë se nuk do të përfillin këto afate që nuk janë kushtetuese, kanë deklaruar se do të dorëzojnë propozimin në ditët në vazhdim.

Në letrën që Kurti ka dërguar sot për presidentin, ndër të tjerash ka thënë se marrëveshja me LDK-në është drejt përfundimit./GazetaExpress/

MUND TË JU PËLQEJNË