Vendimi i kryeministrit, Albin Kurti, që të nisë me heqjen graduale të taksës, është në shpërputhje me interesat e shtetit të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Propozimi i Kurtit që të nisë me heqjen e taksës për lëndët e para nga Serbia, thellon krizën Kosovë-SHBA, sado që shumëkush mendon se Amerika nuk do ta përkëdhelë përjetësisht Kosovën.

Vlerësimi pozitiv nga Brukseli për heqjen e pjesshme të taksës, është stimulim për gabime të Albin Kurtit.

SHBA-të i ka dhënë impuls të ri zgjidhjes së problemit Prishtinë-Beograd, pikërisht për faktin se Brukseli evropian qe 20 vjet pas lufte nuk po arrin të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme të shtetit të Kosovës, me sa e sa misione të BE-së dërguar këtu, për ta bërë Kosovën shet ligjor.

Prandaj, nuk është e rastit që sot Brukseli ka reaguar me vlerësim pozitiv ndaj veprimit të kryeministrit Kurti.

Por, në anën tjetër, SHBA-ja ka reaguar negativisht ndaj heqjes së pjesshme të taksës, duke kërkuar heqjen e plotë të saj.

Me masat e shpallura nga Albin Kurti rreth taksës nuk do të pajtohet Serbia, po aq sa nuk do të pajtohet as me masën e reciprocitetit.

Vuçiçi po pret që qeveria e Kosovës të bëjë gabime të reja, duke mos i përfillur kërkesat amerikane, sepse, në këtë mënyrë, asaj nuk do t’i imponohet pranimi i planit amerikan për marrëveshje Prishtinë-Beograd.

Ai, pra Vuçiçi, të mërkurën e ka bërë deklaratën më të fuqishme prej kur është në pushtet në Serbi. Ka thënë: “Serbia pas heqjes se taksës do të ketë të pamundur ta refuzojë planin amerikan për njohjen e Kosovës”.

Kjo deklaratë lë të kuptohet se SHBA-ja po e kërkon heqjen e taksës, për ta detyruar Serbinë ta njohë shtetin e Kosovës.

Refuzimi i qeverisë Kurti për ta hequr taksën, është refuzim i SHBA-së, sado që opozita po këmbëngulë për mbajtjen e taksës në fuqi, për ta rrëzuar Kurtin nga pushteti.

Pompeo ka thënë të enjten hapur se ky rast është i vetmi që po u ofrohet palëve, prandaj kjo lë të kuptohet se pala që nuk e përfillë Amerikën, do e paguajë shtrenjtë.

Andaj, thyerja e shtizave mes Brukselit, që e lavdëron veprimin e Kurtit, si dhe të SHBA-ve, që kërkojnë heqjen e plotë të taksës, tregon se Evropa dëshiron ta rrëzojë Albin Kurtin, konkretisht Kosovën. E, kjo politikë e favorizon direkt Serbinë!

Albin Kurti, me gjithë kundërshtarët evropianë si majtist, e që e ka marrë pushtetin në Kosovë, sot të merr lëvdata nga Brukseli për heqjen e pjesshme të taksës, i ngjanë batutës gjakovare “hajt bacë t’u rrittë mendja!”.

Dhe, në rrethanat aktuale, pas këtij propozimi të Kurtit, do të rritet presioni mbi qeverinë Kurti, por LDK-ja zor që do e mbajë presionin amerikan.

LDK-ja, si parti institucionale, nuk guxon ta dëmtojë imazhin e vet në raport me SHBA-në, por as t’i dëmtojë marrëdhëniet me Amerikën, nëse do të jetë akoma në skenë si partia më domethënëse.

Sidoqoftë, lideri i saj historik, Dr. Ibrahim Rugova, ishte vizionari më strategjik i mbështetjes së shtetit tek SHBA-të.

Andaj, tamam puna nëse LDK-ja aktuale pranon të bëjë manovra politike me ata që nesër mund të mos e kenë më partinë mbi pragun zgjedhor. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË