Ndër kafshët më copëtuese të viktimës, pa dyshim, janë hienat. Ato pa kompromis e copëtojnë viktimën për së gjalli dhe secila që merr ndonjë pjesë ia mbathë në një anë të horizontit, shkruan “Kosovarja”.

Disi kështu e perceptoj edhe unë gjendjen në Kosovë, në luftën për pushtet të partive politike. Janë partitë politike me liderët e vet që synojnë të marrin pushtet për të qenë në krye të Kosovës në çdo kohë.

Politikanët hisen e marrin si hienat nëpërmjet tenderëve!
Me fjalorin e relevancës politike dhe me vizionin për zhvillimin ekonomik e të punësimit, e i cili kurrë nuk u realizua për masën popullore, ata, zakonisht, vijnë për të marrë hisen si hienat nëpërmjet tenderëve me miliona euro!

Shkatërrimi i rrugës për në Mitrovicë është një mallkim që u bëhet udhëtarëve, të cilëve u duhen dy orë rrugë nga Prishtina deri në Mitrovicë!

Dhe, askush nuk qan kokën për shpenzimet që i bëjnë shoferët për katër orë rrugë nga Prishtina në Mitrovicë dhe anasjelltas.

Synimi i autostradës së Dukagjinit, edhe një mundësi përfitimi për politikanët tanë!
Si për ironi dhe inati të rajoneve të tjera të Kosovës, po bëhen plane për fillimin e autostradës më të re në Kosovë, autostradës së Dukagjinit, e cila, nëse realizohet, do të kushtojë mbi 1 miliard euro, ose pak më pak se një buxhet vjetor i Buxhetit të Kosovës!

Dhe, pse planifikohet një gjë e tillë? Që të përfitojë dikush dhe asgjë tjetër!

Se, kush e pyet popullin a është e nevojshme një autostradë e tillë a jo, madje tash për tash, kur varfëria në Kosovë është në kulm. E më vonë, kur këndellet pak popullata është tjetër punë..

Se, për popullin dhe punësimin e fukarasë as që mendon kush…

E, qytetari ynë ka ardhur në atë gjendje që të mos ketë para të paguajë as faturën e rrymës, e lëre më për nevoja të tjera jetësore…

Andaj, po qe se fillojnë punimet për autostradën e Dukagjinit, në këtë situatë varfërie, është krim ekonomik. Krim për shumë arsye:

Një, për shpenzime të panevojshme që do i bëhen shtetit, meqë Kosova si shtet as që ka nevojë për një autostradë të tillë;

Dy, se popullit të Kosovës po i merret buka e gojës, meqë autostrada do kalojë nëpër ara e fusha, pasi që vetë relievi i Dukagjinit është me ara buke e livadhe që shërbejnë për ushqim të bagëtisë etj.

Kështu, populli i varfër ka mbetur në udhëkryq. I ka mbetur vetëm të lutet me fjalët “Zoti e bëftë hajr!”. S. Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË