Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka uruar të gjithë sportistët për nisjen e realizimit të ëndrrës së gjithë qytetarëve, për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit.

Kreu i Kuvendit u falënderua nga të gjithë futbollistët e përfaqësueses për mbështetjen e vazhdueshme që u ka dhënë e po u jep atyre.

Milot Rashica tha në ceremoninë e prezantimit të stadiumit se lojtarët do ta kthejnë këtë shpërblim me lojëra të bukura.

Ai e falënderoi Kryeparlamentarin Veseli për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë për përfaqësuesen e Kosovës.

Menjëherë pas prezantimit të projektit të stadiumit, Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se do të vazhdoj ta përkrah sportin dhe do të vazhdojnë investimet në terrene të mira sportive për rininë e Kosovës.

“Stadiumi Kombëtar i Kosovës nuk është më një ëndërr. Sot e prezantuam projektin e tij, e së shpejti fillojmë edhe ndërtimin. Ky projekt i jashtëzakonshëm, më i bukuri në Ballkan, tregon se shteti i Kosovës po ecë përpara, po ndërton të ardhmen. Kombëtarja e Kosovës, me suksesin e saj, me punën e jashtëzakonshme dhe ekipore, është shembull se bashkë realizojmë qëllimet tona. Përgëzoj ministrin Kujtim Gashi për përkushtimin e madh që ky projekt të jetësohet. E gëzofshim arenën e dardanëve!”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook. Stadiumi kombëtar i Kosovës pritet të nisë së ndërtuari në muajin gusht të këtij viti. Ai do t’i ketë 30 mijë ulëse dhe pritet të jetë stadiumi më i bukur në rajon./KP/

MUND TË JU PËLQEJNË