Kadri Veseli për të tretën herë, brenda pak muajsh, i ka dalë kundër ish-shefit të tij të partisë Hashim Thaçi. Për dallim nga hera e fundit kur Veseli – që sot drejton partinë dikur të Thaçit – ka qenë tepër i ashpër ndaj Presidentit, këtë herë kryeparlamentari ka qenë më i kujdesshëm në kundërshtimin e tij ndaj ish-bashkëpunëtorit të ngushtë. Shfuqizimi i Speciales dhe dëbimi i gjashtë shtetasve turq ishin përplasjet e para mes Veselit dhe Thaçit, ndërsa edhe ideja për korrigjim kufijsh të Kosovës po i ndan ata. Megjithatë, edhe sikur për rastin e Speciales, edhe këtë herë Veseli fajin kryesor është munduar ta lërë te opozita.

Në dhjetor të vitit të shkuar, Kadri Veseli, sikurse edhe Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj ishin munduar që përmes deputetëve të tyre të thërrisnin një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale.

Krejt kjo si ide që i kishte rënë ndërmend presidentit Hashim Thaçi, për t’i shpëtuar tribunalit që rrezikon ta gjykojë për krime lufte.

Dështimi i kësaj përpjekje që kishte nisur natën vonë të 22 dhjetorit 2017, e më pas pushimet për festat e fundvitit, kishin bërë që kryeparlamentari Kadri Veseli të ndërronte krejtësisht qëndrim.

Veseli, sikur kurrë më parë, doli kundër Hashim Thaçit. Për ta bërë këtë ai gjeti si formë shkrimin. Kryeparlamentari Veseli më 8 janar 2018, në media dërgoi një artikull të gjatë me titullin “Mbi dramën e Gjykatës Speciale”. Në të, Veseli thoshte se Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova, por ajo do të ndodhë.

“Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë. Ne duhet të jemi të përgatitur dhe të bëjmë krejt çka është e mundur që dëmtimi i shtetit të jetë sa më i vogël. Nuk është fare çështje fati individual. Çështje është dëmtimi i padrejtë nga doktrina e barazimit moral të palëve të përfshira në luftë”, shkruante kreu i PDK-së.

Megjithatë, edhe pse shfuqizimi i Gjykatës Speciale ishte ideja e Thaçit, Veseli në këtë shkrim u munda të gjente faj “sa për sy e faqe” edhe tek opozita. Njësoj, kreu i Kuvendit bëri edhe sot. Në deklaratën e tij të parë rreth idesë për ndarje, shkëmbim apo korrigjim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë Veseli që doli kundër këtyre ndryshimeve faj i la LDK-së për planet e Hashim Thaçit.

Edhe këtë herë Veseli përdori mënyrën e botimit të shkrimit autorial nëpërmjet mediave.

“[…] le të ndalemi e të rikujtojmë të gjithë se si nisi e tërë kjo. Kur propozuam tryezë partish, me qëllimin që në mënyrë demokratike t’i bisedojmë të gjitha çështjet serioze të dialogut dhe jo vetëm, e pastaj, përmes konsensusit dhe në mënyrë institucionale e të argumentuar, t’u japim zgjidhjen më të mirë këtyre çështjeve – kjo iniciativë nuk u përmbush, shkaku i mosbashkëpunimit partiak, i motivuar krejtësisht nga agjendat e ngushta partiake, e aspak shtetërore. […] Partitë politike opozitare në Kuvend nuk pranuan të jenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore, pjesë e dialogut, i cili adreson interesat e shtetit, e jo të partive politike. Fatkeqësisht, sindromi i vjetër i bajraktarizmit primitiv po shfaq shenjat e tij në krejt këtë situatë”, shkruan Veseli.

“Sigurisht që përgjegjësinë kryesore për këtë e bart LDK-ja, e cila, në njërën anë, poshtë e lart, vetëpromovohet si parti institucionaliste, derisa, në anën tjetër, praktikisht vepron kundër frymës institucionale. Respektimi i kësaj fryme sot, më shumë se kurrë në këto dhjetë vite, është domosdoshmëri dhe obligim i të gjithë përfaqësuesve politikë në vend”, ka shkruar kreu i PDK-së, në shkrimin “Kosova do të hyjë në OKB me kufijtë e saj të pavarësisë”, i botuar të hënën në Gazetën Express.

Veseli, në të njëjtin shkrim, ndonëse nuk e përmend fare me emër Hashim Thaçin, për idenë e këtij të fundit për tu ndryshuar kufijtë e Kosovës, thotë se është plan i kahershëm i Serbisë për të sjellë tensione të reja në Kosovë dhe për të krijuar përshtypjen tek ndërkombëtarët se vendi ynë është jostabil.

“Ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999. Kosova nuk ka asgjë për të dhënë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe integriteti territorial i saj është i pacenueshëm. Kosova do të hyjë në OKB, NATO dhe BE me kufijtë e saj të pavarësisë”, shkruan në fund të tekstit të tij Kadri Veseli.

Por për dallim nga këto hera, në mars të këtij viti Kadri Veseli kishte guxuar të godiste direkt politikat e Hashim Thaçit. Pa gjetur një fajtor të ndërmjetëm. Madje kjo herë ishte thënë se kishte ndikuar fort në marrëdhëniet e dy figurave kryesore të PDK-së për vite të tëra.

Fjala është për rastin e kidnapimit dhe dëbimit të gjashtë turqve nga Kosova, për t’iu dorëzuar Erdoganit që i përndjek të njëjtit si gulenistë. Veprim ky i autoriteteve kosovare që u ndërlidh menjëherë me Hashim Thaçin, si urdhërdhënës i aksionit të 29 marsit 2018.

“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, kishte shkruar atë ditë Veseli në Facebook.

“Si shtet demokratik, Kosova në mënyrë institucionale duhet të adresojë përgjegjësinë ligjore të akterëve të involvuar në këtë rast. Po ashtu, arrestimi i shtetaseve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqësojë Kosova. Kosova s’ka alternativë tjetër veç rrugëtimit evropian. Kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesve arbitrarë të tij”, thoshte kryeparlamentari në deklaratën e tij, e cila me gjasë i atribuohej veprimeve të Hashim Thaçit.

Madje, nuk kishte mjaftuar me kaq, Veseli edhe në një nga seancat e Kuvendit të thirrura për t’u diskutuar ky rast, kishte kërkuar të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të implikuar në dëbimin nga Kosova të gjashtë gulenistëve. Kushdo qofshin ata, kishte thënë Veseli, duke kërkuar llogari për aksionin e kidnapimit të turqve që kishte ndodhur në Prishtinë, Prizren e Gjakovë.

MUND TË JU PËLQEJNË