Numri i madh i aksidenteve në komunikacion si dhe numri i atyre që përfundojnë me fatalitet ka shtuar pasigurinë e qytetarëve në komunikacion. Vetëm deri në javën e parë të këtij muaji kanë vdekur 26 persona në aksidentet rrugore.

Emisioni Udhëve ka arritur të identifikojë disa raste te personave që në formë korruptive janë bërë me patent-shofer.

Një i ri në kushte anonimiteti rrëfen se si në formë të kundërligjshme e ka marrë patent-shoferin.

“Që katër vite jam kanë në një auto-shkollë tjetër, jam rrëzuar prej testit të parë edhe tani kam pritu me mësuar, kam dëgjuar që me pare mundesh me e marr, kam shkuar e kam kontaktuar edhe m’i ka lyp 400 euro, 200 mi ka lyp para se me hy në test, mas testit si e kom kalu i kom jap edhe 200 tjera”, rrëfen ai.

Ai thotë se ka edhe shumë të tjerë që e marrin patent – shoferin në formë të kundërligjshme, ndërsa thotë se e gjithë forma korruptive shkon përmes instruktorit dhe ekzaminuesit të auto-shkollës.

“Instruktorit të asaj auto-shkollës ja kom jap 200 tani si e kom kaluar testin ja kom jap edhe 200 … Nuk e di me e cek me numra po ka edhe shumë të tjerë, shumica e të rinjve kom dëgjuar që janë t’u e bo qet sen, atëhere kur e kom marrë unë u kanë 400 e tash po thojnë që duhet 500 euro”.

“Kur e kom bo pagesën unë vetëm e kam nënshkruar testin edhe kam prit, tani kom dal jashtë e kur jam kthyer e kam jap 100 përqind”.

Ai beson se shkaku i aksidenteve janë po këta të rinj që lejen po e marrin pa u aftësuar mjaftueshëm.

“Na qe jemi tu e marrë me pare edhe s’po jemi të aftë mjaftueshëm me dal në rrugë tani shkaku i aksidentit është kjo”.

Edhe pse Ministria e Infrastrukturës nuk e ka rishikuar idenë e rishikimit të kandidatëve pasi ata të marrin patent- shoferin, se a janë të aftë të vozisin edhe në kushte të vështira, kjo Ministri githashtu nuk i rishikon as patent-shoferët e lëshuar.

Në shkurt të këtij viti, një aksident në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit, tronditi të gjithë vendin, Tre anëtarë të një familje mbeten të vdekur, kur automjeti i tyre, u godit me një kamion që po hidhte kripë në rrugë.

Në shtëpinë e familjes Sopi në Zhur, tani jetojnë vetëm dy të moshuar. Sipas të dhënave të Policisë, shkaktari i aksidentit ishte ngrica në rrugë, ku automjeti e kishte humbur kontrollin e automjetit.

“Unë i kam humbur tre anëtarë të familjes, dhëndrin me dy nipat. Dhëndrri ka qenë 50 vjeçar, Lumbardhi (nipi) ka qenë 22 vjeçar dhe Behari( nipi) ka qenë 24 vjeçar, të tretë e kanë humbur jetën në aksident”, tregon Ramadan Ajazaj, familjar i viktimave.

“M’lajmruan në telefon vetëm për Beharin se ai ka qenë shofer, mandej kur shkuam në vendin e ngjarjes thanë dy pasagjerë se për tre nuk e kemi ditë… Shkuam me e lajmëruar babën në punë, një çikë na tha se e kanë marrë dy djemtë e vet edhe ka shkuar për Zhur, kështu që kur na tha ashtu e ditëm që janë të tretë të familjes. Tre anëtarë të një familje”, rrëfen ai me dhimbje.

Ai i bën apel Policisë për shqiptimin e dënimeve të ashpra për ngasësit e pakujdesshëm.

“Po ndodh shumë te këta të rinjtë, nuk e di se si po i marrin lejet a çka po bojnë, sepse shumica e rasteve po janë me të rinj”, thotë Ajazaj me shqetësim.

Një i ri tjetër në moshën 21 vjeçari nga fshati Bllagaj i komunës së Pejës, kishte humbur jetën në vetëaksident të komunikacionit.

Nëna e tij, e përshkruan si djalë të qetë dhe të kujdesshëm në komunikacion, por thotë se ishte koha e vështirë në rrugë që u bë shkaktare e aksidentit.

“Me 2 mars të vitit 2018 ka pas vet aksident, u kanë në Prishtinë duke u kthyer në Llapushnik, u kanë ajo natë shumë ngritë u kanë ftoftë i madh…edhe t’u u kthyer ai ka pas aksident, edhe fill ka ndërruar jetë”, tregon nëna e Agron Çekut, Time Çeku.

Ajo tregon që ishte lajmi më i trisht që kishte marrë.

“ Mu ka ardhur vajza e madhe me ka zgjuar prej gjumit, më ka thanë: Nënë a po qohesh se Agroni ka bo aksident por nuk më ka tregu, se ajo e ka ditë që ka ndrruar jetë, po mu s’me ka tregu fill, atëherë kom dashtë me e thirrë djalin, m’ka thënë: Nënë mos e thirr se është në gjendje shumë të rëndë, unë s’e kom ditë që është dek fill, atëherë burri ka ardhur prej pune dhe m’ka thënë se me u bo e fortë se Agroni veç s’e kemi mo… Shumë e rëndë për neve ..”.

Time Çeku vetëm disa orë para aksidentit po festonte ditëlindjen e saj bashkë me Agronin.

“Pej ditëlindjes teme veç i kemi bo do fotografi edhe ka thënë Nënë po shkoj … edhe a beson i ka bo do fotografi shpejt e shpejt, as nuk jam qu me e përcjellë, se as mendja s’me ka shkuar qe nuk e shoh mo, aët ditë e kom pas ditëlindjen, ai shkoi e nuk u kthyermo… po kush e ka festuar ditëlindjen, s’festoj mo ditëlindje…”.

Nëna e cila në moshën 21 vjeçare e kishte humbur djalin e saj, thotë se tani dhimbja është vetëm më e madhe. Ajo thotë se tani ka frikë edhe të dalë në qytet me veturë.

Për Policinë e Kosovës statistikat e aksidenteve në vend janë mjaft shqetësuese. Që nga viti 2003 e deri më tani në aksidentet rrugore kanë humbur jetën 2 mijë e 308 persona.

Jeton Rexhepi, ushtrues detyre i Drejtorisë për Komunikacion Rrugor, thotë se Policia e Kosovës e ka shtuar numrin e gjobave të shqiptuara në vitet e fundit, si dhe numrin e patrullimeve në rrugët e vendit, por që sipas tij, rezultati është i vogël.

“Në qoftë se flasim me periudhën e njëjtë të këtij viti janar – prill të vitit 2019 e ka karakterizuar që numri i aksidenteve me fatalitet, gjegjësisht i personave me vdekje ka shënuar një rritje, që këtë vit i kemi 6 aksidente më shumë me fatalitet apo i kemi 7 persona më shumë që këtë vit kanë humbur jetën krahasim me tre mujorin e viti 2018”, thotë Rexhepi.

Ndërsa për Nol Dedën, ekspert i komunikacionit, në Kosovë ka mungesë të sinkronizimit të shenjave të komunikacionit.

“Sinjalizmit në Kosovë duhet t’i kryhet një auditim, meqenëse sinjalizimi nuk është i sinkronizum vertikal edhe horizontal, pastaj ka mungesë të shenjave të urdhëresës së prerë, pastaj të shenjave të paralajmërimit, dhe pikërisht janë këta faktorë që binë shpesh edhe deri tek fatalitet”, tregon Deda.

Ministria e Infrastrukturës nuk e pranon që shkaktari i aksidenteve mund të jenë rrugët e Kosovës dhe mosmirëmbajtja e tyre. Ndërsa thotë qe ata nuk e kanë menduar idenë e ritestimit të shoferëve të rinj pas kalimit të fazës dy vjeçare të vozitjes, kur edhe konsiderohen shofer të rinj.

“Ne këtë ritestimin nuk e kemi rishikuar dhe kemi konsideruar që shoferi duhet të dijë t’i përshtat aftësitë e tij ngasëse në të gjitha kushtet klimatike, dhe për këtë trajtim të ngasjes në akull nuk e kemi objektiv”,

Marrja e patent-shoferit pa u aftësuar mjaftueshëm dhe në mënyrë të kundërligjshme sjellë edhe pasojat me jetë në komunikacion.

Sipas Policisë së Kosovës, shumica e shkaktarëve të aksidenteve, sidomos atyre të rënda dhe me fatalitet janë moshat e reja, dhe shoferët e rinj në komunikacion, të cilët nuk janë mjaftueshëm të aftësuar për t’ju përshtatur rrugëve në varësi të kushteve klimatike.

“Shoferet e ri nuk e kanë përvojën e mjaftueshme dhe perceptimin e mjaftueshëm për ngasje të veturës në rrugë publike qoftë ato lokale, rrugë nacionale dhe në autostrada . Bazuar në të dhënat që i posedojmë, numri më i madh i aksidenteve qoftë i atyre me lëndime, qoftë i atyre me fatalitet, shkaktaret mbi 40 përqind janë shoferët e moshës nga 18 deri në moshën 30 vjeçare dhe nëse folim 31 -45 vjet është një përqindje rreth 20 përqind … Ne në vazhdimësi kemi kërkuar që kriteret për me ardh deri te patenta të jenë më të ngritura dhe me të ashpra dhe të kemi një kriter më të lartë të kryerjes së dy testeve, qoftë testit me shkrim dhe pjesës praktike të ngasjes së mjetit”, thotë Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës.

Kryetari i Federatës të Auto-shkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli, thotë se ka dyshime në vlerësimin që japin ekzaminuesit në momentin që një kandidat e kalon testin e vozitjes. Ai thotë se duhet të shtohet numri i vlerësuesve në këtë pjesë të testimit, pasi që është mjaftë e rëndësishme.

“Për shkak se në vlerësimin e kandidatëve e kemi vetëm një egzaminer që e vlerëson, ku ne si federatë kemi kërkuar që këtij komisioni t’i bashkëngjitet edhe një person tjetër nga Njësiti i Trafikut të Policisë së Kosovës apo të jetë edhe një kandidat në vlerësimin e këtyre kandidatëve pasi që ata kanë njohuri të shumta rreth komunikacionit… Vlerësimi me një egzaminer po e kam shqetësimin që nuk është shumë real”, thotë Cakolli.

Kandidati që tash është pajisur me patent-shofer falë 400 eurove që i ka dhënë për të korruptuar njërin nga ekzaminuesit, tani është shofer në rrugë, kjo besohet që nuk është e vetmja.

Ministria e Infrastrukturës e pranon që mund të ketë defekte në formën e vlerësimit të kandidatëve, edhe pse gjatë vlerësimit të tyre, ekzaminuesit monitorohen nga kamerat.

“Deri tash është besuar që instalimi i kamerave që është në vetura kemi konsideruar që ka qenë i mjaftueshëm që të jetë një lloj vëzhgimi, një lloj monitorimi i situates, por si duket as kjo formë s’ka qenë e mjaftueshme, atëherë do të rishikojmë organizimin e formës tjetër të testit praktik… Të rritet niveli i panelit vlerësues që në të ardhmen të kemi sa më pak aksidente,.. do të jetë një objektiv i yni i shpejt”, thotë Selimaj. /Indeksonline/

MUND TË JU PËLQEJNË