Ulur në betonin e trotuarit para ndërtesës, një djalë i ri përlotej, duke mallkuar nënën dhe babanë. Në fakt, ai nuk e kishte asnjërin pranë vetes, edhe pse të dy jetonin, shkruan “Kosovarja”.

Nëna jetonte prej vitesh në një shtet evropian, kurse babai në Prishtinë, por që sillej sa poshtë e sa lart. Një baba me shumë probleme, e që i kishte hapur gjatë martesës.

Dhe, pasi kishin lindur të dy fëmijët, ishin ndarë. Njëri fëmijë jetonte me nënën, ndërsa tjetri me babanë, të cilin rrallë e shihte.

Prindërit kishin menduar t’i hakmerreshin njëri-tjetrit, duke i qëruar hesapet përmes djalit. Nëna, e që ishte gjetur para aktit të fundit të jetë a të mos jetë, kishte ikur jashtë, duke e lënë fëmijën e madh në mëshirën e rrugës…

Sa herë kaloja aty pranë, ai qëndronte në atë beton. Nëse do të binte shi, ai do të futej nën mbrojtjen e ballkonit, që të mbrohej nga shiu. Luante me gurë. Me gurin e madh u mëshonte guralecëve. E priste babanë duke luajtur…

Një ditë, tek kaloja rrugës, e shikoja atë fëmijë që kishte mbetur thuajse tërë ditën i vetëm. I thashë tim biri, D., ta merrte shembull se ç’jetë të rëndë bënte ai djalosh.

Djalit tim i erdhi keq. Ai e njihte nga shkolla dhe kishte fare pak muaj pas tij. Nuk ka bukë babë, nuk ka çka hanë. E njohim të gjithë në lagjen tonë.

Për një moment më iku mendja nga koka. Krahasimi me kujdesin tim ndaj fëmijës është si toka me qiellin.

Kur e kisha quar D. për analiza laboratorike për të mirën e shëndetit, desha ta kompletoja edhe me një analizë të re, që nuk e kishim bërë kurrë.

Laboranti me përvojë, në Prishtinë, më tha se është bërë si fushatë që prindërit t’u bëjnë fëmijëve edhe analizën e kujdesit narkotik, sepse Prishtina është mbushur me gjithçka dhe prindërit e kujdesshëm po e bëjnë këtë test për fëmijët e tyre.

Madje, më tha, mund të jetë testi anonim, me shifër apo me nofkë. Me rëndësi është që secili prind ta di gjendjen e fëmijës së vet, nëse po merr diçka tinëz apo jo…

Unë, si pa dashje, e pyeta:
“Po, vajzat, a e bëjnë këtë test?”.

Laboranti më dha përgjigje të rrufeshme:
“Më shumë se djemtë!”.
Me atë përgjigje, mu kujtuan se si vajza të reja afër zyrës sime, derisa kaloj me veturë, ulur në shkallët e fasfodeve, zgjasin këmbët në asfalt dhe nuk i tërheqin pa i rënë burisë furishëm. Pastaj, i tërheqin këmbët duke qeshur…

Më shkuan në mendje edhe veshjet e tyre provokuese dhe si puthen në rrugë me djem të brezit të vet…

Dhe, teksa flas me laborantin, më ikë mendja edhe më keq. Kisha lexuar se si një nënë ishte detyruar ta thërriste policinë disa herë në ditë për ta quar të birin në burg, pasi ai e rrihte sa herë që nëna nuk kishte para t’i jepte…

Qante dhe dëneste kur ai gjendej në burg, mirëpo as që gëzohej kur e lironin, meqë e dinte se sërish do e rrahë…

Në ditën e fundit kur i ishte liruar djali nga burgu, ajo i ofroi të vishte këmishë të bardhë. Dhe, kur ai e veshi, nëna e pa se këmisha i binte e madhe. Ishte dobësuar dukshëm.

Kur mbaroi storia që mu soll në mendje, laboranti ende po fliste para meje. Po fliste, por unë isha shkëputur nga rrëfimi i tij. Vetëm sytë më kishin mbetur te buzët e tij që përplaseshin mbi njëra-tjetrën.

“Do të thuash mjerë ne që jemi prindër, a?!”, i thashë laborantit.
“Jo, vetëm se duhet prindi të kujdeset vazhdimisht për fëmijët e vet. Ka ardhur kohë e keqe. Në çdo skutë gjen të rinj që rrinë kot”, më tha ai.

Dhe, teksa e dërgonim D.-në në laborator, u bëra vetë i njëqindti. Mendja më kishte humbur nga fjalët që dëgjova prej laborantit.

“Bir, edhe një analizë duhet ta bëjmë!”, i thashë.
“Po ne, sapo i kemi bërë dje!”, më tha dhe vazhdoi: “Edhe vetë e pe se i kisha mirë të gjitha”.
“Do e analizojnë vetëm edhe urinën dhe përfunduam!”, i thashë.

Dhe, shyqyr Zotit, analiza i doli mirë… Kjo analizë na e lehtësoi shpirtin mua dhe gruas, e që frikësoheshim pa masë…

Më e keqja është kur të rrahë Zoti!
Në mbrëmje, me të hyrë në shtëpi, D. kishte hapur telefonin dhe, i motivuar të lexojë, kishte gjetur çudinë: Me para mund të shkosh turist në univers! Të vizitosh planetët dhe yjet, të shohësh gjithë atë që nuk e shohim nga toka…

Unë, megjithatë, nuk mund të shkoqesha nga pamjet e djaloshit që jetonte vetëm, kurse prindërit i kishte gjallë…

Gruaja nisë të flet e ta qortojë D.-në se si nuk dëshiron ta sheh kurrë më me atë shok, për të cilin nuk kujdeset askush. Madje, i thotë se po të pash me të do i rrahë të dy…

Unë i bërtita gruas.
“Po e rrahe atë djalë, do të ndahemi! Mjaft e ka rrahë Zoti!”, i thashë.

“Ti nuk je nënë, prandaj ke shumë ideale dhe nuk sheh gjë tjetër veç librit”, më thotë ajo, më shumë për ta përmbyllur muhabetin. Sokol Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË