Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkak të situatës me coronavirus, (MASHT) prej sot fillon së zbatuari procesin mësimor online për klasën 1 deri 5, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë prodhimi i materialit për klasën 6 deri 9, dhe më vonë edhe për gjimnaze dhe shkolla profesionale.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami në një konferencë për media ka deklaruar se mësimi në distancë nga klasa 1 deri 5 do të jetë fillimisht në gjuhën shqipe dhe matematikë, të cilat do të transmetohen në RTK1 dhe RTK4.

Ajo tha se janë duke punuar edhe në dy platforma, ku njëra prej tyre do t’i përmbajë të gjitha xhirimet e disponueshme për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit dhe tjetra do të përmbajë mësim alternativ, të ofruar nga operatorë privatë.

Ndër të tjerash, ministrja Bajrami bëri të ditur, se nga e hëna do të prodhojnë material për klasat 6 deri 9, e më vonë do të hynë edhe në gjimnaze dhe shkolla profesionale.

MASHTI ka bërë të ditur se mësimi online fillon nga ora 11:15 në RTK1 dhe RTK4.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Leonora Shala deklaroi se materiali i përgatitur është shumë i dobishëm për nxënësit.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se me anë të kësaj platforme të mësimit online, nxënësit nuk do të mbesin mbrapa në mësime, teksa u shpreh i bindur se do të kalohet edhe kjo sfidë me sukses.

MUND TË JU PËLQEJNË