Kur i kisha 18 vjet, luaja lojëra kompjuterike. Luaja kur isha i mërzitur dhe luaja disa orë para provimeve. Luaja kur isha i lumtur dhe i pikëlluar. Luaja për ta shpërblyer veten kurdo që merrja ndonjë rezultat pozitiv në shkollë ose për ta ngushëlluar veten kur merrja rezultate negative. Vazhdoja të luaja kur isha në varg fitoresh dhe sidomos kur isha duke humbur.

Marvin Xin Ku

Tash, tetë vjet më vonë, kam mbetur duke e pyetur veten: A isha i varur ndaj lojërave kompjuterike? Në vitin 2018, Organizata Botërore e Shëndetësisë e njohu varësinë ndaj lojërave kompjuterike si sëmundje. Më pas, në maj të këtij viti, katalogu i ri i sëmundjeve u ndryshua për ta futur në listë varësinë ndaj lojërave kompjuterike si çrregullim.

I kisha dhjetë vjet kur u bëra me kompjuterin e parë. Ishte një kompjuter i dorës së dytë, i cili shpesh më jepte shok elektrik kur ndizej. Unë duhej të përgatitesha për provimet në akademinë muzikore, por në vend të praktikimit të lojës në piano, unë i udhëhiqja ushtritë e Mesjetës në lojën “Age of Empires II”.

Sa herë që i dëgjoja hapat e babait shkallëve, ngutesha që të largohem nga ulësja përballë kompjuterit dhe të ulesha para pianos në dhomën tjetër. Shpesh, ai shkonte te kompjuteri dhe e vendoste dorën mbi të, për të kontrolluar nëse ajo pajisje ishte ende e ngrohtë. Ajo ishte e ngrohtë pothuajse gjithmonë.

Përderisa adoleshentët e tjerë pinin dhe zbaviteshin nëpër ndejat që i organizonin në shtëpitë e tyre, shoku im dhe unë e gjenim rrugën për të luajtur në lojën “Call of Duty 4” dhe më pas “Counter Strike”. Koha nuk kalonte me orë, por me runde. Shumicën e kohës luanim natën dhe deri në mëngjes, pa e kuptuar se dielli kishte dalë disa orë më parë.

Në atë kohë, kurrë nuk mendoja nëse unë po e kontrolloja hobin tim apo ai po më kontrollonte mua. Ndoshta sepse kurrë nuk ndihesha si i varur apo ndoshta nuk kisha arsye për t’u ndier me faj. Ajo që e di sigurt është se lojërat kompjuterike më bënin të ndihesha i lumtur.

Sidoqoftë, nëna ime nuk e sheh tërë këtë njësoj si unë. Ajo ishte e shqetësuar për mua dhe madje një herë kishte qarë, kur unë qëndroja si i ngrirë para ekranit. E thirra në telefon para disa ditëve dhe i thash se dua të shkruaj për kohën time si lojtar i lojërave kompjuterike. Ajo qeshi dhe më tha: “Më në fund!”

Nëse më ka mbetur diçka pas tërë kësaj, është dëshira që t’i kthej disa gjëra nga ato që i kam bërë në të kaluarën. T’i kthej fjalët që ia thosha nënës me zë të lartë. Darkat familjare, në të cilat refuzoja të merrja pjesë. Një pullë për rikthimin e asaj jete të vërtetë do të ishte e mirë në këto çaste. Përktheu: Nasuf Abdyli

MUND TË JU PËLQEJNË