Natën Serbia i solli tanket në Kosovë që të mos shqetësohej populli, sepse serbë e shqiptarë ishin pajtuar në Bruksel dhe më nuk kishte probleme të pazgjidhura. U pajtuan me të gjitha mospajtimet. Të huajt nuk qëndruan më në Kosovë, sepse i kemi lodhur duke u thënë se UÇK-ja e ka çliruar Kosovën…

Për tetëmbëdhjetë vjet kisha jetuar i qetë dhe i lumtur, duke shëtitur andej-këndej Kosovës: herë Republikës së Kosovës, herë shtetit të Kosovës. Isha takuar vetëm me komandantë. Me ushtarë të UÇK-së, çuditërisht, nuk kam arritur të takohem, sepse nuk gjeja të tillë. Cilindo që e takoja, ishte komandant: “Unë komandant filani… unë komandant…”.

Këndej, ku shtrihet republika, kam bredhur e ecur. Ndërkaq, andej lumit Ibër kam kaluar vetëm dy herë. Nuk ishte e lezetshme të kalohej andej, prandaj nuk kisha as nevojë të dilja shpesh. Sikur thoshte një komandant: “Jo që kisha frikë, por nuk është mirë të takohesh me ata që luftuam…”.

Po, ja që u bën tetëmbëdhjetë vjet pas lufte dhe republika jonë po lëngon akoma. I ka njëmijë plagë në trup. Sikur të dija të bëja poezi, kushedi çfarë poeme do të dilte prej republikës sime.

“Pse i thua republikë?”, më pyeti Drini, një pasdite, teksa e mora në dorë një raki të fortë, asi që “e ndezë” edhe veturën!

I thashë: “Ashtu, më ka mbetur në shpirt republika, sepse kemi luftuar shumë për republikë. Jemi burgosur për republikë. Kemi shpërndarë afishe për republikë”.

Për shtet nuk di që kemi folur atëbotë. A ka dikush që është dënuar për shtet të pavarur të Kosovës? Një të tillë nuk di… Pra, të gjithë i kemi pasur sytë kah republika…

Ata që nuk besojnë, po e plotësoj me të dhënat se çdo aktivitet për Kosovën gjatë viteve 1980-90 bëhej me flamurin e Jugosllavisë dhe flamurin kombëtar shqiptar.

Edhe kur kemi ecur këmbë në grevat e punëtorëve për ta mbrojtur Azemin e Kaçushën, edhe kur kemi fjetur në qytet duke protestuar, jemi rreshtuar pas flamurit të Jugosllavisë dhe flamurit tonë kombëtar. Sidoqoftë, flamurin e Jugosllavisë nuk e kemi dashur, por e tillë ishte politika…

Ishte një maskë për të mos na vrarë, se po të dilnim pa atë flamur do na vrisnin, duke na akuzuar se ishim irredentistë, që përmbysnim rendin kushtetues të Jugosllavisë. Aq shumë i kemi përdorur flamujt në greva e protesta, sa na mbeti një rrebe, një ves: Askund nuk dilnim pa flamuj!

E, kur doli kënga “Kuq e zi”, e që i dedikohet flamurit tonë kombëtar, u mësova, çuditërisht, ta dëgjoja çdo moment dhe u mishërova me të. Posa u ula në kafe me kolegë pune, i pyeta mos i kishte ndodhur gjë flamurit, sepse nuk e kisha dëgjuar prej ditësh këngën që u bë hit. Ndjeva nostalgji të thellë kur dola nga kafeneja pa e dëgjuar këngën e flamurit, që u bë një lloj himni kudo që hedhet hapi i të ecurit.

Për ne buka ka më pak vlerë se flamuri kombëtar, por e kemi bërë edhe një republikë, tash edhe shtet, për të cilin pakkush ka menduar se mund të ndodhë. Tash e kemi edhe flamurin e Kosovës, flamurin e kaltër me yje, tamam flamur evropian. Por, e kemi një problem me republikën: Flamurin e saj nuk po e duan disa kryetarë komunash, si, bie fjala, Shpend Ahmeti, pastaj kryetari i Graçanicës, të cilin kur e pyetën pse nuk e ka në komunë flamurin shtetëror, tha: “Pyetni Shpend Ahmetin pse ai nuk e ka flamurin që ju e doni?!”.

Çudi, por e vërtetë! Përgjigja del se kryetarët e komunave i kanë “republikat” e veta dhe askush nuk punon për shtetin e Kosovës…

Në këtë tollovi për flamurin, dëgjova një diçka të mirë: politikanëve duan t’ua marrin pasuritë e paligjshme, bile edhe pa ligj fare, sipas ligjit të quajtur “ligji antimafia”!

Shtrohet pyetja: A thua, kemi grup apo mafi politike? U prish Jakup Krasniqi me Hashim Thaçin dhe filluan ta njollosin njëri-tjetrin, sidomos Jakupi foli keq për Hashimin!

Çudia tjetër ishte kur e dëgjova Xhavit Halitin duke e kritikuar e akuzuar Hajredin Kuqin!
Nejse, politikë komandantësh…

KFOR-i e lëshoi Kosovën!

U befasova me ndryshimin e madh, më i madhi në këto tetëmbëdhjetë vjet të pasluftës. Ata që na çliruan, duke qenë të zhgënjyer me ne, thanë: Po ikim! Në fakt, po e lënë Kosovën. U tmerrova kur dëgjova se KFOR-i po e lëshon Kosovën. Amerika tha se në Kosovë tash është qetë, luftë nuk ka. Serbia më nuk ka fuqi ta sulmojë askënd dhe se nuk kanë arsye të qëndrojnë në Kosovë misionet që bëjnë sigurinë e shtetit.

Thanë se u kemi çliruar dhe tani e keni lirinë. Mbrojeni vetë lirinë. Ajo që na takonte, e kemi kryer.

Thanë: Na falni që e kemi tepruar me qëndrim në Kosovë dhe na e jepni hallallin!
Uh, thash me vete: Amerika ia kërkon hallallin Kosovës! A thua, mund të ndodhë kështu? Mundet, pse jo?! Edhe Shqipëria e pat mund në futboll Francën dhe kush e priste një gjë të tillë? Pasi ajo e mundi Francën, pse të mos ndodh edhe kjo me Kosovën?
Pasi Amerika po shkon, menjëherë do vjen Serbia. E, çka do të bëjmë me Serbinë?! Të luftojmë apo të ikim? Por, më nuk është koha si dikur, të hapim front lufte. Andaj, duhet të ikim para se të ikin politikanët, sepse s’besoj se ka politikan që e pret Serbinë…

Përballë arsyetimeve të ndërkombëtare për tërheqje nga Kosova, Serbia fliste butë. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të fliste aq urtë dhe aq butë. Posa të dalin të huajt, ne do të hyjmë në Kosovë, thoshte i pari i Serbisë. Por, jo me luftë. Do t’na thërrasin vetë shqiptarët që të shkojmë në Kosovë… Më nuk do të vrasim, as nuk do të djegim, sepse ka qenë gabim ajo gjë. Nuk do të plaçkitim as nuk do të dhunojmë, sepse edhe ajo ka qenë gabim. Do të kthehemi atje, sepse ata vetë e kërkojnë një gjë të tillë.

Ndryshe, si do të komentohet fakti që mijëra shqiptarë kanë marrë pasaportën e Serbisë?!

Po, a thua, he burrë, çka do të ndodhë me politikanët tanë, pastaj me pjesëtarët e UÇK-së, me komandantët, me të dënuarit politikë, me ata që nuk e duan Serbinë?

Po me popullatën e re që nuk e di asnjë fjalë serbisht?

Sa për politikanët, thoshin ata në Beograd, krejt kanë lidhje me Serbinë. Për njerëzit e fortë të politikës nuk ka asnjë problem. Janë miqësuar në Bruksel dhe do të kthehet edhe një herë vëllazërim-bashkimi… Edhe fëmijët do të mësohen të flasin serbisht, sepse televizionet do u ofrojnë programe interesante… Edhe ashtu një mori këngësh tona të reja janë huazuar nga melosi serb. Ka, madje, këngëtarë që kanë përkthyer apo parodizuar komplet këngën nga serbishtja, bile krenohen që i këndojnë, se kinse në to ka art!
Dhe, kur erdhi e nesërmja, çka me pa: Tanket e KFOR-it e lëshonin Kosovën…

Haj! Çao! Ata shkonin në drejtim të Shkupit, kurse në Podujevë veç kishte hyrë Serbia!
“A është ndonjë lojë e kurdisur mes tyre apo si ndodhi që Amerika të ikë nga Kosova?!”, i bëra pyetje vetes.

A thua, do të ndodhë ndonjë katastrofë natyrore që po na braktisin?! A thua, ka qenë Marrëveshja e Kumanovës e tillë që të na lënë pas tetëmbëdhjetë vjetësh?

Nuk di, njerëz, por Serbia po vjen dhe nuk di çka do të bëjnë gjithë ata komandantë që kanë luftuar kundër Serbisë?! Atyre ua kam brengën se jo vetes! Dhe, si në film më del para syve një storie nga një manifestim në Kleçkë, në vitin 2000, kur një nga komandantët tanë lavdërohej se UÇK-ja e ka çliruar Kosovën, kurse në ndihmë i ka ardhur edhe Amerika! Në ato çaste, Komandanti i Aleancës Veri-atlantike, Xhekson, filloi të qeshë me marrëzitë e atij që fliste në skenë, para një mase bukur të madhe qytetarësh. E lëkundte kokën në shenjë habie me fjalët e ish-komandantit të UÇK-së, sa gati nuk i tha: Ulu aty se edhe ti e di fort mirë se kush e ka çliruar Kosovën!
Por, si duket, u përmbajt, sepse nuk deshi ta zhvlerësonte para masës ish-komandantin e UÇK-së…

Tanku serb më merr me vete!

Kur të gjithë morën vesh se Serbia erdhi edhe një herë në Kosovë, erdhi një tank dhe i ra derës së oborrit. Katër ushtarë serbë dolën nga tanku dhe u futën në shtëpinë tonë. Më urdhëruan ta merrja një lopatë, një shati dhe të ecja pas tyre.
Do t’më pushkatojnë, i thashë vetes.

Gruaja, nga ballkoni, më tha:

“Ku shkon njeri?”.

“Unë askund, por pyeti këta ku po shkojmë!”, ia ktheva.

I kërkova gruas hallallin dhe ajo ma ktheu:

“A na e bën hallall edhe ti neve?”.

“Të gjithëve hallall, pos shtëpisë!”.

“Pse jo edhe shtëpisë, o njeri?”.

“E ndërtova për së dyti, sepse në luftë ma patën djeg dhe pak e shfrytëzova deri tash, sepse qe kohë e shkurtër”.
Nejse, serbët më quan në një varrezë të madhe, më dukej sikur isha në pjesën veriore të Mitrovicës. Më thanë:

“Mih këtu dhe hape një varr!”.
Teksa mihja, mendoja se posa ta hapja varrin do më vrisnin dhe do më hidhnin në të. U thashë:

“Nëse doni t’më vrisni, nuk do të mih fare, bile dua të vdes i pushuar, e jo të shkoj në botën tjetër i lodhur”.

“Mih!”, më bërtiti ai që ishte me gradë ushtarake.

Kur e hapa varrin ishte skeleti i një njeriu. Dhëmbët i kishte prej dukati.
Do të ketë qenë burrë i pasur, mendova në vete.

“Nxirrja dhëmbët nga goja dhe m’i jep mua!”, më urdhëroi po ai që ishte me gradë ushtarake.

Kur e futa dorën në gojën e të vdekurit, skeleti ma kafshoi dorën. U tmerrova…
Kur i hapa sytë, thashë: O Zot, shyqyr që paska qenë ëndërr…

Safet Krivaça (“Kosovarja”)

MUND TË JU PËLQEJNË