Korrigjim apo shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, është tema me 1001 të panjohura, e që synojnë të jetësohen.

Politikisht të ndarë në qeveri dhe në opozitë rreth këtij problemi, është shumë zor i arritshëm një koncensus për përmbylljen e këtij kapitulli.

Duhet thënë, së pari, se me kë po flet politika kosovare për shkëmbim apo korrigjim kufijsh? Me Shqipërinë apo me Serbinë, kur Vuçiçi veç e ka shpallur idenë e shkëmbimit apo të korrigjimit të kufijve?

Ideja për korrigjim kufijsh Kosovë-Serbi, në Kosovë kuptohet si ndarje e Kosovës. Një referendum me këtë moto do pësonte fiasko reale. Pra, ideja për korrigjim kufijsh do të pësonte disfatë në çdo referendum eventual, që mund të bëhet një ditë objektivisht i realizuar.

Pse?

Para së gjithash, në Kosovë askush nuk e ka të qartë çfarë do të korrigjohet apo çka do të shkëmbehet me Serbinë. Kosova ka përvoja të hidhura me Serbinë, kur flitet për territore dhe copëtime, por një dyshim i madh ekziston aq më shumë që tani kjo temë po hapet në mandatin amerikan të presidentit Donald Tramp, për të cilin ka dyshime se është nën ndikimin e politikës proruse.

Por, nëse veç do të mbahej një referendum për çështjen e kufijve Kosovë –Serbi, që prekë korrigjimin, së pari, duhet të dihen këto gjëra:

Të thyhet tabuja e korrigjimit. Pronari i idesë ta qet në publik se çka prekë korrigjimi. Jo të thuhet vetëm se “nuk shkon “Trepça” e as Ujmani”, por të tregojë saktësisht se çka përmban ideja e korrigjimit.

Nëse Kosova “korrigjon” territor, duke e refuzuar atë për faktin se Kosovës ia ka dhuruar Rankoviqi, atëherë ky nuk është korrigjim, por ndarje e Republikës së Kosovë dhe cenim i integritetit territorial të sovranitetit të saj, në të cilën është njohur ndërkombëtarisht nga 115 shtete të botës.

Pronari i idesë së korrigjimit apo i shkëmbimit Kosovë-Serbi, duhet të tregojë, gjithashtu, se cili territor me cilin do të shkëmbehet saktë dhe nëse vjen puna te referendumi, atëherë duhet saktësisht të shtrohet pyetja për çka jeni…

Por, paraprakisht, krejt kjo duhet të kalojë nëpër një debat publik, që do të merr një përgjigje të masës.

A po ndodhin debate për korrigjim kufijsh Kosovë –Serbi jashtë interesimit të Serbisë?

Raportet interne të politikës zyrtare të Serbisë ndaj kësaj teme, kanë marrë përgjigje nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi. Ai ka thënë:

“Kjo ide ka qenë direkt imja për korrigjim kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, ajo ide më nuk ekziston dhe ajo veç ka vdekur!”.

Serbët e Kosovës janë të ndarë rreth kësaj ideje. Ndarjen në vija etnike të kufirit Kosovë – Serbi e cilësojnë të rrezikshëm dhe spastrim etnik për serbët këndej lumit Ibër. Serbia e do Veriun e Kosovës, por jo të shkëmbyer me asnjë territor. Veriun e duan në shkëmbim të njohjes së Kosovës.

Më vonë Serbia do të merret me enklavizimin e Kosovës, për çka ata thonë vazhdimisht se “Serbia nuk mund të turpërohet pa marrë diçka në këmbim të njohjes”.

Në Kosovë e Shqipëri debatet për korrigjim e shkëmbim kufijsh janë nxehur tepër, teksa një gjë e tillë për Serbinë dhe Vuçiçin tashmë është e vdekur.

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË