Kushtetuta e vitit 1974 ka shërbyer si bazament politiko-juridik për zgjidhjen e problemit të Kosovës, pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Pra,

Kushtetuta e vitit 1974 i ka shërbyer Kosovës të jetë shtet i ligjshëm sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që e kërkoi Serbia, duke e kontestuar pavarësinë e Kosovës.
Andaj, hapja e temës për diskutimin e ndryshimit të kufijve të Kosovës është rrezik për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, rajon me të kaluar konfliktuoze dhe me disa probleme të ngrira që mund të prodhojnë luftëra të reja dhe konflikte ndëretnike.
Me gjasë, administrata e Donald Trampit ka dhënë vizën për këto lëvizje të kufijve dhe kjo “leje” ka motivuar Serbinë ta bëjë hapin e parë drejt këtij procesi. Ky proces ka gjasa ta zmadhojë Serbinë si shtet, të cilën gjë synonte Milosheviqi.

Pse?
Serbia ka luftuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ka arritur ta federalizojë këtë shtet. Por, qëllimi final është ta futë brenda Serbisë “Republikën Serpska” të Bosnjës. Sepse, Milosheviqi la rrugën hapur pas Dejtonit më 1995.
Një konflikt i ngrirë, si duket, është edhe Veriu i Kosovës, në të cilin Serbia ka investuar kriminalitet ekonomik, biznese të paligjshëm, armatim dhe atentate e kërcënime për çdo serb që ka aspiruar se i përket shtetit të Kosovës. Këtë gjendje të ngrirë Beogradi zyrtar e ka mbajtur përmes bandave kriminale, duke mos i penguar të përfitojnë nga bota e nëntokës.
Serbia ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për ta mbajtur Veriun e Kosovës si arenë serbe të luftës për një Serbi të madhe.
Por, tash shumëçka ka ndryshuar. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga lufta e Bosnjës dhe 20 vjet nga lufta e Kosovës, e më nuk është Holbruku gjallë, nuk janë në skenën politike as strukturat veri-atlantike dhe as presidentët amerikanë që e shndërruan Kosovën në republikë.

Në Serbi Shesheli është optimist se SHBA-at po ndryshojnë, e ai ndryshim po i shkon për shtati Serbisë. Serbia po ndjehet e trimëruar të përfitojë nga rasti dhe ta përmbyllë projektin e Milosheviqit për Serbinë e madhe.
Thaçi dhe zyrtarët e tjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet t’i dinë dy gjëra nëse kjo temë nis të zbatohet në praktikë:
E para, Bosnja dhe Hercegovina mund të shpërbëhet si shtet.
E dyta, Maqedonia rrezikon të njëjtën gjë!
Pra, nëse ndryshimi i kufijve nis në Kosovë, nuk dihet ku përfundon…

Safet Krivaça

MUND TË JU PËLQEJNË