Partia Social-demokrate (PSD), me Shpend Ahmetin në krye, kishte gjasa për të ecur drejt një profilizimi domethënës, për të qenë pjesë e spektrit politik të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Janë disa gabime që kryetari i saj, Shpend Ahmeti me kryesi, i kanë bërë gjatë hapave të parë të ecjes, për çka ka pasuar edhe plandosja e kësaj partie.

PSD nuk është shembur, pse nuk kishte njerëz të ditur. Nuk është shembur as pse nuk kishte bazë solide ta kalonte, bile, pragun zgjedhor.

Ajo ishte një parti me një spektër veprimtarësh të dalluar të VV-së, që e mbajtën partinë e Albin Kurtit, duan apo nuk duan ta pranojnë sot “Vetëvendosja” dhe të tjerët.

Gabimi i PSD-së është që u bashkua me AAK-në e Ramush Haradinajt. Nga ai bashkim, duket se kanë humbur të dy partitë. Madje, edhe AAK-ja mendohet se ka humbur shumë që ka hyrë në koalicion me PSD-në e Shpend Ahmetit.

PSD është dashur t’i futet garës e vetme. Ta qelë veten pas ndarjes nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe t’i tregojë elektoratit se kah duan të shkojnë ata dhe çka do t’u ofrojnë qytetarëve me programin e tyre social-demokrat.

Të tregonin haptazi nëse ishin me PDK-në, me qëllim që ta shkatërronin Lëvizjen “Vetëvendosje”… Pra, kishte nevojë që gjërat të thuheshin me korrektësi pse u larguan nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Ende, edhe sot, qytetarët nuk besojnë se fraksionimi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka ndodhur bash për qëllime krejtësisht politiko-ideologjike dhe për ato pak fakte që u thanë dikur mes dy grupeve, si arsye të ndarjes.

Grupet janë përplasur nga distanca, duke akuzuar njëri-tjetrin dhe hiq më shumë…

PSD-ja është dashur të garojë e vetme edhe për një arsye: Elektorati kishte nevojë të dëgjojë dhe sheh vizionin e kësaj partie për të ardhmen.

E, PSD-ja nuk mund të mbulohej si parti, duke ia lënë përfaqësimin Ramush Haradinajt dhe AAK-së. Sepse, duke shkuar me ta, PSD-ja u nënshtrua si parti e lëmoshës, për të qëndruar në këmbë.

Infuzioni i kësaj partie nuk mund të merrej nga AAK-ja, por as nga ndonjë parti tjetër, sepse opinioni kishte nevojë të njihej me programin dhe anëtarësinë e PSD-së.

Gabimi tjetër ishte që në krye të PSD-së ishte zgjedhur apo emëruar Shpend Ahmeti!

Shpendit, miqësisht mund t’i thuhet se ka dështuar me qeverisjen e Prishtinës. Dhe, në një situatë të tillë dështimi, ai ishte njeriu më i gabuar në krye të PSD-së!

Në krye të saj do duhej të ishte Visar Ymeri. E, rreth tij nuk mungonin njerëzit e aftë, për një fushatë të denjë partiake në skenën politike të Kosovës.

Shpend Ahmeti, me siguri, më shumë është emëruar në krye të PSD-së, duke llogaritur përparësitë që ia siguronte posti i kryetarit të Prishtinës, e që është shumë e gabuar nga rezonimi.

Por, ekziston edhe një arsye tjetër pse u shembë PSD-ja:

Në krye të saj ishte Kaqusha Jashari, një grua e komunizmit, e që nuk ishte çadër e duhur për një seli partiake të të rinjve që e ngritën dikur VV-në.

Megjithatë, PSD-ja mund të rikthehet në skenën politike. Pra, duhet të qëndrojnë në këmbë të veta, e jo mbi këmbët e AAK-së dhe të asnjë partie tjetër.

Ata kanë ide dhe vizion, e edhe guxim, për të ecur përpara, por jo edhe me në krye Shpend Ahmetin… Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË