Nxënësit e gjimnazit të specializuar matematikor në Prishtinë rrezikojnë të humbasin vitin pasi 17 profesorë të kësaj shkolle që paguhen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nga e hëna e kanë bojkotuar punën.

Kjo pasi qe nga shtatori i vitit të kaluar ata nuk kanë marrë paga. Profesorët të cilët e kanë bojkotuar mësimin janë të drejtimit matematikor dhe të informatikës. Nga mungesa e tyre preken gjithsej 124 nxënës të kësaj shkolle që synohej të jetë elitare.

Profesorët thonë se për mos pagesën e tyre kanë kërkuar disa herë sqarime nga Ministria e Arsimit mirëpo nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

E drejtori i këtij gjimnazi, Shemsi Berisha ka deklaruar për “Kohën Ditore” se nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, nxënësit do ta humbasin vitin.

“Që nga kjo javë ata nuk kanë ardhur në shkollë dhe nuk na kanë lajmëruar fare për arsyet. E di që kanë probleme me pagesë mirëpo nuk mund të lejojmë të na dëmtohen nxënësit. Ata është dashur fillimisht të na lajmërojnë neve sepse nxënësit kanë humbur shumë mësim gjatë grevës, pastaj profesorët e kanë pasur disa javë një ekskursion jashtë vendit dhe nëse edhe tash humbet mësim nxënësit e humbin vitin”, ka theksuar Berisha.

Ai ka bërë të ditur se të enjten do ta mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit drejtues të shkollës ku do të diskutohet për bojkotimin e mësimit nga ana e profesorëve të këtij gjimnazi.

Profesori Ramadan Limani i cili është i angazhuar në këtë gjimnaz i ka thënë gazetës se të gjithë profesorët në mënyrë unanime kanë marrë vendim që të mos shkojnë në punë pasi që 7 muaj kanë mbetur pa paga. Ai ka bërë të ditur se nuk do ta vazhdojnë punën derisa t’i paguajë MASHT-i.

“Ne kemi bërë disa shkresa për Ministrinë e Arsimit mirëpo nuk ka pasur deri tash reflektim andaj arsyeja pse nuk jemi duke shkuar në shkollë është mos pagesa jonë. Ne nuk do të mund të vazhdojmë përderisa nuk gjendet një zgjidhje, e di që dëmtohen nxënësit mirëpo nuk është faji ynë por i MASHT-it”, ka thënë shkurt profesor Limani.

Nga ana tjetër, këshilltari për media në MASHT, Valmir Gashi është shprehur se ka pasur një problem tek miratimi i buxhetit mirëpo janë në proces e sipër të pagesave të këtyre profesorëve.

Gjimnazi i specializuar matematikorë është shkollë 3 vjeçare që është themeluar në vitin 2014 nga Ministria e Arsimit. Gjysma e stafit të kësaj shkolle janë profesor universitar kurse gjysma tjetër janë staf i shkollave të mesme që i ka angazhuar Komuna e Prishtinës. Që nga themelimi, stafi mësimdhënës në këtë shkollë ka pasur probleme pasi nuk janë paguar me rregull.

Në vitin 2014 ishte nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi mes të MASHT, UP-së dhe Komunës së Prishtinës ku secili institucion i ka pasur përgjegjësitë e veta.

MUND TË JU PËLQEJNË