Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është nisur për në SHBA, ku do të ketë takime zyrtare në Iowa dhe New York, ka njoftuar zyra e presidentit përmes një komunikate për media.
Në Des Moines, kryeqytetin e Iowa-s, me të cilin është binjakëzuar Kosova, presidenti Thaçi do të vizitojë pjesëtarët e FSK-së që janë duke ndjekur trajnime në Gardën Kombëtare të shtetit të Iowa-s.
Ai, po ashtu, do të takojë studentet kosovare që kanë shkuar të ndjekin studimet postdiplomike në kuadër të programit “Gratë në energji” të “MFK”.
Ndërsa, në New York, presidenti Thaçi do të ndjekë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Takimi kryesor është pritja te Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump.
Presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në darkën e shtruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, për liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi pritet të takojë krerë shtetesh të vendeve nga bota dhe liderë të organizatave ndërkombëtare.